Letër e hapur e familjes Toptani

redaktor

Kryeministrit Rama,

Shkëlqesisë së tij, z.Donald Lu

Ne familjet e Toptanëve, po ju drejtohemi me këtë letër publikisht, duke shpresuar të kemi vëmendjen dhe ndihmën tuaj zyrtare, për të na mundësuar të fitojmë të drejtën tonë të pronës, e cila po dhunohet prej shumë dekadash nga individë, politikanë dhe institucione. Padrejtësitë ndaj Toptanëve për të marrë pronat e tyre, shtrihen në shumë vite dhe nuk jemi duke kërkuar fajtorët e vjetër dhe të rinj, por do donim ndikimin tuaj ligjor e zyrtar që ne të marrim një të drejtë ashtu si ligji dhe Zoti na e lejon. Kemi një numër të konsideruar dosjesh te ALUIZNI ku nuk jemi përfshirë ende në asnjë rast të kompensimit financiar, për ato troje të zëna nga ndërtimet informale në Tiranë dhe në Durrës. Zyra e Regjistrimit të Pasurive, prej 14 vitesh ka zvarritje të pabesueshme, pasi nuk na regjistron prona në Tiranë prej 11.500 metër, pronë e njohur nga institucionet që kanë tagrin e njohjes, kthimin dhe vendim gjykatash. Kemi 11 çështje gjyqësore në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe në Apel, kujtojmë se kemi 20 vite nëpër gjyqe, ku 3 dosje po shqyrtohen dhe 8 të tjera janë në sektorin paraprak, që nga viti 1996. Janë një numër zyrtarësh të cilët na nxjerrin pengesa për të mundësuar marrjen e asaj çka na takon. Ka prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie, të tjerë të cilët kanë lidhje me pushtetin këto 24 vite, edhe aktualisht, të cilët kanë marrë prona të Toptanëve, kanë ndërtuar mbi to dhe ushtrojnë ndikimet e tyre, që çështjet tona të zvarriten dhe ne të endemi gjykatave e agjencive të shumta, por të mos marrim atë çka është e prindërve tanë, e jona dhe e fëmijëve tanë. Ka dhe ndërtues të njohur të cilët me anë të dokumenteve të falsifikuara, kanë zaptuar prona të Toptanëve dhe me lidhjet e tyre me politikën dhe pushtetin, duan të realizojnë këto grabitje të pronave tona që kushtojnë miliona euro, por ata i ndanë mes tyre dhe pushtetarëve të ndryshëm.

I nderuar z.Kryeministër, janë të shumta dosjet tona që po zverdhen nga koha dhe harresa e indiferenca e vendimmarrjeve. Ne po vdesim duke pritur dhe ndërkohë po shohim se pronat tona po i grabisin, Do të ishte në dobi të çështjes dhe të ligjit që ju i nderuar z.Kryeministër, të na ndihmoni që këto probleme të shqyrtohen nga Departamenti Antikorrupsion për të vënë përpara përgjegjësisë ata zyrtarë që zvarrisin prej dekadash të drejtën tonë. Me shpresë, mirënjohje dhe konsideratë, familja Toptani (Lumturi Toptani, Lejla Toptani, Fuat Toptani, Aida Besho)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *