Baseli i falet sërish Shkëlzen Gashit. 4 ndeshje pa shënuar mes kampionatit, Championsit dhe Kupës së Zvicrës ishin shumë për një sulmues si ai, me Gashin që u rikthye te goli në Superligën Zvicerane duke i dhënë tre pikët skuadrës së tij ndaj Zyrihut.
Trajneri Urs Fischer i besoi sërish një vend titullari sulmuesit shqiptar pas disa takimesh që 27-vjeçari i nisi nga stoli dhe Gashi ia shpërbleu me një gol shumë të rëndësishëm.
Derbin e shqiptarëve mes Baselit dhe Zyrihut e nisën që nga minuta e parë vetëm Taulant Xhaka e Shkëlzen Gashi te vendasit dhe Berat Dijmsiti te miqtë, me Armando Sadikun që hyri si zëvendësues në minutën e 74-t, ndërsa Burim Kukeli e Albian Ajeti nuk ishin fare të pranishëm për këtë sfidë, i pari për arsye skualifikimi kurse Ajeti për shkak të një dëmtimi.
Megjithatë kur shifrat ishin të mbërthyera në barazim 1-1 me finalizimet e Lang dhe Kecojevic në pjesën e parë, në skenë u shfaq Shkëlzen Gashi që në minutën e 71-të realizoi një gol shumë të bukur duke i dhënë fitoren e 7 në po kaq takime Baselit në kampionat.
Në fund pati vend edhe për një tjetër gol të Mark Jankos që fiksoi rezultatin në 3-1, por rrjeta e 27-vjeçarit ishte ajo që i hapi rrugën fitores së skuadrës nga St Jakob Park. Kjo ishte rrjeta e 3-të sezonale për Gashin që prej dy sezonesh shpallet golashënuesi më i mirë në Zvicër.
Nuk ndalet as Shani Tarashaj. 20-vjeçari i lindur në Tiranë po kalon një moment të shkëlqyer forme me skuadrën e Grasshoppers. Tarashaj realizoi golin e avantazhit provizor 2-0 në fitoren 3-2 të ekipit të tij ndaj Young Boys.
Ky ishte goli i 6-të në këtë sezon të Superligës zvicerane për 20-vjeçarin shqiptar i cili renditet në vendin e dytë të listës së golashënuesve me vetëm 1 gol pas Leczanos të Lucernës që kryeson.
Falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera me fanellën e Grasshoppers, Tarashaj po ndiqet me vëmendje edhe trajneri i kombëtares kuqezi Gianni De Biasi i cili mund ta grumbullojë 20-vjecarin për sfidat e muajit Tetor ndaj Serbisë dhe Armenisë.
Vijon forma e mirë edhe për Milot Rashicën. Sulmuesi i cili është grumbulluar nga trajneri i kombëtares Shpresa Redi Jupi për sfidat ndaj Israelit dhe Portugalisë luajti titullar në fitoren 4-1 të Vitesses ndaj Cambuurit duke zhvilluar një lojë të mirë.
Rashica ishte protagonist në golin e dytë të shënuar nga Vitesse teksa me një goditje potente vuri në vështirësi serioze portierin mik Nienhuis që nuk e priti mirë topin duke i dhënë mundësinë Daudas të realizonte për vendasit.
