Lejoi kalimin me lekë të trafikantit dhe vajzës, pranga kryeinspektorit

anazapta

Lejoi të kalonte në port me para nën dorë të dyshuarin si trafikant femrash për prostitucion, arrestohet kryeinspektori i policisë, me detyrën kontrollor në Pikën Kufitare. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm njoftoi dje se gjatë operacionit të koduar “Ndalimi”, ka vënë në pranga oficerin Artan Telha, 42 vjeç, i cili dyshohet se ka ndihmuar një 28-vjeçar i cili po trafikonte jashtë vendit një vajzë, për qëllime prostitucioni. Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme sqaruan se Artan Telha, 42 vjeçe, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, u arrestua dje në mëngjes, nën akuzën e “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”.

Efektivi i policisë ka ndihmuar të dyshuarin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, bashkë me vajzën Adile Sh., kundrejt shpërblimit në të holla. Policia arrestoi edhe Klodian Novakun, 28 vjeç, nga Elbasani, me akuzën “trafik të të rriturve mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Mësohet se Novaku është kthyer deportiv së bashku me vajzën që do dërgonte në Itali.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në datë 22 prill, ora 05:00, SHKB Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Durrës, Kryeinspektorin Artan Telha, banues në qytetin bregdetar.

“Arrestimi është bërë për kryerjen e elementëve të veprës penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Ngjarja ka ndodhur më 21 prill, kur Novaku dhe vajza janë lejuar të kalojnë duke paguar nën dorë”, tha policia. Mësohet se vajza ishte deklaruar e larguar nga banesa prej familjes së saj. I dyshuari Klodjan Novaku është banues në Elbasan. Gjatë kontrollit të banesës së tij është sekuestruar një armë pistoletë e tipit “Zastava”, një shumë të hollash prej 670 euro, një telefon, pasaportë dhe kartë identiteti dhe 2 bileta udhëtimi në emër të Klodjan Novaku dhe Adile Sh., të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të R. Sh., i ati i Adiles, i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga i dyshuari Klodjan Novaku. Dosja në ngarkim të oficerit dhe të dyshuarit për trafik i kaloi po dje prokurorisë vendore.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *