Letër Kryeredaktorit

redaktor

I nderuari zoti kryeredaktor Ardian Thano! Jemi një grup veteranësh, anëtarë të kryesisë së komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Vlorës, lexues të rregullt të gazetës tuaj “DITA” që duam të përgëzojmë juve, stafin e Redaksisë dhe gazetarët tuaj për punën serioze që bëni me këtë gazetë.

Duam t`ju shprehim vlerësimin tonë të lartë për boshtin atdhetar që e përshkon këtë gazetë dhe për cilësinë, objektivitetin e vërtetësinë e shkrimeve që e bëjnë gazetën shumë tërheqëse e shumë të lexueshme. Përshëndesim burrërinë, guximin e atdhetarizmin e flaktë që tregoni në shkrimet tuaja për mbrojtjen e kombit tonë e të epopesë së LANÇ. Pikërisht këto gjëra e kanë bërë gazetën tuaj shumë të dashur për lexuesit e veçanërisht për ne veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e LANÇ.

Gazeta DITA, jo vetëm shkruan me vërtetësi e argumente për ngjarjet e ndodhitë e sotme në vendin tonë, por stigmatizon hapur, pa frikë e ndrojtje politikanët tanë për bëmat e tyre të mbrapshta e të papërgjegjshme, duke shkatërruar e katandisur vendin në ditë të hallit gjatë këtyre 25 vjetëve të këtij tranzicioni famëkeq.

Ne përgëzojmë me shpirt gazetarët tuaj luftarakë, veçanërisht Bedri Islamin, Xhevdet Shehun, Viktor Malajn e të tjerë që i fshikullojnë me guxim të korruptuarit, hajdutët e kriminelët të cilido krahu qofshin dhe veçanërisht Sali Berishën e ministrat e qeverisë së tij që u pasuruan me pronën e popullit e të shtetit dhe që i vunë kazmën Shqipërisë, duke mos u ngopur me poshtërsitë tronditëse që i kanë shkaktuar këtij vendi.

Me kënaqësi kemi lexuar edhe librin e Xhevdetit “Prapaskenat”, në të cilin kemi gjetur edhe gjëra të panjohura që na kanë lënë mbresa. Po kështu, shkrimin brilant të Bedriut “Teoria zero e çeku i bardhë”. Në këtë shkrim ai i ka vënë pikën mbi “i” të injektuar nga njerëz të politikës së mërguar, nga “Mërgata e qyqeve”, siç e ka titulluar librin e tij i mirënjohuri Nasho Jorgaqi.

PD e mori pushtetin për të shkatërruar Shqipërinë nga themelet që të mos i ngelej as nam e as nishan, që nga gjuha shqipe e deri në ringritjen e kriminelëve të luftës në piedestal, duke i bërë atdhetarë të mëdhenj e duke prishur e shkatërruar dhjetëra institucione shkencore të ndërtuara në sistemin e mëparshëm me aq mund e djersë dhe deri te sjellja në skenën politike të një tabori të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, duke ngritur një sistem mafioz për të sunduar më lehtë.

Ne veteranët e LANÇ që luftuam rreth 4 vjet kundër dy pushtuesve më të egër nazifashistë derisa e çliruam vendin dhe pastaj, një jetë të tëre punuam për rindërtimin e ndërtuam, duke e nxjerrë Shqipërinë nga gjendja e mjeruar e duke e ngritur në stadin e një vendi të zhvilluar bashkëkohor në të gjitha fushat, jemi shumë të trishtuar për shkatërrimin e të gjitha atyre objekteve të rëndësishme industriale, bujqësore, kulturore etj. duke i hedhur njerëzit në rrugë pa asnjë të ardhme.

Na trishton edhe fakti që dekorohen e shpërblehen me para kriminelët e tradhtarët, të dënuar me të drejtë për krime e tradhti ndaj popullit, duke u quajtur të përndjekur politikë, ndërsa dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut ua hoqën edhe një 5000 lekësh që merrnin familjarët e tyre dhe janë lënë në harresa, duke u prishur e dhe varrezat e lapidarët e tyre, ashtu siç jemi lënë në hije edhe ne veteranët.

Prandaj e falënderojmë gazetën DITA sepse ngre zërin në mbrojtjen e vendit nga politikat shkatërruese të ndjekura nga forcat e ekstremiste kryesisht të djathta dhe nga grabitja e babëzitur e mafiozëve, nga korrupsioni e padrejtësia e gjyqtarëve të korruptuar.

Ne veteranët e Vlorës do t`i mirëprisnim me dëshirë të madhe gazetarët tuaj si Bedri Islamin, Viktor Malajn, Xhevdet Shehun e të tjerë, si dhe vetë juve, i nderuari kryeredaktor nëse mund të gjenit mundësinë për të bërë ndonjë takim me ne këtu në kryesinë e komitetit të veteranëve nëm Vlorë për t`u njohur e për të biseduar nga afër e drejtpërdrejt.

Përshëndetje e urime për mbarësi në punën tuaj.

Një grup veteranësh të LANÇ Vlorë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *