Legjenda e vallëzimit shqiptar, Besim Zekthi, hyri në përjetësi

Ornela

 

Artisti legjendar Besim Zekthi ndërroi jetë duke shkuar drejt përjetësisë. Produkti i veprimtarisë së tij artistike do të mbetet nëpër breza si maja e vallëzimit shqiptar, që lartëson botën shpirtërore të në kombi nëpër shekuj. Figura e tij  prej kreshniku, që shfaqej madhërisht, sa tek “Luftëtarët e lirisë”, “Vallëzimi i Shqipeve”, “Valle e Kosovës” e deri ri tek “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, hynte madhërishëm në jetën e malësorit, të myzeqarit, të kosovarit, të çamit, të labit, të bregdetasit, si identiteti më i ndritshëm i shpirit artistik shqiptar  nga Jugu në Veri, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ymer Minxhozi për shfaqen eAnsamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, më 11 prill 1983, në Teatrin Kombëtar të kryeqytetit të Bavarisë, Mynihut, do të shkruante: ““Vallja e Shqipeve” vërshon në skenë si një stuhi. Besim Zekthi  me krahët e hapura si shqiponjë, në qendër të rrethit të valltarëve, ngjyrat e forta kuq e zi të kostumeve, lëvizjet energjike dhe vështrimet e ashpra të shqiponjave që vizatoheshin në fytyrat e kërcimtarëve, mbajtën për disa sekonda sallën pezull, pastaj shpërthejnë duartrokitjet dhe 1500 spektatorët gjallërohen si me komandë….Vargu i spektatorëve-kërcimtarë zgjatet nëpër korridor. Në sallë nuk dëgjohen më as tingujt e fizarmonikës së Agim Krajkës, as zërat delikat të grupit polifonik, madje as goditjet kumbuese të daulles së Lul Carës.” Besim Zekthi, ky artist i madh, që vallëzoi artin shqiptar në disa kontinete; nga Azia, në Europë, nga Afrika  në Indokinën e Largët, u kthye në mit dhe brezat e ardhshëm do ta gjejnë atë nëpër fluturimet koreografike që do të trasmetohen nëpër emisionet e ndryshme televizive. Besim Zekthi ishte artisti i popullit, që shëtiti Shqipërinë për të vjelë nektarin shpirtëror nga Tropoja në Librazhd, nga Granmshi në Konispol, nga Himara, në Zagorie, nga Opari e Mokra në Zadrimë, nga Myzeqeja në Labëri e Lunxhëri, ai e soditi popullin e tij me dashurinë e madhe që ndiente shpirti i tij prej artisti të vërtetë.  Është pak të themi, se i gjithë populli e shihte Besimin, si një magji që kishte rënë nga qielli!

 

Plastika e tij ishte mahnitëse,  me lëvizjet, dinamikën, origjinalitetin dhe përmbajtjen e shëndoshë të elementëve koreografikë, përhapte entuziazëm dhe ngrohtësi të veçantë. Sa niste krisma e daulles dhe këmbët e Zekthit dhe valltarëve fillonin të lodronin në podium, në “Vallen e shqipeve”, apo “Luftëtarët e Lirisë”, duartrokitjet ishin prush, spektatorët ngriheshin  në këmbë dhe me brohorima të stuhishme shpërthenin në duartrokitje të forta. Entuziazmi dhe jehona rritej nga vallja në valle, derisa tek valja  “Festë të Madhe ka sot Shqipëria”, arrinte kulmi i elektrizimit, zjarri që shpërndanin artistët shqitarë në sallë, ishte impresionues dhe me kërkesë këmbëngulëse vazhdimisht ato përsëriteshin. Zekthi, rrethuar nga një ansambël koreografik magjik të partnerëve të tij: Rexhep Çeliku, Enver Birko, Besim Jazexhiu, Lili Cingu, Brikena Jaupi, etj artistë mjeshtërorë, shkëlqente dhe sillte mrekullinë shqiptare ashtu siç ishte krijuar nëpër shekuj prej një populli të pamposhur. Duke ekzekutuar pothuajse tërësisht njësitë etnokoreologjike dhe llojet e koreografisë popullore shqiptare, të ngritura në art nga Panajot Kanaçi dhe koreografë të tjerë shqiptarë, Zekthi i qëndronte besnik shpirtit artistik të popullit dhe identitetit tonë kombëtar. Kërcimet e Zekthit, si interpretime solistike të valleve tradicionale, për nga gjinia, formacionet, struktura dhe mënyra karakteristike e të interpretuarit, ishin një univers i pafund, plot elegancë, shije, finesë, gjallëri, bukuri dhe art. Ai interpretoi origjinalitetin e tyre ardhur prej shekujve, duke shprehur eposin e madh luftarak dhe ndjenjën e krenarisë së shqiptarit. Ai solli temperamentin e zjarrtë, me lëvizje të ngrohta, me gjallërinë e ritmeve dhe dinamikën e përmbajtur. Me shumë emocione Zekthi solli në skenë vallen epike të flamurit, vallet e trimave, vallet e traditës luftarake, dhe spaktatori ndiente, sikur nga thellësia e shekujve zbrisnin kreshnikët, luftëtarët dhe heronjtë e rënë për liri, dukej qëndresa shekullore e shqiptarit. Ky ishte lapidari shpirtëror që Zekthi e përjetonte emocionalisht dhe artistikisht përmes kërcimeve të tij mjeshtërore, plot vlera ideoartistike, duke theksuar tërë tragjicitetin e këtij populli, por edhe tërë lavdinë e tij.  Arti i madh i Zekthit, dëshmoi mjeshtrinë e lartë artistike dhe pasurinë e vallzimit shqiptar nëpër shekuj.

Në mes të atij universi artistik, Besim Zekthi  shquhej për emocione të forta dhe vlera të  larta estetike. Me elegancë, shije dhe finesë të hollë, me lëvizje të pasura, plot gjallëri e jetë, me sinjalet që  jepte lëvizja e dorës apo trupit, rrotullimet karakteristike dhe fluturimet në ajër, në atë peizazh të zbukuruar nga ngjyrat e kostumeve të valltarëve të tjerë,  Zekthi i qëndronte  besnik shpirtit artistik të popullit. Me lëvizje të zhdërvjellta dhe temperament shpërthyes, Zekthi realizon kërcime mahnitëse. Vallet ndizeshin plot ritëm e ngjyra dhe përfytyrimet shkonin tek sulmet, kundërsulmet, goditjet, tërheqjet, rrudhjet e atdheut të tij, deri në qëndresën, që mbetet legjendare për një komb si i yni. Këtu shpërthente gjithë forca shprehëse e shpirtit njerëzor të Bsim Zekthit, aq sa elektrizohej dhe entusiazmohej me thesarët artistikë të popullit dhe visaret e kombit. Përmes ekzekutimeve të tij, Zekthi evidentoi artistikisht unitetin ideoemocional që kërkonte krijimi artistik, si një sintezë veçorish e karakteristikash, që përbënin identitetin tonë kombëtar. Ky thesar i madh kulturor e shpirtëror, i prezantuar plot elegancë dhe shumëllojshmëri figurash koreografike prej Besim Zekthit dhe trupës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, krijonte atmosferë epike dhe një lirizëm flladitës, që pushtonte tërë skenat në turne të ndryshme ndërkombëtare, atmosferë që do të përsëritej për çdo natë me ndjesinë se ndodheshe në mjedise luftëtarësh. Gjithmonë jemi magjepsur nga ekzekutimet p l ot fi g u r a koreografike të Besim Zekthit, me një interpretim perfekt, plastikë dekorative që vjen nga thellësia e shpirtit, si nevojë e brendëshme e një lirizmi flladitës, që sjell optimizëm, ritëm, gëzim. Më shumë se valle ato ishin një manifestim i vitalitetit shpirtëror dhe estetik të popullit, që shquhen nga fryma kolektive. Nëpër salla, teatro, stadiume, apo sheshe qytetesh ku Ansambli i Këngëve dhe Valle Popullore jipte koncerte, Zekthi emociononte me miliona spektatorë duke lënë mbresa të thella për karakterin e theksuar kombëtar, qartësinë dhe bukurinë e papërsëritshme të artit koreografik shqiptar. Qindra artikuj vlerësues e informues, para dhe pas shfaqjeve të Ansamblit të Shqiptar,   shoqëroheshin me foton e Zekthit, me krahët hapur si shqiponjë. Kjo zotëronte gjithë gazetën me impresine madhore.

Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, e kanë vlerësuar kritikë dhe spektatorë të shumtë gjatë turneve npër botë, “si ansambli  me vlera të mëdha e të pasura artistike. Shfaqet e tij janë konsideruar festivale të gjalla të një folklori të madh”. Në Dizhon, në vitin 1970,  Shqipëria fiton “Gjerdanin e Artë”, në ato pak minuta konkurimi, Besim Zekthi zotëroi jo vetëm mendjen e jurisë, por tërë spektatorët, tërë qytetin, “ishte një magji e paparë ndonjëherë”. Gazeta turke “Memleqet” shkruante: “Vendin kryesor në asamblin shqiptar e zenë ekzekutimet  e bukura  të kërcimtarit  Besim Zekthi, Lili Cingut, Rexhep Çeliku, të Vaçe Zelës, Zeliha Sinës, Sali Brarit, të cilët i kënaqën spektatorët me interpetimin e tyre. Ansambli mik e vëlla nga Shqipëria na dha një shfaqe të paharruar”. Gazeta “Durum” do të theksonte: “Ansambli të nxit emocione të mëdha. ..valltarët janë të klasit botëror, veçanërisht Zekthi fluturon si një pupël, por pas fluturimit ngulet si një shkëmb graniti… Na pëlqeu ritmika e valleve tuaja dinamike. Jeni artistë të mbrekullueshëm! Vallet tuaja ishin një buqetë e gëzimit dhe optimizmit, trimërisë  dhe bukurisë shqiptare. Ansambli juaj  ishte shprehje e një kulture  të pastër  e origjinale.” Për pritje madhështore, dëshmoi edhe shefi i redaksisë së jashtme të RAI-2 në Romë: ”Mendoj se më shumë se përshtypjet  e mia, flasin më mirë dhe më qartë se unë duartrokitjet që po bëjnë të gremiset teatri.”   “La Republika”: “Këngët vallet, kostumet, flasin për shekuj folklorikë, një mënyrë e njerëzve të Shqipërisë për të shprehur  gjendjen e tyre shpirtërore, për momente kulmore,  faza historike, triumfe etj.”

Besim Zekthi promovoi gjatë tërë jetës, artin e popullit shqiptar dhe shpirtin e tij të bukur, human, më mirë se sa ministritë e sotme të kulturës, të cilat e kanë braktisur artin e popullit, plot vlera të rralla ideoestetike. Për produktin e tij artistik, që mbetet i papërsëritshëm, Besim Zekthi është vendosur në fondin e artë të kulturës shqiptare, ai do te mbetet pasuri kombëtare.

 

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Fitim Çaushi

 

Share This Article
5 Comments
  • Rrespekt te Madhit Artsitit Besim Zekthi .

    Eshte dicka e jashtezakoneshme ajo qe kjo Trupe Artistash arrriti te beje me Vallen e Bukur Shqiptare

    te cilen e shndruan ne Art !

    Dhe po ti marresh te gjithe ne vecanti Artiste dhe Artistet e bukura te Ansamblit Shqiptare te kenges e valles ishin njilloj ne syt tane dhe gjithe Botes pothuaj

    si edhe Artistat e Filmit te Mrekullushem .sikur Zoti

    i kishte prer te gjithe ne nji Forme ,te pashem ,te bukur si

    qenie jerezore , artiste ne shpirt dhe Shqiptare me Zemer …

    Per mua , ky ishte shpirti i Artistit Shqiptare .

    Rrespekt Artistit te Madhe te skenes Besim Zemthi

  • Ishte ca feminist, thonin, por si valltar ishte maje! I qofte dheu i lehte dhe u kujtofte per mire!

    • Nje çikë emër të kishe, po ishe burrë ishe feminist dhe po ishe femër me siguri ishe kurvë. Shqiptarët janë të dallumë me ja fut pordhës kot.
      Të paktën paske zgjedh emërin sipas kaptinës.

      • Duke zgjedhur emrin sipas kaptines, i bie qe nuk qendron konsiderata ime personale, se B. Zekthi ishte maja e valltarve!?. Duke zgjedhur emrin sipas kaptines, i bie se edhe ngushellimi im i sinqerte qenka pa vlere! Mbeten vetem ato fjale qe jane folur nga te tjeret dhe qe ti e pranove si fakt permes sqarimit qe dhe! Qenke i zgjuar shume! Ditke ti mbrosh njerezit!

  • Nuk dua te bej asnje koment,sepse,sikur te shtoj edhe nje presje,mendoj,se do ja demtoja vlerat dhe bukurine ,qe pershkruhet ky ansambel,me ne krye -kryevalltarin e Shqiptareve,te madhin Besim Zekthi.Si banor i rruges “Mihal Grameno” ne Tirane,shpesh me binte rruga,te kaloja perpara shtepise se tij,dhe e shikoja ne ballkonin e katit te pare.Kur nuk ndodhej ne ballkon,e gjithe ajo rrugise,dukej bosh,por krejtesisht bosh.Ndersa kur ndodhej i ulur vetem apoedhe me te shoqen ,vetem ballkoni i atij kati (katit te pare),dukej me madheshtor edhe se vete pallati.Trupi i gjate,fytyra gjithnje e qeshur e mjeshtrit te madh te valleve,si dhe pershentetja e tij,pamvaresisht se kush ishe,e mbushte gjithe ate zone dhe i jepte nje pamje te vecante.E ndjejme edhe ne banoret e asaj rruge,nje fare krenarie qe e kishim mehadhexhi.Konsideraten me te larte dhe respektin me te thelle,per kete gjigant te artit tone shqiptar,i cili do fluturoje si nje legjende,per jete te jeteve,neper hapsiren shqiptare,por besoj se edhe te atyre vendeve ,ku e kane pare,shijuar,vleresuar dhe duartrokitur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *