Nga Kliton Nesturi
Shpesh mendoj dhe ulem të shkruaj për ty! Mendoj shumë e shumë gjëra, se ç’ka ndodhur për kaq e kaq kohë, në jetën tonë, mes nesh. Ndër mend më vijnë mjaft kujtime dhe mbresa, por që të shkruaj për ty, qenka shumë e vështirë. E vështirë, jo se nuk ka se ka mbetur asnjë gjurmë dhe nuk se çfarë të shkruhet, por, janë aq shumë, sa që shpesh më mundon pyetja se, a mund të shkruhen të gjitha. Për më tepër, se çfarë duhet të shkruhet dhe se çfarë duhet të mbyllet në arkivat e shpirtit. Ajo që nuk dua të besoj ende se ka ndodhur, është ndarja jote, ikja jote aq e papritur dhe mizore. Çdo gjë vërtitet e pështillet në mënyrë të mistershme, e njëjtë si nën tingujt e “Enigmës”. Çdo tingull i saj është kumbim shprese, përçimi dhe misteri, zë që del nga fundi i tokës dhe ngjitet lart, shumë lart, një udhëtim nga drita drejt errësirës dhe anasjelltas.
Sinqerisht, dua të shkruaj për ty, por qenka tepër, tepër, tepër e vështirë. Psherëtij, mbyll sytë dhe tund kokën lehtë. E pamundur, që ti të kesh shkuar! Ti më shfaqesh përpara syve, ashtu si përherë, energjik, buzagaz, plot jetë. Ndaj e kam të vështirë të shkruaj për ty, pasi ikja më duket e pabesueshme. Kush dreqin e shpiku ikjen, vdekjen? Nënën, ku ta ketë!…
Kam dëgjuar shpesh se, “Zoti i merr gjithnjë të mirët shpejt, pranë vetes, ndërsa të tjerët i lë të jetojnë gjatë!” Nëse është kështu, Zoti na qenka një batakçi egoist që mendon vetëm për vete, ndërsa ne të tjerëve na lë në mëshirë të fatit, në dorë të hajdutëve, injorantëve dhe maskarenjve të cilën drejtojnë botën, jetën tonë. Ai na i largon prej vetes ata që i duam, duke na katandisur si fillikatë në shkretëtirë. Njësoj si ai gjykatësi apo oficeri i togës së pushkatimit, që vazhdimisht jep urdhër se kush duhet të pushkatohet. Nëse është kështu, kjo është padrejtësia më e madhe, të cilën nuk ka gjyq e gjykatës që ta zgjidhë. Unë nuk besoj te Zoti! Unë besoj te Njeriu, te Miku. Për mua, miku është më i shenjti, për të cilin kurrë nuk këndoj “Rekuiemin”, “Ave Marian”, apo ndonjë gjë tjetër të ngjashme. Miku është jeta, gëzimi, hareja, shpirti që vuan bashkë me mua përballë sfidave dhe padrejtësive që na ofron jeta. Miku është i prekshmi, i ndjeshmi, është pika e lotit të sinqertë që e shoh tek qesh e qan me mua. Po të besoja tek Zoti, nuk do të kisha se çfarë t’i thosha atij kur më merr Mikun dhe kërkon të mposhtë Njeriun duke u përpjekur që ta lërë atë fillikat.
Për ty, nuk dua të shkruaj për vdekjen, por për Pavdekësinë. Ti e meriton Pavdekësinë, njësoj si kënga që mbetet e bukur në të gjitha kohët, si fjala e shkruar që nuk fshihet kurrë, si uji, si drita, si ajri. Është e lehtë të thuash fjalë të përgjithshme, por jo për ty. Ti ishe dhe mbetesh i veçantë, një etalon nga i cili gjithnjë unë kthej vështrimin. Ti e deshe jetën, dashurinë, familjen, miqtë, punën, veten tënde, çdo gjë të bukur që të jep forcë dhe të ngjall shpresë në këtë botë të egër, në këtë realitet mizor. Përballë sfidave të panumërta, ti nuk u dorëzove kurrë, madje edhe atëherë kur pabesisht, t’i ngulnin thikat pas shpine. Gjithnjë për ty, kishte dritë në fund të tunelit.
Mendoj shpesh se, thjesht je harruar mes punëve të tua të përditshme. “Ja, sa ta mbyll edhe këtë, dhe pastaj takohemi, shihemi, ulemi se na ka marrë malli!” Kam kohë pa shkuar tek “Noeli”. Sa herë që do të ulem aty, do të të pres, sepse e di që do të vish të qeshim fort dhe të bëjmë shaka nga më të ndryshmet. Do të të pres që sërish t’i japësh më shumë kuptim jetë sonë. Ej, nuk mund t’i japim më shumë dhimbje jetës.
Ikjet e miqve janë më të trishtat. As në ëndrrat e mia më të këqia dhe as në mendimet e trishta në kohërat e liga, nuk shoh dhe nuk mendoj ikjen e miqve të mi… Fjala e fundit që përherë shkëmbej me ta është “Mirupafshim!” dhe kurrë nuk belbëzoj “Lamtumirë!”… Kështu, edhe për ty, mik i shtrenjtë, i bukur dhe plot jetë. Ti thjesht ke ikur për sfidën e rradhës. “Takohemi tek Noeli!”. Do të ulemi sërish dhe do të pimë verën e kuqe, apo rakinë, që do të na sjellë Miri apo Maja! Dhe po u vonove,unë do të të pres!…
