Z.Gazmend Dibra! Të pashë duke dhënë lëmoshë! Sa turp sinqerisht për një kandidat për deputet, të cilin e kandidon partia në pushtet! Një drejtues i lartë i Ministrisë së Drejtësisë dhe nr.1 i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shpërndan ushqime, që këta njerëz ta mbajnë frymën gjallë deri ditën e zgjedhjeve, sa t’ua marrësh votat, pastaj kalova lumin të dhjefsha kalin, dhe as që do të kujtohesh më për ta, siç nuk do të kujtoheshe as për mijëra të burgosur ku ke luajt bixhoz me hallet tona që kemi pasur. Ti, Gazmend Dibra, unë mendoj se je tepër i korruptuar dhe këtë ta kam thënë edhe me letrat personale që të kam dërguar. E them këtë, pasi të njoh bajagi mirë si në marrëdhënie me mua si dhe me të burgosur të tjerë. E them se je i korruptuar, pasi çdo transferim është bërë nga ti, pasi ti je paguar për transferimin. Nëse nuk je paguar ti, duhet ta harrojë cilido i burgosur afrimin pranë familjes, pavarësisht se ligji ta detyron ty që ta bësh; dhe kur vonohej përgjigjja merrnim në telefon 0422714370 Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku të del një zë femre që herë me arrogancë dhe herë me xhentilesë, pasi e merr vesh kërkesën të sugjeron: dërgoni një familjar që ta takoj drejtorin, Gazin, pasi është burrë i mirë dhe do t’ju kryej punë! Kjo do të thotë se duhet ta takoni drejtorin që të paguani nëse doni të transferoheni.
Faktin e freskët e kam në dhomë, një të dënuar nga Dibra që ligjërisht i takon të jetë afër familjes dhe pikërisht në burgun e Burrelit, por megjithë kërkesat që ka bërë nuk është afruar afër familjes. Konkretisht, para rreth një muaji, ky i dënuar merr në telefon Drejtorinë e Përgjithshme dhe si zakonisht del në anën tjetër të telefonit e zakonshmja sekretare, e cila i sugjeron një takim të një familjari me z.Gazmend Dibra. Çfarë duhet kjo, kur kërkesa është në duart e drejtor Gazit? Tepër i çuditshëm orientimi i sekretares! A e din ligjin z.Gazmend?
Mua si qytetar, si votues dhe sidomos si anëtar i Partisë Demokratike qysh në vitin 1990, më çudisin dy gjëra: e para është ku i ka marrë këto lekë Gazmend Dibra, i cili ka hap magazinë ushqimore me shumicë? A i ka paguar taksat e këtyre ushqimeve tek tatim-taksat? A janë parë djersë, punë të ndershme, apo janë paret e pista të cilat përdoren nga Gazmend Dibra? Dikush duhet të shqetësohet për këtë veprim të Gazmend Dibrës. Si ka mundësi që ky xhentëlmen ka kaq para për të fal duke i ftuar qytetarët që të marrin falas ushqime? Përse nuk është kujtuar ndonjëherë për ne të burgosurit që na mungojnë ilaçet të cilat detyrohemi t’i blejmë vetë nga familjet tona (dhe ky zotëri e din fort mirë këtë mungesë ilaçesh), prandaj duhej të ndante një pjesë të kësaj pasurie që paska, pasi vërtet do të bënte një punë shumë të mirë dhe tepër humane dhe pastaj do të kishte të gjithë të drejtën e Zotit të kërkonte votat tona dhe të familjeve tona.
Por, kur për t’ja afruar familjarin në një burg afër shtëpisë, duhej t’i paguaje Gazmend Dibrës, që të afroheshe më pranë familjes. Si kujton Gazmendi, për budallenj na merr ne dhe familjet tona? Tjetra që mua më shqetëson shumë bile është: a jeton Gazmend Dibra në Shqipëri?
A e din ky zotëri se sa fyese është për një popull t’u japësh LËMOSH për t’u blerë votën? Po mbas 15 ditësh çfarë do të hanë këta njerëz? Pasi, siç pretendon z.Gazmend, do të fitoj prapë PD-ja; a e ka menduar ky zotëri se kush do të ndaj ndihma mbas datës 23 qershor? Përse e pranon faktin e të qenit në ditë të hallit populli shqiptar, z.Gazmend? Dhe nëse është kështu, nga ka ardhur ky fukarallëk? Sa faj ka z.Gazmend për këtë situatë? Si e pranon PD-ja një veprim të tillë? A ka gja ma fyese për qeverinë në drejtim, se sa të dalin kandidatët për deputet dhe të japin lëmosh për popullin nga frika se do të vdesin para se t’ua marrin votat? Sa turp!!
Të ka ngel edhe një gjë Gazmend Dibra: të hapësh edhe një mensë. Të sugjeroj të hapësh një mensë ku të ndash supë të paktën ditën e zgjedhjeve, pasi ke gjithë ato firma biznesi të cilave ua ke pas dhanë tenderët e furnizimit me ushqime të burgjeve, edhe sot ne na vjen buka me qese plastike që absolutisht nuk lejohet. Por sa gjëra që i ke bërë mbrapsht ti në sistemin e burgjeve do të duhet të kaloj kohë të riparohen. E rëndësishme është që ti na u hoqe qafe. Këtë e dimë ne që të njohim, se ata që ty nuk të njohin të blejnë shtrenjtë. Por të siguroj se shumë prej atyre që ke për rreth të njohin, por janë të detyruar t’i thonë derrit daj. Prandaj nuk të bën fajde asgja, prandaj ma mirë mos prish punë me shfaqjen tate në televizor.
Sinqerisht, Bajram Mustafaj
Burgu Shënkoll
