I nderuar Z. Ministër!
Unë që po ju shkruaj jam një nga qindra pacientët, hallexhinj, që janë të detyruar të kalojnë në “sitën” e vartësve tuaj, qofshin këta mjekë, infermierë, apo personel tjetër ndihmës. Por kam edhe një “veçanti” se e kam kaluar “moshën e tretë” dhe kam hyrë “në të katërtën”, mbi 85 vjeç.
E përgjithësova problemin, jo se dua të përfaqësoj ata qindra pacientët. Jo. Dua vetëm t’ju tregoj se çfarë peripecish m’u desh të kaloja unë për një vizitë fare të thjeshtë, që pastaj ju ta krahasoni me ata nevojtarë të shumtë që problemet shëndetsore i kanë më të ndërlikuara.
Kam një nishan në trup, i cili kohët e fundit m’u duk se kishte ndryshuar formë. Dhe, nisur nga porositë që lexojmë, kur nishanet ndryshojnë formë duhet të vizitohen, pasi paraqesin rrezikshmëri. Prandaj edhe unë u nisa.
Ju lutem ndiqeni “rrugëtimin” tim për të arritur deri në fund të asaj që më duhej:
1.Shkova tek mjeku i familjes dhe ia parashtrova problemin. Ai pasi më dëgjoi, më dha një rekomandim për specialistin e lëkurës në ambulancën e specialiteteve.
2.Shkova në ambulancën përkatëse, prita radhën dhe bëra vizitën. Specialistja dermatologe më rekomandoi të shkoja në spital për të bërë një analizë me aparat dhe me reagentin përkatës.
3.Duke ndjekur porosinë e dermatologes së ambulancës, duke pyetur njerëzit që të më tregonin vendin, shkova tek kabineti i aparatit ku duhej të bëja analizën. Mjekja që gjeta atje, me shumë mirësjellje, më tha se duhej të shkoja tek salla e pranimeve, ku të merrja një faturë për ta bërë analizën falas. Nuk durova dot pa i thënë mjekes: Po pse nuk ma thanë që në ambulancë, ose që mjeku i familjes, por duhej të vija deri këtu ta mësoja këtë hollësi? Madje, për të mos u sorollatur, i thashë mjekes se isha gati ta paguaja, vetëm të mos shkoja më tej; por ajo më tha se, edhe për ta paguar, duhej të shkoja nëpërmjet atyre ingranazheve.
4.Shkova në sallën e pranimit, prita radhën, dorëzova rekomandimin e ambulancës së specilaiteteve dhe, pas disa minuta taktukesh në tastierën e kompjuterit, nëpunësja më dha mbrapsht, rekomandimin, dy fatura dhe porosinë të shkoja tek një ndërtesë dykatëshe (pas gjashtëkatëshit) të vizitohesha (!)
5.Nëpër diellin përvëlues, pas disa kërkimesh e pyetjesh, e gjeta ndërtesën. Hyra brenda dhe u ndesha me tabelën “Recepsion”. Po ky, thashë me vete, për çfarë duhet?”. Zura radhën dhe, pasi dorëzova letrat që kisha në dorë, nëpunësja (përsëri taktuke tastiere) më dha njërën nga faturat, bashkë me rekomandimin dhe më këshilloi të ngjitesha në katin e dytë, për t’u vizituar (!?).
6.U ngjita dhe ndesha në një mizëri njerëzish, hallexhinj si puna ime, që, duke fshirë djersët çurk, prisnin radhën për specialitete të ndryshme. Me të pyetur e gjeta derën që më ishte rekomanduar dhe prita në radhë, edhe unë i mbuluar në djersë. Qëndroja në këmbë, pasi, dy karrige që ishin aty, ishin zënë nga dy gra të moshuara. Kur më erdhi radha, hyra brenda dhe mjekja, pasi më pa, më dha një letër dhe më porositi të shkoja tek dhoma e aparatit, nga isha nisur.
7.Dola jashtë. Pasi mbarova një pako me facoleta letre të njomura nga djersa, kërkova nëpër oborrin e spitalit ndonjë nga ata aparatet ku futet një monedhë dhe nxirret një shishe ujë, ndonjë pako me facoleta, apo ndonjë send tjetër “të ndihmës së shpejtë”. Nuk gjeta gjikundi. U detyrova të përdor rezervën e fundit, shaminë për të fshirë djersën, ndërsa gjuha më ishte tharë. Shkova tek dhoma e aparatit, u vizitova dhe, mjekja më dha një letër duke më porositur të shkoja përsëri atje ku ma kishin dhënë letrën përpara se të vija tek ajo. Desh më ra pika. “Sërish, mendova, do të përshkoj gjithë oborrin e spitalit, nëpër diell, për të shkuar tek mjekja paraardhëse?” Mjekja që më vizitoi me aparat, mesa duket e pikasi tmerrin në fytyrën time të mbuluar nga djersa, prandaj më mëshiroi dhe ma dha vetë (në kundërshtim me “rregullin” e vendosur) një recetë.
8.Meqenëse mjekja e ambulancës së specialiteteve më kishte porositur që, pasi të vizitohesha të kthehesha përsëri tek ajo, shkova sërish në ambulancë. Ajo ma miratoi recetën e dhënë në spital dhe më dorëzoi gjysmën e rekomandimit që më kishte dhënë mjeku i familjes, duke më porositur të shkoja sërish te mjeku që ma kishte dhënë për të më bërë recetën “zyrtare” të rimbursueshme, ose jo.
9.Shkova te mjeku i familjes, bëra veprimet përkatëse dhe mora mjekimin.
Ja, Z. Ministër, kjo shtë “odiseja” ime gjatë një dite të tërë, për një pomadë 5 gr gjithsej. Mua nuk më duket sorollatje e vogël, po juve si ju duket?
Me respekt,
Guri Shyti, veteran
