Ndonjëherë ndodh që nxënësi më i dobët i klasës ti përgjigjet aq mirë një mësimi sa të na habisë të gjithë duke na rritur kureshtjen dhe ngazëllimin. Të dielën e shkuar e majta italiane zhvilloi në gjirin e vet votimet primare për të vendosur se kush do kandidojë si kryeministër në zgjedhjet e përgjithshme të pranverës. Lideri i Partisë Demokratike, 61 vjeçari Pier Luigi Bersani, triumfoi në balotazh kundër sfiduesit Matteo Renzi, kryebashkiakut 37 vjeçar të Firences.
Beteja ishte midis dy brezave të largëta me vizione, mendime, plane dhe politika të ndryshme. Pra ishte e ashpër; e vërtetë. Çdo qytetar italian dhe i huaj mbi moshën 18 vjeç mund të votonte duke u para-regjistruar on-line apo direkt gjatë ditës së zgjedhjeve. Secili pagoi 2 euro për të mbuluar shpenzimet për bazën materiale, ndërkohë që mbi 100 mijë vullnetarë në pothuajse 10 mijë qendra votimi siguruan mbarëvajtjen e proçesit elektoral. Gjatë raundit të parë u paraqitën 5 kandidatë. Përveç Bersani-t dhe Renzi-t garuan edhe Nichi Vendola (guvernatori i Puglia-s dhe përfaqësuesi i së majtës post-komuniste), Bruno Tabacci (në emër të një partie të vogël të qëndrës) dhe Laura Puppato (në përfaqësi të krahut ambientalist të Partisë Demokratike).
Gjatë turnit të parë avantazhi midis Bersanit dhe Renzit ishte 10%, ndërkohë që gjatë balotazhit (ku mund të votonin vetëm ata që u rregjistruan në turnin e parë) diferenca u dyfishua. I vetmi kontrast midis kandidatëve ishte pretendimi i stafit të Renzit për të pranuar në balotazh edhe ata që nuk mundën të paraqiteshin gjatë turnit të parë. Përgjigja e komisionit garant ishte negative: rregullat e lojës nuk mund të ndryshoheshin gjatë zhvillimit të saj.
Surpriza nuk qëndron tek rezultati, por tek dëshira e qytetarëve për pjesëmarrje. Tre milionë votues që me durim pritën në radhë përpara qendrave të votimit, janë një thesar për të majtën italiane nën trysninë tashmë njëzetvjeçare të demagogjisë së shfrenuar berluskoniane.
“Nuk mund të fitojmë duke treguar përralla, sepse pastaj nuk do mund të qeverisim dot” – u shpreh Bersani duke vazhduar më tej se “meqë mamaja e demagogjisë është gjithmonë shtatëzënë, ne duhet të marrim një rrugë të re”. Nuk munguan edhe përgëzimet për kundërshtarin: “Renzi ishte një forcë e freskët dhe e fortë. Ai dha një kontribut të madh për këto primare, bëri të mundur që të ishin të vërteta”.
Edhe Renzi, menjëherë pas humbjes, mblodhi stafin dhe mbështetësit e vet, i falenderoi nga zemra (“ humba unë dhe jo ju, ishte një nder të bënim këtë rrugë sëbashku”), dhe analizoi me gjakëftohtësi situatën politike (“shprehëm me qartësi të madhe mendimet dhe pozitat e tona, por italianët që morrën pjesë në këto zgjedhje qenë akoma më të qartë duke mos na votuar”).
Kurajoja e Bersanit në organizimin e këtyre konsultimeve (të mos harrojmë se doli fitues nga Kongresi partiak i dy viteve më parë dhe kishte gjithçka për të humbur) duket sikur ka vendosur një standart të ri në jetën politike italiane. Praktikë që rezulton akoma më e çmuar nëse e ballafaqojmë me partinë kundërshtare që është peng e pronarit të vet, Silvio Berluskoni, i cili politikisht nuk ka më asgjë për të thënë.
PD-ja italiane u shpalos si një forcë e hapur që nuk ka frikë nga gjykimi sado i rreptë i italianëve të çdo ngjyre politike qofshin. Kjo fjali mund të duket banale nëse u referohet shteteve ku demokracia ka hedhur rrënjë prej dekadash dhe qytetarët kanë mundësi reale për të zgjedhur personalitetet ku kanë më shumë besim. Por Italia që prej vitit të largët 1994, ka jetuar nën hipnozën berluskoniane që konsideronte debatin të padobishëm dhe kolegjialitetin humbje kohe.
Sipas sondazheve të djeshme Partia Demokratike, falë efektit pozitiv të zgjedhjeve primare, ka arritur 37% të preferencave, ndërkohë që vetëm gjashtë muaj më parë ishte në nivelin e 26%-shit. Italianët befasuan jo pak fqinjët e tyre me këtë shfaqje të pastër demokracie. Ndoshta një ndër nxënësit më të dobët të Europës ka filluar të studiojë.
* Elton Xhanari – PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona