Letër nga burgu: Kjo është drama ime

anazapta

Përshëndetje DITA. Unë quhem Romeo Koçaj dhe aktualisht ndodhem prapa perdes së hekurt të burgut duke vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia për një vrasje të imponuar në kushtet dhe rrethanat e vetëmbrojtjes së detyruar. Ngjarja ndodhi në nëntor të vitit 1997, kur Shqipëria ishte përfshirë nga kaosi pas ngjarjeve që ndodhën si shkak i firmave piramidale të falimentuara dhe revoltave popullore që sollën rënien e qeverisë dhe shkatërrimin e institucioneve.

Unë kam mbaruar arsimin e lartë policor dhe jam diplomuar si një kuadro i përgatitur për të ndjekur, zbuluar e luftuar krimin. Kam punuar për 10 vjet në radhët e organeve të rendit duke shërbyer me përkushtim e devotshmëri të lartë, duke rrezikuar shpeshherë edhe jetën në shërbim të atdheut. Pas zgjedhjeve politike të qershorit të vitit 1997 në pushtet erdhi Partia Socialiste, e cila e gjeti Shqipërinë të shkatërruar, pa institucione, të mbuluar nga kaosi e krimi. Bandat e rrugës bënin ligjin dhe kontrollonin akset kryesore të rrugëve. Duhej shumë punë dhe sacrifice që shteti të ngrihej sërish në kollonat e ligjit. E para ishte rendi dhe siguria publike, ku policët e asaj kohe, sakrifikuan edhe jetën e tyre për t’u kthyer qytetarëve qetësinë dhe sigurinë e munguar.

Njëri prej tyre isha dhe unë, Romeo Koçaj, që kisha vetëm pak kohë që kisha krijuar familje dhe punoja e jetoja në Tiranë, ku bëja një jetë modeste, të ngritur me djersë, mund e sakrificë. Punoja në organet e rendit, ku gabimisht këtë uniformë e veshën shumë element joprofesionistë, e të pa shkolluar. Ngjarjet tragjike të vitit 1997 shkaktuan për pasojë shumë drama e tragjedi mbi popullatën e pambrojtur civile. Pati shumë vrasje, grabitje, gjobëvenie, ku nuk u kursyen as gra e fëmijë, pleq e të rinj, biznese e aktivitete ekonomike. Shumë punonjës policie humbën jetën në përballje me krimin e rrugës dhe bandat, shumë të tjerë u plagosën apo ranë preh e gjakmarrjes për t’i shërbyer shtetit, i cili ishte i pafuqishëm për t’u mbrojtur.

Unë, rashë viktimë e dhunës së një ish-kolegu, i cili gabimisht kishte veshur uniformën e ruajtjes së rendit. Një njeri impulsiv, i cili nuk kontrollonte dot veten, me mungesë të theksuar kulture e civilizimi, i dhunshëm e agresiv, më sulmoi me armë dhe tentoi të më rrëmbejë armën. Në përleshje e sipër, në kushtet dhe rrethanat e detyrueshme të vetëmbrojtjes, arma shkrepi një fishek të vetëm dhe agresori mbeti i vrarë. Ishte një krim i imponuar nga rrethanat dhe pa asnjë paramendim dhe keqdashje nga ana ime. Pas ngjarjes u detyrova të marr familjen dhe të largohem për t’u ngujuar për vite me radhë nga frika e gjakmarrjes.

Në shkelje të procedurave të hetimit e gjykimit, pa marrë parasysh as rrethanat, as faktet dhe as dëshmitarët okularë të ngjarjes, gjykata më dënoi në mungesë me 16 vjet privim nga liria. Unë doja t’i dorëzohesha policies dhe drejtësisë, por cilës drejtësi? Drejtësia ishte e blerë nga krimi. Personeli i punësuar në institucionet e vuajtes së dënimitishte i korruptuar dhe unë nuk kasha asnjë siguri për jetën. Gjatë kohës që qëndroja i ngujuar nën një presion dhe ankth psikologjik nga vdekja që ruante në heshtje e mister, erdhën në jetë njëri pas tjetrit tre fëmijë, të cilët do të rriteshin të traumatizuar e të terrorizuar, të braktisur nga shteti dhe shoqëria, pa asnjë përkrahje ekonomike e sociale. Fëmijët e mi do të rriteshin pa liri e të drejta sifëmijët e tjerë, të privuar nga shoqëria e bashkëmoshatarëve e lodrat e fëmijërisë, duke mbajtur frymën me lëmoshët e të afërmve, me ëndrra e shpresa të vrara nga kanuni që i terrorizonte, aq sa nuk guxonin të nxirrnin as kokën në dritare.

Po ku është shteti dhe dora e hekurt e tij? Unë dhe shumë ish-kolegë të mi që u sakrifikuam për t’i kthyer autoritetin shtetit tashmë ndihemi dhe jemi të braktisur. Shteti ishte inekzistent, ai bashkëjetonte me kanunin e Maleve, i cili tashmë kish edhe përfaqësues të organizuar për pajtimin e gjaqeve, një pjesë e të cilëve e kishin edhe mënyrë përfitimi. Unë dhe shokët e mi, sëbashku me familjet dhe fëmijët tanë, jetonim të ngujuar nën një mjerim të thellë ekonomik, të braktisur e të harruar, pa shpresë, nën hijen e ankthit të vdekjes, pa të nesërme e të ardhme. Jetonim me fëmijët e pangrënë, të pa shkolluar, fëmijë pa fëmijëri, që trauma do t’i shoqërojë deri në fund të jetës së tyre. Kjo vetëm e vetëm, pse babai i tyre u sakrifikua për shtetin që e braktisi në mjerim. Po çfarë bëri shteti e shoqëria për këtë pjesë të sajën që i shërbeu me devotshmëri? Asgjë. Shoqëria jonë kërkon të jetë pjesë e Europës së bashkuar, kërkon të integrohet në shoqërinë moderne dhe institucionet e saj, por a na pranon vallë Europa ne me gjithë këto plagë shoqërore?!

Një vend ku krimi dhe gjakmarrja s’e përfill shtetin dhe ligjin, ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut shkelen e s’respektohen, ku ligji është vetëm me të fortin, ku të drejtat e fëmijëve janë vetëm të shkruara në letër, ku grate dhe vajzat vriten dhe dhunohen, ku zoti i pronës bëhet më i forti. E pra, e shkruajta këtë letër që është një dramë tragjike jo vetëm për mua dhe shokët e mi, familjet dhe fëmijët e tyre, por për shumë familje shqiptare të cilat jetojnë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes dhe e Kanunit, që shoqëria jonë, shteti dhe institucionet e tij të ligjit, të mos i lënë të harruar e të braktisur në mjerimin e tyre. Por t’u zgjasë dorën e mbrojtjes e të kujdesit atyre familjarëve dhe fëmijëve të tyre në emër të së drejtës së jetës, të ligjit, të paqes, në emër të humanizimit njerëzor e shoqëror, që vërtet ne të integrohemi në bashkësinë europiane duke qenë dinjitozë e të barabartë me popujt e tjerë perëndimorë, në liri e të drejta, në mirëqënie e siguri për jetën dhe pronën.

 

Me respekt, Romeo Koçaj

Share This Article
2 Comments
  • ME SA DI UNE KUR DENOHESH NE MUNGESE ,,MUND TE KERKOSH TE RIBEHET PRAPE GJYQI, NGA E PARA, KESHTU QE MUND TE SJELLESH PROVA EDHE FAKTE OSE DESHMITARE PER TE VERTETUAR PAFAJESINE,,,,,,,,,,,,,,,,,GJITHSESI LIRIM DHE KTHIM SA ME TE SHPEJTE PRANE FAMILJES,,,,,,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *