Letër e hapur Kryeministrit të bezdisur…

Dita

Zoti Kryeministër,

Më shkruanit dje në një komunikim privat në postën elektronike se sa shumë i keqardhur ndiheshit nga një shkrim i imi modest, që ju e quanit “gomarrllëk”. Kisha shkruar i mërzitur që kryeministri, në vend të na flasë se çfarë po bën për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur e ka mendjen te ndeshja dhe te ekrani për të parë ndeshjen para kryeministrisë.

Më kujtonit edhe lirinë time “për të shkruar broçkulla” apo për tu dhënë të drejtë “tërë atyre budallenjve që e ngrenë këtë pretendim (puno, mos rri në Fb!).

Po vrisja mendjen nëse duhet të ndihesha mirënjohës që kryeministri i vendit tim merr mundimin të lerë mënjanë hallet dhe punët e mëdha që ka e të më shkruajë mua, apo duhet të ndihesha i trishtuar nga ato që po lexoja në atë email.

Meqë më kërkonit të mos ju bezdis “me broçkulla” në postën private elektronike, po ju përgjigjem këtu, në këtë portal që synon të tregojë historitë personale të atyre që nuk gjejnë dot pasqyrim në median tradicionale, për arsye nga më të ndryshmet.

E për të evituar dozat e cinizmit, po ju flas për histori personale. Ndoshta kështu do të kishit mirësinë që mos e quanit “broçkull”.

Shikojeni pak këtë fotografi që po botoj bashkë me këto rradhë. Mos u mundoni të kuptoni se çfarë shkruhet se me siguri nuk do e dëshifroni dot.

Por numëroni pak vulat në atë copë letër. Secila vulë është e një doktori të veçantë. Copa e letrës është një rekomandim, ndërsa pacientja për të cilën rekomandohet një injeksion hekuri intravenoz është nëna ime, e cila kryen dializë që prej 4 vjetësh tashmë.

Po t’i shpjegoj se çfarë janë ato vula se ndoshta ju ndihmoj të kuptoni se në çfarë derexheje vazhdon të zhytet sistemi ynë shëndetësor. E po të keni vëmendje deri në fund do ju shpjegoj edhe pse po ndaj me ju pikërisht këtë histori.

Njëra vulë është e mjekut të familjes. Mjeku i familjes mund të jetë një hallkë e domosdoshme e sistemit për të trajtuar sëmundje të zakonshme dhe për të parandaluar sëmundje kronike. Por kur një pacient vuan nga sëmundje të pashërueshme kronike, atëherë hallka e mjekur të familjes bëhet një hallkë e tepërt. Sepse nuk e trajton dot mjeku i familjes insuficencën renale, insuficencën kardiake e çdo komplikacion tjetër kronik.

Vula tjetër është e doktoreshës nefrologe në klinikën e specialiteteve. Kjo supozohet se ka marrë një indikacion nga mjeku i familjes që të trajtojë pacienten për sëmundjen specifike të veshkave. Meqë të klinika e specialiteteve nuk i ofrojnë dot disa sherbime, atëherë vula e dytë e përcjell pacienten aty nga nisi e gjitha: te qëndra terciale, pra në QSUT.

Një vulë tjetër  është pikërisht e doktoreshës së QSUT (është kjo doktoresha kryesore, që i duhen gjithë vulat e tjera që të vazhdojë terapinë).

Pas saj, një tjetër vulë, e vënë mbrapsht nga nxitimi. Eshtë e zyrës së statistikave. Kjo zyrë i shërben QSUT, si qëndër universitare që është, për arkivën e saj, mirëpo aty vulat vihen në copën e letrës pa u rregjistruar edhe në rregjistër.

Këtu s’më ndihmon dot logjika: vras mendjen për çfarë shërben ajo vulë nëse nuk korrespondon me një rregjistër që më pas mund t’u shërbejë studentëve qe mund te duan të analizojnë statistikat?! Apo, nëse në arkivën e statistikave përfundojnë recetat apo rekomandimet origjinale, atëherë për çfarë duhet edhe vula? A nuk mund ta venë atë vule vetë punonjësit kur dokumenti ka shkuar për t’u arkivuar pa ua komplikuar kështu jetën pacientëve?!

Më ndiqni me vëmendje sepse janë me mijëra pacientët që bëjnë këto sorrollatje të panevojshme (kohë e humbur, energji e konsumuar, kosto të kohës vetë e shumë të tjera).

Vula tjetër është e ISKSH. Pas vulës së 4 pacienti nuk e vret më mendjen për të kuptuar se përse shërben vula e 5, apo e 6 apo vula e 7. Pacienti kërkon thjesht të mbarojë punë pa e vrarë më mendjen se pse 7 vula në një copë letër sikur secila nga ato vulat të mos përfaqësonte një entitet të vetëm që në këtë rast është shërbimi shtetëror shëndetësor, por plot 7 entitete të ndryshme nga njëra tjetra.

7 vula, 7 doktorë që nuk takohen asnjëherë me njëri tjetrin për tu konsultuar dhe një paciente që në vend t’i shërbehet në ditën e saj më të keqe sorrollatet për të vënë vula! Një paciente që kupton se ka përpara jo një shërbim njerëzor por një hallkë torturuese burokratike që nuk u kërkon llogari doktorëve për cilësinë e shërbimit por nëse e kanë apo jo vulën! Mirë ime më që ka dikë t’i gjendet pranë, po ata të shkretë që janë të vetëm, si ia bëjnë vallë? Po ne që paguajmë sot për këtë shërbim a do të gjendemi vallë përballë të njëjtës torturë kur të mbërrijmë në ditët tona më të këqija?!

Ju kam shkruar njëherë tjetër këtu e dy vjet më parë se çfarë situate e palogjikshme sundon në spitale. Më keni thënë: Ajo që është ç’bërë për 25 vjet, nuk mund të bëhet për 2 muaj e gjysëm. Mirëpo tashmë jemi në vitin e tretë dhe nuk me shpjegon dot njeri se përse pacientëve si nëna ime që kanë një kartelë të hapur në QSUT u duhen minimalisht 28 vula në dy-tre javë dhe dyfishin e ketyre ne perfundim te 6 mujorit (pacientet kronike e dine per cfare po flas)?!

Tek emaili i djeshëm pasi më tregonit respektin dhe vëmendjen që kishit ndaj meje (ma merr mendja ndaj kauzës sociale që unë me kolegët e mi përfaqësojmë, jo ndaj meje personalisht) më kujtoje disa herë atë “lirinë time për të shkruar broçkulla”.

Unë ju kërkoj ndjesë nëse ju kam bezdisur me emaile dhe s’paskam respektuar lirinë tuaj për “të mos u bezdisur me broçkulla”, por si qytetar i këtij vendi që kam votuar me entuziasëm për ju disa herë, kërkoj minimalisht, që edhe ju mos na i shisni të gjitha broçkullat si punë të mëdhaja që po bëni për këtë vend. Ju e keni mundësinë tu dërgoni qytetarëve edhe policinë kur ndjeni se bezdiseni nga ta, po ne si t’ia bëjmë sa herë na bezdisni ju me kolegët tuaj nga mëngjesi deri në darkë, ndonjëherë si një mallkim nga i cili nuk shpëtojmë dot?!

Pasi të mbaroni me topat e Kombëtares, a mund të na shpjegoni ne qytetarëve që nuk ndihen më të përfaqësuar nga ju, pse shërbimi në spitale është çdo ditë e më keq? Unë nuk e pranoj dot justifikimin se cfarë u bë keq këto 25 vjet nuk mund të cbëhet brenda mandatit tuaj të parë, përndryshe më mirë hapni rrugën.

Pse në mes të lagjeve tona vriten njerëz si të ishim në luftë apo në vendet ku lufta e mirëfilltë zhvillohet lagje më lagje e cep më cep?

Pse çdo vjeshtë Shqipëria përmbytet po ashtu siç përmbytej në kohën e Berishës të cilin ju e akuzonit se nuk bënte asgjë për të parandaluar dëmet që njeriu ka ditur t’i shmangë? Berisha thoshte e ka fajin shiu, ju thoshit e ka fajin Berisha. Sot Berisha thotë e keni fajin ju, e ju thoni e ka fajin natyra!

Pse vazhdojmë të mos kemi ujë, drita dhe shërbim minimal dinjitoz sa herë shkojmë në zyrat e OSHEE, në zyrat e ujësjellësit apo në cdo zyrë tjetër publike?

Pse vazhdohen të blihen diplomat e shkollave të larta (ka treg pa kupon tatimor që ofron diploma të gatshme për cdo tezë të studentëve, i gjeni në Facebook edhe këto)? Pse studentët kritikë në vend që të dëgjohen e të bëhen pjesë e proçesit të reformave etiketohen si “komunistë”, apo si vegla të PD? Pse prindërit e kanë gjithnjë e më të pamundur për të ndihmuar fëmijët e tyre të ndjekin shkollën teksa ju u propozoni të futen në borxhe teksa atje ku studentët futen për gjithë jetën në borxhe sot (SHBA) po flitet të bëhet e kundërta, pra të ndihmohen të rinjtë jo të zhyten në pasigurinë e kredise për gjithë jetën?

Pse në xhepat tona ka më pak lek, e në tregjet tona çmimet rriten çdo ditë? Pse akoma nuk ka siguri në ato mallra që konsumojmë?

Nuk e kuptoj dot, nuk ma rrek dot mendja, ato hidrovoret në vitin e 25 të “demokracisë” pse ende nuk funksionojnë atëherë kur duhen më shumë?

Si ka mundësi që paguajmë më shumë taksa (sepse është mashtrim i madh kur na thuhet se paguajmë më pak taksa, e kundërta është e vërtetë), por kemi shërbime gjithnjë e më të këqija?

Si ka mundësi që është e pamundur të gjesh sot qoftë dhe një sportel të vetëm shtetëror të papushtuar nga arroganca dhe sjelljet e dhunshme verbale të atyre që paguhen për të na shërbyer e jo për të na kërkuar llogari?

Pse çdokush që nuk ndjen entuziasëm në këtë vend etiketohet si cinik? Dhe nëse arratiset diku jashtë etiketohet si abuziv apo budalla?!

Si ka mundësi që hap rrjetet sociale dhe shikon gjithë drejtorët e qeverisë të merren me futboll e të shajnë njerëzit kritikë vetëm pse këta të fundit nuk duan të dëgjojnë nga mëngjesi deri në darkë për futboll e top por edhe për punë, shkollë, spitale e shërbime? Jo më larg se dy vjet më parë këta ishin pjesa më e angazhuar e shoqërisë që mezi prisnin t’u vinte dita për ta ndryshuar këtë vend…

Si ka mundësi që të rinjtë e këtij vendi nuk gjejnë dot shembuj të tjerë veç shembujve që kanë të bëjnë me ballista e me nacionalista? A nuk ju vret pak në ndërgjegje fakti që nuk po dimë të frymëzojmë të rinjtë tanë me shembuj që të mos jenë vetëm me drogë armë apo nga rruga, nga dhuna në stadiume e nga makutëritë e tjera?

Pse të moshuarit vazhdojnë të jenë më të varfrit e këtij vendi dhe ju nuk flisni pothuajse asnjëherë për ta? Sikur të flisnit sa gjysma e herëve që keni folur për topin e futbollit këto ditë…!

Si e shpjegoni që flitet sot më pak për të drejtat e njeriut dhe akuzohet shoqëria civile apo institucione të pavarura pse ngrenë zërin? Nga po ata të rinj që dikur u promovuan përmes shoqërisë civile…

A e kuptoni gjithnjë e më shumë njerëz si unë nuk e durojnë dot më arrogancën dhe mungesën e transparencës me të cilën ju po vazhdoni ta shtyni këtë mandat? Mashtrimi duket më i madh kur pritshmëria dhe entuziasmi që e polli atë ishin më të mëdha…

Unë besoj se është fillimi i fundit ai moment kur dikujt që qeveris i duken brockulla ato që të qeverisurit thonë. Eshtë ai momenti që nis të grumbullojë nga e para ato 1 milion shuplakat derisa t’i transformojë në 1 milion kopaçe ndaj të zotit.

 

Share This Article
9 Comments
  • Degjo ti more djaleee!
    Krieministri ka peruruar e_albania.
    E di ti ç’eshte e_albania ????
    Qe me nje klik ke te gjitha te dhenat ne tavoline….

    Po doktorret ka mundesi te jene kristalin apo plepist,dushkist,ahist qe nuk dijne
    te perdorin miun..jane ende ata te Sales qe i kane lidhur vulat me ushkuret…
    Kush di ndonje gje per lidhjen on line te te gjithe spitaleve te Skiperise ???
    Sa pare e madhe eshte harxhuar…dhe prap kane mbetur vulat…
    Nuk thone kot:“Ku je mor te humbte vula!?”

    • Nuk a ashtu or taj,jo!
      Una ja kam lan Rames te tan’ spitalat on line.
      Sikur edhe nje delvinjot te semuret ne Tropoje mjekt atje ne Dragobi i kane tan’
      te dhenat e pacientit nga Vurgu…
      Ne çdo spital kena krijue nga nji rrjet kompiuterik dhe e kena bashkue tan’ Skiperine
      E kena dixhitalixue or Kristi,por kur nuk dij me e perdor miun Rama si do te dijne me
      e perdor ato zoçkat qe ka vue ai me drejtue..ato e kan’ mendjen tek zogjte..
      Rrnofte NaltMadhnia e tij Zogji i Pare se tan’ ato pare te dixhitalizimit te spitaleve i ka rrujte Xeni me Argiten!
      Edit i kena lan’ vulat qe “I humbte vula sa me shpejt !”

  • BRAVO!
    Ka ardhur ora qe Kr.Rama te kuptoje qe “kallajit” po i del boja.
    Perfundimisht eshte i paafte te kryeje detyren per te cilen u votua,Maksimalja qe mund te kryeje eshte detyra e Ministrit te komunales dhe gjelberimit,per Kr,eshte totalisht i paafte.
    Duhet te largohet,largohet,largohet,largohet se i meroi thocialistet te cilet i ka bere te “llafosen me vete”,leri pastaj pensionistet qe i leqendisi fare.
    Nje Kryeminister i lodhur,shume i lodhur, tamam si L..e pensionisti !

  • Z.K.PINDERI,na e prishi humorin ne kete dite te kremtimit te fitores sportive te Kombetares sone.Ky dhe tre te tjeret komentues nuk e kane hallin te plakat e tyre te semura,se Rama nuk eshte doktorr,por duan ti tregojne atij se nuk e duan ate-por Saliun,se po te qe problemi i vetem i nenes se tij,zoteria nuk do citonte edhe problemet e tjera tamam si SALI-BASHA.Sado te HINGERIJNE kuajt PD-ist,kualicioni majt po qeveris e do qeverise me mire se hajdutet e vrasesit e PD ne keto 25 vjet,te cilet te pergatiten te vijne ne pushtet kur Meta te bej divorcin me PS pas 20 vjetesh.Un si pesionist i kam paguar dhe paguaj taksat 100%,kur ka disa te tjere nuk i kan paguar kurre,ndaj ligji te veproi njilloi per te gjith dhe,kush nuk e zbaton ligjin te futen ne vrimen e MIUT..!

  • Z.Pinderi te falenderoj, Ke qene realisht konstruktiv. Vetem puna i rregullon problemet e ketij populli te neperkembur gjithmone nga pushtetaret. Per fat te keq ata punojne me pak se kushdo.
    Faleminderit

  • Kryeministri Rama pas dy vjetesh ne kete detyre e tregoi veten se eshte krejtesisht odiner ne drejtim te njohjes se shtetit dhe te drejtimit te tij. Kush nuk e kupton kete fakt ose eshte injrant ose ben pjese ne oligarkine administratve te vjedhjeve.

  • per problemin e shendetesise mendoj se ne tre vjet te pakten procedura duhej lehtesuar.Kurimi behet shkel e shko, shto procedurat burokratike, spitalet private, keto shkresat shkel e shko qe s’gjen topograf ti perktheje dhe gjithshka qe funksionon spitaleve si ne kafene.Nje shoku in vizitoi babane dhe i kerkoi mjekut qe keshillat t’ia shkruante ne leter. Se helbete, pacienti harron.Dhe ishte spital privat, nga ata qe tarifat i kane ne euro.O zoteri, ia kerkoi me ngulm disa here se mjeku as e kishte zakon te shenonte, pa lere ne spitalet publike.Kam plot raste si ky, por s’kam kohe ti rendit. Ndersa per varferine, permbytjet, mendoj se k/ministri duhet tu kushtoje vemendjen maksimale, po per 100 arsye keto nuk zgjidhen me shkop magjik.

  • *****korrupsioni ,krimi dhe helmi qe eshte injektuar ne vena te popullit ,eshte mbjellur ne administraten shtetrore ,ka lulzuar dhe eshte vaditur me kujdes ne keto troje shqiptare nga banda e S.Berishes dhe grupit mafioz perfitues per 24 vjet i ka nxjerr uje te zi ketije vendi,dhe ti kerkon drejtesi, shtet,shendetesi ?.. ,pasojat e e kesaje ” bombe ” shkatrrimi nuk zhduken per 2 vjet ,por ndoshta duhet 250 vjet z. Pindi perfaqesues i larte LGBT-se qe te pastrohet infeksoini i qe eshte shume i rende i mbushur me spiune,me hajdut,me administrat te degjeneruar,dhe pa bese,me vrases pas shpine dhe marcenare politik,me deputet pa karakter qe kalojne nga nje parti tek tjetra per interesa personale ,me njerez cemirgji e shpirte zi ,intrigant ,katila ,barbare ndaj te varferve , te semurve,te moshuarve,romve dhe egjyptjanve,te pa strehve dhe jetimve,hipokrit dhe egoiste dhe ne funde me plote kuptimin e fjales Sadista.!….?????

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *