Letër e hapur / Davaritni paqartësitë zoti kryeministër!

redaktor

– Kryeministrit të RSH, Z. Edi Rama

Në vëmendje të sistemit gjyqësor shqiptar

 

I nderuar z. Kryeministër,

Siç e dini shumë mirë edhe ju, midis shumë problemeve që gangrenizojnë shoqërinë shqiptare prej një çerek shekulli, çështja e trajtimit të pronave ka qenë dhe mbetet jo vetëm kryesore por edhe burim i shumë të këqijave të tjera mbarëkombëtare.

Si shtetas shqiptar unë jam i vetëdijshëm për katrahurën e krijuar dhe shkallën e lartë të padrejtësisë me të cilën organet administrative dhe ato gjyqësore e kanë trajtuar këtë problem në gjithë vendin. Unë jam ithtar i ligjit, i rendit dhe i shtetit, pavarësisht kush e ka pushtetin. Si i tillë kam mirëpritur dhe mirëpres çdo hap në realizimin e shtetit juridik por kam qenë dhe jam kundër veprimeve arbitrare ndaj shtetasve edhe kur ato bëhen në emër të një “drejtësie të kulluar”, që s’është tjetër, veçse maskë.

Duke qenë i vetëdijshëm se viktimë e padrejtësive të sistemit gjyqësor shqiptar kanë qenë e janë me mijëra si unë, po ju paraqes shkurtimisht rastin tim, meqë është edhe më i freskët. Kemi mbi një dekadë që sillemi nëpër organet përkatëse administrative dhe ato gjyqësore duke kërkuar kthimin e një sipërfaqeje toke (pyje, kullota, livadhe etj.), të cilën e kemi pasur pronë tonën tash 220 vjet në rrethin e Lezhës. Mbas shumë peripecive, para disa muajve e fituam gjyqin në gjykatën e shkallës së parë në Lezhë.

Megjithëse në dosje ndodhet edhe një vendim tjetër gjyqësor për njohjen e faktit juridik të pronësisë, si dhe një dokument i marrë në Arkivin Qendror të Shtetit, i cili dëshmon qartë pronësinë tonë, madje mbi një sipërfaqe më të madhe se ajo që ne kemi kërkuar të na kthehet, Zyra e Avokatit të Shtetit dhe AKKP e ankimuan vendimin në shkallë të dytë. Në kundërshtim me të vërtetën dhe të drejtën, Gjykata e Apelit Shkodër vendosi para pak ditësh kthimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e Shkallës së Parë me një argument qesharak.

Pse po jua drejtoj këtë letër?

Unë nuk kërkoj nga ju të ndërhyni në procesin konkret juridik që ka të bëjë me pronat e mia pasi këtë nuk ua lejon as ligji. Letra ime ka dy qëllime:

Është bërë praktikë që zyrat e Avokatit të Shtetit të apelojnë çdo vendim gjyqësor kur një nga palët është shteti dhe kur vendimet janë kundër shtetit. Më thonë se kjo është një normë juridike. Nëse është kështu, ajo është një normë e padrejtë dhe që sjell si pasojë një praktikë të padrejtë, të pamoralshme dhe, madje traumatike, pasi, padrejtësisht, ua zvarrit njohjen e të drejtës së pronësisë pronarëve të ligjshëm, duke ua bërë jetën të padurueshme dhe duke i vënë në armiqësi me shtetin.

Ju e dini shumë mirë se në një sistem demokratik, shteti duhet të jetë palë e barabartë në çështjet gjyqësore dhe duhet të kërkojë pronësinë vetëm mbi ato prona që i përkasin atij. Përndryshe, shtetin nuk do ta dallonte asgjë nga individët që, tash 25 vjet, kanë grabitur pasuritë e të tjerëve me forcë ose duke korruptuar organet e drejtësisë. Në rastin konkret, rastin tim, përfaqësuesja e ASH kërkon të lërë pronë shtetërore një sipërfaqe që unë dhe paraardhësit e mi e kemi pasur në pronësi prej 7-8 brezash deri kur e kolektivizoi sistemi komunist. Atje jemi lindur e rritur të gjithë këta breza (duke përfshirë edhe mua) dhe atje ndodhen ende shtëpitë tona tashmë të pabanuara. Unë mendoj se zyrtarët e ASH duhet të trajnohen më mirë dhe të mos ngrenë pretendime qesharake si në rastin në fjalë ku përfaqësuesja e shtetit hedh hipotezën se “ndoshta vërtetë në vitin 1945 kjo pronë zotërohej nga kërkuesit por ndoshta ka qenë jo e trashëguar por e dhënë nga reforma agrare…”. Administrata e ASH duhet të lexojë Ligjin Nr. 108 datë 29.08.1945 “Për Reformën Agrare” dhe të mësojë mirë se reforma agrare nuk ka dhënë dhjetëra hektarë sipërfaqe dhe as ka dhënë pyje e kullota, por vetëm sipërfaqe të vogla toke për prodhime bujqësore. Ne, si shumë të tjerë, nuk kemi përfituar nga reforma agrare por kemi humbur nga reformat e kolektivizimit. Dhe, ndërsa kushërinjtë dhe fqinjët tanë, me të drejtë, i kanë marrë pronat e tyre që i kanë pasur të vetat po prej 220 vitesh, ne, për arsye që s’vareshin nga ne, jemi të vonuar në këtë aspekt.

Fjalimin tuaj në Vlorë, në takimin me organet ligjzbatuese para dy muajve, disa gjyqtarë e kanë keqkuptuar dhe keqinterpretuar, ose për shkak të paaftësisë profesionale ose për shkak se e “kanë mizën nën kësulë” për mëkate të bëra më parë në fushën e ligjshmërisë së kthimit të pronave. Duke menduar dhe gjykuar se “tani është vala e reformave gjyqësore dhe s’dua të hyj në telashe me këtë qeveri”, këta lloj gjyqtarësh janë duke “djegur të njomin me të thatin”, duke marrë vendime po aq kriminale sa ata që kanë tjetërsuar pronat e qytetarëve me vendimet e tyre tash 20 vjet.

Unë mendoj dhe besoj se nuk është në nderin e një shteti që, nga njëra anë, të legjitimojë e certifikojë pronat e grabitura gjatë këtij çerekshekulli dhe, nga ana tjetër, të nxjerrë gjithfarë pengesash procedurale dhe të krijojë e shkaktojë gjithfarë keqkuptimesh në procesin e kthimit të pronave tek pronarët e ligjshëm. Prandaj, e shoh të arsyeshme t’ju sugjeroj që të ndikoni në përmirësimin e punës dhe qëndrimin e Avokaturës së Shtetit në proceset e kthimit të pronave si dhe të davaritni paqartësitë dhe keqinterpretimet e fjalëve tuaja tek organet e drejtësisë.

 

Albert Celaj

Shëngjin, 02.11.2015

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *