25 parti kanë zhvilluar bisedime me Partinë Demokratike gjatë dy ditëve të fundit lidhur me përfshirjen e tyre në koalicionin e djathtë. Këtë gjë e ka konfirmuar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, pas përfundimit të bisedimeve me disa parti. Bode deklaroi se PD është e hapur për të gjitha ato forca që janë deklaruar dhe ndihen si të djathta.
“Janë duke u kryer negociata me të gjitha partitë që janë ofruar në spektrin e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta dhe që po i bashkangjiten koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit. Janë rreth 25 parti që kanë përfunduar negociatat dhe do të vijohet edhe nesër për të përfunduar këto negociata me të gjitha partitë që i ofrohen këtij bashkëpunimi. Jemi të hapur për të përfshirë të gjitha partitë e qendrës, qendrës së djathtë dhe të djathta, që kanë shprehur dhe do shprehin vullnetin për të pasur një koalicion unik”, deklaroi Bode.
Ndërkaq gjatë mesditës, në ambinetet e Partisë Demokratike kanë qenë të pranishëm kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, Lufter Xhuveli kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste, Ekrem Spahia i Lëvizjes së Legalitetit si dhe disa përfaqësues të disa partive të tjera më të vogla. Ajo që mund të cilësohet surprizë ka qenë takimi i Nikoll Lesit me grupin e negociatorëve të PD-së, të përbërë nga Ridvan Bode e Oerd Bylykbashi.
Në përfundim të takimit, Nikoll Lesi u shpreh se oferta e ardhur ishte e shkëlqyer por i takon kryesisë të vendos.
“Në cilësinë e kryetarit të LDK-së erdha në selinë e PD-së, si lokomotiva e koalicionit të 23 qershorit, të fitores së re të pas 23 qershorit. Dëgjova ofertën e Partisë Demokratike për forcën që unë kryesoj. Në orën 18:00 është mbledhja e kryesisë. Do të parashtroj ofertën e PD-së. Për mua në cilësinë e kryetarit, është ofertë e shkëlqyer, është ofertë bashkëpunuese, përfaqësuese dhe mendoj që demokristianët do jenë të përfaqësuar me disa numra në Parlament këtë rradhë”, deklaroi Lesi.
Mësohet se gjatë ditës së martë pritet të zyrtatrizohet koalicioni i djathtë pas takimeve që pritet të zhvillohen dhe me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, atë të PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe disa parti të tjera të spektrit të djathtë.
