Legjendë dashurie…

redaktor

 

Kjo histori është natyrisht,
dhe më e lashtë nga lashtësia,
që flet e flet pafundësisht,
se ç’mund të bëjë dashuria!

Një vashë e ëmbël po vajtonte,
me engjëjt dhe me xhindet fliste,
po qe se dielli perëndonte,
djaloshi i saj do të vdiste.

Ç’të bënte vashëza e shkretë,
dhe shpirti i saj që dashuronte,
se kishte miliona vjetë,
që dielli ecte e s’ndalonte.

Ashtu e heshtur dhe e tretur,
në horizont i nguli sytë,
ku pakëz diell që kish mbetur,
sa një kandil lëshonte dritë!

Ashtu dhe shpirti i djaloshit,
me diellin fikej pak nga pak,
porse këtej shpirti i vashës,
si një vullkan digjej në flakë!

Ndaj sytë i mbante të gozhduar,
andej nga dielli po ikte,
në horizont duke u shuar,
dhe zemrën djalit do t’ia fikte!

Po ndriti çasti i mrekullisë,
sa mendja nuk ja pret njeriu,
nga klithmë e zjarrtë e dashurisë,
në horizont dielli ngriu!

Dhe më s’lëvizi asnjë grimë,
po vetëtiu si n’agim,
dhe shpirti i djalit që po fikej,
iu kthye jetës me rrëmbim!

Dhe kjo ka ndodhur me vërtetë,
sepse legjenda nuk mbaron,
në një qytet që nuk ka netë,
po vetëm diell që s’perëndon!

Po veç një diell që s’perëndon,
që ndrin dhe ndrin dhe vetëm ndrin,
ti mik i dashur që s’beson,
vrapo ca ditë gjer në Dublin!.

Ky është fundi i historisë,
që Lashtësia do tregonte,
ku klithmë e zjarrtë e dashurisë,
e bëri Diellin të ndalonte!

Dhe kjo ka ndodhur në Dublin,
aty ku dielli s’perëndon,
dhe ahere pa dyshim,
dhe djali rron-dhe vajza rron!

Dublin, Irlandë, 16.06.2007

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *