Këtë të hënë, Teherani paralajmëroi se do të thyejë kufijtë e caktuar nga marrëveshja nukleare në lidhje me pasurimin e uraniumit brenda 10 ditëve, si hakmarrje për akuzat se kishte goditur anijet naftë-mbajtëse javën e kaluar..
Shtëpia e Bardhë ka dënuar këtë deklaratë të Teheranit, duke e quajtur atë “shantazhuese”. Në fakt, një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kurrë nuk do ta lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore. Shantazhi bërthamor i regjimit duhet të pritet me presion ndërkombëtar”.
Përgjigjja amerikane vjen pasi agjensia e energjisë atomike të Iranit tha se do të rrisin prodhimin e tyre në nivele afër nivelit të armëve brenda dhjetë ditësh.
Behrouz Kamalvandi, nga agjencia e energjisë atomike të Iranit, më parë, deklaroi se nivelet e pasurimit të uraniumit do të rriteshin në 20% nga 3.67% që ishin tani dhe do të ktheheshin në këtë normë, vetëm nëse palët e tjera në “marrëveshjen e Iranit” do t’i përmbushnin zotimet e tyre.
Kjo deklaratë vjen pasi Uashingtoni fajësoi Iranin dy herë brenda një muaji për sulme ndaj anijeve naftë-mbajtëse në Gjirin Persik.
Gjithashtu, afati dhjetë ditor që Irani paralajmëron është brenda datës 7 korrik, data e përfundimit të periudhës një vjeçare që Irani i njohu SHBA-së për tu rikthyer në marrëveshjen nuklerare, pasi presidenti Trump u tërhoq.
Liderët botërorë kanë reaguar në mënyra të ndryshme, në përputhje me interesat politike të vendeve të tyre. Për shembull, presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Iranit të jetë “i durueshëm dhe i përgjegjshëm” duke respektuar paktin e kohës së Obamës, meqë ministrat e jashtëm të BE-së po përpiqen ta rikthejnë marrëveshjen në jetë.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se ishte shumë e rëndësishme që sanksionet më të rënda të imponoheshin nëse Irani do të përparonte me pasurimin e uraniumit, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
