Noti sa vjen e po bëhet një sport i dashur e i rëndësishëm për rininë. Ai nuk është më një sport sezonal me dy tri aktivitete në vit tek ne, por po shtrihet gjatë gjithë vitit. Ngritja e pishinave me ujë të ngrohtë në Tiranë dhe në Durrës ka krijuar kushte dhe mundësi që të zhvillohen gara edhe në dimër, muajt nëntor, dhjetor dhe më vonë. Mendoj se 15 milion lekë të vjetra që i jepen Federatës së Notit për të organizuar veprimtaritë e saj janë të pamjaftueshme për të mos thënë qesharake. Mungesa e fondeve ka bërë që aktivitetet shpesh të të rinjve dhe të rriturve të zhvillohen bashkë, ose nga 3 ditë që mund të bëhen me eliminatore dhe finale ato zhvillohen në dy ditë. Kjo natyrisht që ka ndikuar dhe ndikon në rritjen e cilësisë sportive. Prandaj rritja e fondeve për notin për vitin 2016 nuk është dëshirë por një domosdoshmëri. Ne e dimë që shteti ka probleme dhe shqetësime të tjera më të rëndësishme, por 15 milion lekë të vjetra që jepen për notin janë shumë pak. Me këto fonde nuk mund të organizohen mirë më shumë se një apo dy aktivitete në vit. Por duke pasur parasysh se noti nuk është më një sport sezonal por që shtrihet gjatë gjithë vitit dhe konkretisht aktivitetet që zhvillohen për nder të festave të Nëntorit, Pavarësisë etj, Federata nuk i njeh këto veprimtari sepse nuk ka fonde. Por po të vazhdohet kështu ne me logjikë do të duhej ta braktisim notin që në muajin shtator gjë që nuk është e drejtë. Aktivitetet sa më tepër që të shtrihen në vit, aq më mirë është edhe për notarët sepse ata stërviten dhe mobilizohen për të arritur nivele më të larta. Këtë e tregojnë mjaft mirë dhe veprimtaritë rajonale që zhvillohen në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Slloveni ku notarët tanë në këto gara vendosin edhe rekorde kombëtare.
Edhe vitin e kaluar problemin e fondeve e kemi ngritur si një shqetësim kryesor por gjendja vazhdon e njëjtë, konceptet dhe qëndrimet që vihen re si ‘’Jo nuk kemi fonde ose Kemi halle të tjera’’, nuk qëndrojnë. Federata e Notit pra disa vitesh fondet i ka pasur më të mëdha, 25 apo 30 Milion Lekë në vit dhe nuk dimë se cila është arsyeja që këto fonde u ulën kaq shumë. Unë mendoj se shteti i Kosovës, nuk është më në gjendje që fondet për Federatën e Notit i ka sa dyfishi apo trefishi i federatës sonë. Mendoj se sa më tepër fonde të jepen për notin aq më mirë do të organizohen edhe veprimtaritë sportive. Gjithashtu edhe notarët që thyejnë rekorde kombëtare do të stimulohen. Edhe investimet për sportin e notit duhet të jenë më të mëdha sepse disa ekipe në Vlorë, Shkodër, Sarandë stërviten në kushte shumë të vështira.
Mendoj se për Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, ky sport duhet të jetë me prioritet. Shqipëria është një vend që tre të katërtat laget me det, ka liqene e lumenj të shumtë, prandaj edhe kujdesi dhe interesimi për notin duhet të rriten më shumë. Problemet janë të shumta por një gjë kryesore është se akoma notarët bëjnë gara pa tabelë elektronike. Jemi i vetmi vend në rajon që në garat e notit notarëve koha ju matet me kronometër. Prandaj në këtë drejtim duhet që të shqetësohemi më shumë që organizimi i garave të notit tek ne t’i përgjigjet nivelit dhe kërkesave të kohës.
*Trajner i Merituar, Vlorë
