Deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj, njëherësh kryetare e delegacionit të PS-së në Parlementin Europian në një deklaratë për mediat ka hedhur poshtë akuzat e mazhorancës se statusi i vendit në BE po bllokohet nga opozita.
Leskaj theksoi se qëndrimi i BE, PE dhe SHBA për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe eleminimin e korrupsionit bëjnë përgjegjëse qeverinë për dështimin e marrjes së statusit të vendit kandidat.
Leskaj duke pohuar se integrimi po bllokohet nga brenda, për shkak të paaftësisë së Kryeministrit për të dialoguar me opozitën hodhi poshtë akuzat e këtij të fundit ehde për cështjen e Fierit.
Deklarata e plotë e Valentina Leskaj:
Dëshiroj të përshëndes Rezolutën e miratuar dje nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian e cila konfirmon edhe njëherë mbështetjen e vyer që Parlamenti Europian i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë procesit të integrimit Europian të Shqipërisë.
Rezoluta konfirmon një fakt të rëndësishëm: në Bashkimin Europian po ravijëzohen gjithnjë e më qartë qëndrime kritike në lidhje me mungesën e arritjeve të Shqipërisë.
Këto qëndrime nuk lidhen aspak me alibinë e Sali Berishës se integrimin po e bllokon opozita, por thjesht e vetëm me dështimet e vetë Sali Berishës në përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.
Parlamenti Europian në harmoni të plotë me qëndrimet e Holandës, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Spanjës, Suedisë, Danimarkës, identifikon si arsyet reale të bllokimit të procesit të integrimit jo opozitën, por dështimet në sundimin e ligjit, në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në dënimin e zyrtarëve të lartë të shtetit të akuzuar për korrupsion, cënimin e lirisë së medias, papunësinë dhe varfërinë e skajshme të një numri të madh shqiptarësh, politizimin e administratës publike, etj, etj, etj.
Si asnjëherë tjetër në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, Parlamenti Europian, vendet anëtare të BE, por dhe Shtetet e Bashkuara rë Amerikës përmes Sekretares së Shtetit gjatë vizitës së saj në Shqipëri theksojnë domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme parlamentare në vitin 2013 si një test për demokracinë shqiptare që do të përcaktojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. E pra, janë këto punët që duhet të kishte bërë qeveria e Sali Berishës.
Dështimet nuk mbulohen dot me shpifje e akuza ndaj opozitës, siç bëri kryeministri vetëm pak më parë gjatë një konference për shtyp me homologun e tij maqedonas.
Siç e ka bërë tanimë zakon Kryeministri deklaroi se integrimi i Shqipërisë po bllokohet nga brenda.
Po, e vërteta është se integrimi po bllokohet nga brenda.
Po bllokohet nga një qeveri e paaftë që nuk di të qeverisë, nga një qeveri që s’di të dialogojë me opozitën dhe një kryeministër që lë nam nëpër botë duke e shpallur opozitën armike, nga një qeveri e paaftë për të garantuar sundimin e ligjit e për të luftuar korrupsionin sepse është vetë e korruptuar, nga një qeveri që s’ka vullnet të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme e që kur zgjedhjet nuk i fiton dot, mundohet t’i vjedhë me forcë, siç po bën tani edhe në Qarkun e Fierit.
Kryeministri deklaroi se opozita u tërhoq nga e Fierit pasi e arriti qëllimin e saj për bllokimin e integrimit.
Dëshiroj t’i kujtoj se opozita as është tërhequr e as nuk mund të tërhiqet nga çështja e Fierit sepse ka fituar zgjedhjet, ka fituar dhe gjyqet në lidhje me Qarkun e Fierit. Kjo e histori me tërheqje është shpifja e radhës e Sali Berishës për të justifikuar dështimin me integrimin duke fajësuar opozitën, në një kohë që është vetë Sali Berisha që ka marrë peng Qarkun e Fierit dhe refuzon të njohë fitoren e opozitës me votë, refuzon të zbatojë 13 vendimet e gjykatave te të gjitha shkallëve që i japin të drejtë Partisë Socialiste.