Zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës,
Nuk do e merrja mundimin të të shkruaja nëse disa probleme që më cekin jo vetëm mua por edhe komunitetin ku jetoj nuk do të ishin shqetësuese, akoma më keq: janë dramatike. Në fushatën e kopsitur mirë që ju bëtë, ju luajtët me kartën e vendosjes në plan të parë qytetarin. Epo thashë, doli dikush në këtë vend që mendon që të parat duhen të jenë punët e qytetarit e jo të oborrit të politikës siç është bërë deri më tani. E kështu fillova të dëgjoja premtimet tuaja që ishin të gjetura e të prekshme. Më erdhi mirë që një ditë të bukur nxituat, me të drejtë, për të dhënë lajmin se Kombinati, një lagje në perëndim të Tiranës, shumë shpejt, me të ardhur ju në pushtet, do ishte pikënisja e disa investimeve në shërbimin publik, ku për herë të parë në Shqipëri do merrte jetë trami apo tramvaji. U zotuat se do nxirrnit jashtë funksionit autobusët gërdallë të Kombinatit. Të shumtë ishin ata që u gëzuan, ndër ta isha dhe unë, pasi këta Iveco, relike të sistemit, përshkruanin një itinerar të gjatë e mjaft të populluar nga ata qytetarë që nuk kanë zgjidhje tjetër veç transportit urban. Ndoshta nuk e dini, ose e keni harruar nga rehatia që sjellin makinat luksoze (të nxjerrin nga realiteti) që keni pasur kur ishit ministër, por do doja t’ju kujtoja vijën përshkruese të këtyre autobusëve të shkatërruar. Pikënisja e këtyre autobusëve është sheshi “Garibaldi”, e duke ecur mespërmes Kombinatit, kalojnë tutje në “Misto Mame”, më andej tek Shkolla Teknologjike, pastaj ndalojnë tek Parku. Më tej vjen “21 dhjetori”, marrin vrull për qendër e ku këtu, pasi një pushimi, rimarrin hov e nisen për te 9-katëshet, ndalojnë tek Medreseja, i kalojnë karshi QSUT-së e pastaj frenat e fundit i mbajnë në Kinostudio. E siç duket nga një përshkrimi i shkurtër, kjo linjë është ndër më të gjatat që ka Tirana. Kishte ardhur koha që dikush të vinte dorë mbi këtë linjë me autobusë të sistemit të egër komunist, me të cilën partia juaj thotë se nuk ka asgjë të përbashkët. Pasi e morët bashkinë, ashtu siç e morët, në 100 ditët tuaja të qeverisjes mendoja se diçka do të ndryshonit. Ndoshta keni ndryshuar, por ama nuk mundem assesi të kuptoj se si nuk arritët që premtimin që dhatë ta mbanit. Aha, diçka duhet të ketë shkuar keq! Kombinati ia bëri të keqen vetes. Ashtu siç ka ndodhur këto 10 vitet e fundit edhe këtë radhë ia dhanë votën të majtës. E atëherë nxituat t’i ndëshkoni. E meritojnë, me siguri iu kanë thënë këshilltarët! Andaj, filluat persekutimet. Bëtë çmos dhe eliminuat linjën paralele që bëhej nga autobusët Sharrë-Uzina Dinamo-Sharrë. Kjo linjë lehtësonte gati 20 për qind të trafikut njerëzor. Po ashtu, në mënyrë të pakuptimtë i nxorët jashtë loje dhe furgonët që niseshin nga Kombinati deri te “21 Dhjetori”. Z.Basha, të udhëtosh me autobusët e Kombinatit është një aventurë sa e rrezikshme, po aq groteske. Më dhemb shpirti kur shoh sesi të moshuarit shtyhen e kacafyten për t’u futur në autobusë e në fund fare nuk munden. Është e dhimbshme! Të duhet që të presësh për minuta të tëra për të dëgjuar zhurmën e gërdallës tek vjen serbes-serbes. E këtu, pasi të janë lodhur këmbët e të është mpirë durimi, të duhet të mposhtësh me një forcë titanike vrullin e inateve e mllefeve të njerëzve që kthehet në përpjekje për t’u futur në atë ferr të vërtetë. Por të qëllon që edhe pse në stacion të fundit, autobusi të vjen i mbushur plot e përplot se shumica e pasagjerëve kanë hipur një stacion më parë . Taktikë shumë e zgjuar! Mundimi të mëson hile. Kështu që duhet të presësh tjetrin. Tjetrin. E kështu me radhë deri sa të bëhesh vonë, shumë vonë për në punë a shkollë. S’ke ç’bën. Duhet të pajtohesh me realitetin që t’i kanë prerë shpresat se mund të ndryshohet.
Por e keqja nuk mbaron këtu. Në fakt më e keqja fillon këtu.
Teksa merr turravrapin për t’u futur në autobus, të duhet të ruhesh se çdo gjë mund të ndodhë. Të duhet që të kontrollosh herë pas here xhepat për të parë nëse ato kusur lekë që ke pasur i ke akoma, në mos kot rrekesh të bësh zhurmë se xhepistat i ke gjetkë. E këtu fillojnë ato shikimet vëngër sepse gjithkush dyshon të gjithsecili. Bëhesh njësh me turmën e të duket vetja sikur je sardele. Paketohesh aq mirë sa nuk të lind nevoja për t’u mbajtur. Veçse ama të duhet të durosh, si të mundesh,bërrylat e stërkëmbësat që të vijnë nga të gjitha anët. Nëse ke organizëm të fortë mund t’ia dalësh edhe pa të rënë të fikët nga era helmuese që vjen nga gjysmë djegia e naftës. Ky është rituali i përditshëm i një përdoruesi të transportit publik. Z. kryetar, bëni diçka para se ndonjë i sëmurë apo i moshuar të humbasë jetën në këto linja.
