Letër Benit

redaktor

Jam një socialist, këtu e 26 vjet më parë, i nderuar zoti Beni, bashkëthemelues i PS-së në kongresin e qershorit 1991. Tani jam pensionist. Jam inxhinier nafte, që jam rritur dhe formuar në punë të vështira dhe sakrifica të mëdha. Për kuriozitetin tënd, dikur student dhe disa vite më vonë, i dija përmendësh poezi dhe poema të Majakovskit, Pushkinit, Lermotovit, Eseninit, Gëtes, Hajnes, Bërnsit, Kajamit, Petëf, etj, etj për të mos folur për të mëdhenjtë tanë Kadarenë, Agollin, Nolin, etj.

Nuk njihemi bashkë, megjithse jam lexuesi yt dhe pothuaj i të gjitha librave të tu dhe i kam marrë nga dora jote me nënshkrimin tënd. Nuk jam delegat, por mendova të përfshihem si socialist në debatin tuaj  në PS, sespse më dhemb situata e krijuar në familjen tonë të përbashkët politike, me bindjen që jam asnjanës e objektiv, sepse nuk më lidh asnjë interes personal me askënd në PS, aq më tepër me Ramën, që s’e kam takuar kurrë si edhe nuk do t’ia lejoja vetes t’i bëja qejfin apo të jem fanatik i verbër i tij.

Ti i dashur Beni, e ke rrokur atë shkelje fort dhe e ke bërë flamur beteje e lufte, që po i lodh të gjithë socialistët. Për mua, dhe kam mendimin për shumicën e socialistëve, nuk pranohet që të përdoret një rregull partie si tabu për të krijuar një situatë paqëndrueshmërie të qeverisë së saj me synimin rrëzimin ose zëvendësimin e Ramës. Të lutem, mos e trumbeto kaq gjatë këtë rregull, se të gjithë e dimë që edhe ish-partia komuniste, e cila parimet dhe rregullat i kishte dogmë, hante llogjikë për t’i trajtuar dhe rregulluar gjërat pa shkatërruar vetveten.

Edhe sikur qëllimi të jetë demokratizimi i PS, sic thoni ju, askoha, as toni dhe mbi të gjitha as mënyra e përdorur nuk justifikohet. Në fakt te mua është krijuar mendimi që Juve nuk ju udhëheq ndonjë kauzë apo mision për të shpëtuar PS e aq më tepër vendin, sic deklaroni, por shkatërrimi i Ramës. Unë nuk e di shkakun e këtij mllefi dhe egërsie ndaj tij, por nuk besoj se është e drejtë që duke përdorur një sebep, ta sulmosh atë, pa marrë parasysh pasojat e familjes dhe të vendit.

Dije, në fund të fundit, shqetësimi ynë nuk është aq i lidhur me fatin politik të Edi Ramës, por me fatin tonë e të vendit tonë. Nëse dështon ai tani, kemi dështuar të gjithë, ne shqiptarët e ndershëm dhe të drejtë të këtij vendi që megjithëse bëjmë shumicën, qënkemi të nëmur e të dënuar të vuajmë pa fund. Ji me ne Beni, se kështu je edhe me Shqipërinë!

 

Letër e nënshkruar

Novruz Limaj

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *