I nderuar z.Thano
Ekranin e televizorit e pushtonte Berisha sa u bë i neveritshëm, po kështu po ben edhe Rama; një rrugë fshati Berisha e inaguronte tre here, ndërsa tapitë e Ramës u shndërruan në një gjë komike; Berisha në kohën e qeverisjes së tij e vendoste Shqipërinë, për nga ritmet e zhvillimit pas Gjermanisë, kurse Rama e pikturon Shqipërinë në mediat e huaja si një perlë të lakmuar dhe të dyndur nga italianët për punësim. Ngjashmëri mes tyre gjen pa fund, madje deri te masa e kursimeve ne librezat bankare, te pozat plot autoritet dhe didaktik, te një lloj dinakërie për t’ju fshehur përgjegjësive, etj.
Ndryshimi mes tyre qëndron në atë që Berisha e vrau shpresën e shqiptarëve në atë masë sa nuk ka më rinjgjallje, ndërsa populli me Ramën ka ende një fije shprese që nuk ka vdekur.
Kur flasim për berishizmin nuk kemi të bejmë me një doktrinë apo rrymë filozofike, por thjeshtë me një rrumpallë qeverisëse, të drejtuar nga ligjet e xhunglës, nga sistemet korruptive, nga mafia, prapaskenat dhe kurthet, të cilat e katandisën Shqipërinë në prag falimentimi.
Rruga e vetme për ta përballuar berishizmin eshte ballafaqimi me ligjin, konfiksimi i pasurive të pajustifikuara, ndërprerja e rrjeteve korruptive. Dhe kjo nuk bëhet duke recituar vjersha në parlament nga “lepurushat socialistë”, siç i quan Berisha, por me burrëri, guxim dhe me duar të pastra.
Letër e nënshkruar
Agron Berdaj
