Z.Shpëtim Idrizi, në këto pak rreshta po mundohem t’iu shfaq mendimin tim qytetar, intelektual dhe rinor. Është e drejta Juaj ta merrni në konsideratë atë, apo jo. Çështja çame është mjaft delikate. Krijon, sa herë flitet për të, mjaft alergji, jo vetëm matanë kufirit të jugut të vendit tonë, por edhe brenda Shqipërisë, e madje edhe në radhët e politikës sonë.
Ju ndoshta nuk e dini, por po ua them për herë të parë Juve dhe të tjerëve publikisht, se jam ndër individët të cilët “urtë, butë e pa u ndier aspak” ju kam dhënë një ndihmë të vogël në Shkodër, që të merrnit ca vota më shumë. E kam bërë jo për Ju, as për drejtuesit Tuaj në Shkodër, por për hir të kauzës çame. Kështu bashkë me mua kanë vepruar edhe mjaft të tjerë, duke dhënë kontributin jo për Ju si individ, po për hir të çështjes çame. Patëm shpresa se diç do mund të bëhet, kur Ju dhe subjekti Juaj të merrnit pjesë në skenën politike shqiptare.
Si është realiteti sot? Asgjë prej gjëje s’keni bërë. Çamëve që jetojnë në Shqipëri, kryesisht në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme, nuk u hynë në sy ca emërime rrugësh dhe ca sherre patetike për buste. Edhe pse këto kanë disi vlerat e veta, por që gjithsesi Ju nuk jeni aty për kaq pak gjëra. Jeni votuar për të zgjidhur çështjen çame. Ndaj, boll më me patetizma. O jepini drejtim kësaj çështjeje që të fillojë hapat e zgjidhjes së saj dhe vendosjes në vend të fakteve historike, ose ikni nga politika.
Ishit një politikan i thjeshtë, u veçuat për një kauzë. E kur kjo nuk realizohet duhet të hapni rrugë. Përndryshe nuk ka më asnjë dyshim, se Ju, ashtu si shumë të tjerë në politikë, keni ardhur për të “vjelë” sa të mundni nga taksat e shqiptarëve, nga pazaret e pista, apo nga fëlliqësi të tjera, që e kanë shoqëruar politikën tonë në këto 22 vite demokraci. Boll më, jepni drejtim punëve! O Zgjidhje të çështjes çame, ose qërohuni tutje!
Redan Bushati
Këshilli studentor Shkodër

E mer Idriz e merr vesht cfare ka shkruar djali? Ka vjedh ca vota nga socialistet ose nga imigrantet qe nuk qene fare neShqiperi e ua ka shtuar juve. Keshtu besoj kane bere edhe ca “patriote” ne Tropoje qe nuk dine nga bie Cameria. Por harram votat shtese te ketij djali e te tjereve.