Letër nga një boboshtar

anazapta

Si Boboshtar i lindur dhe rritur  në Boboshticë deri në moshën 21 vjeç kam dëgjuar e mësuar shumë nga babai im. Ka qenë burrë i mënçur dhe i dëgjohej fjala, jo vetëm nga të vegjëlit por dhe nga më të mëdhejtë se ai në moshë. Quhej Petraq Gjermani, ka qënë kryeplak i fshatit për shumë kohë dhe administrator i dy manastireve që kishte Boboshtica  atë të Shën Mërisë dhe Shën Kollit.

Në territorin e Shën Mërisë ndodhen disa varre të të parëve tanë boboshtarë, të varrosur atje para vitit  1900 e pak më vonë. Por atje nuk ka asnjë varr të ushtarëve grek të varrosur në vitet 1940-1941. Ndaj nuk ka arsye përse të ngrihet memorial  atje në nder të “të rënëve grekë në luftë”.

Në asnjë rast nuk ka folur as babai as të moshuarit e tjerë për ushtarë të huaj të varrosur në fshatin tonë. Në Boboshticë nuk është zhvilluarë asnjë betejë midisë Greqisë e Italisë. Në 3 Prill 1944 fshati është djegur nga ballistët dhe gjermanët duke vrarë edhe 4 fshatarë të moshuar. As në këtë rast nuk ka patur ndonjë viktimë ushtar të huaj, kështu që nuk ka përse të ketë të varrosur të tillë në Boboshticë.

Është fati im që të shkollohesha  si ushtarak në Akademinë Ushtarake dhe në të kemi studjuar me imtësi lufëtrat në përgjithësi, por në veçanti  luftën e dytë botërore. Në shkollë nuk kam patur asnjë rast ku të flitej  për beteja të zhvilluara ndërmjet Grekëve dhe Italianëve në fshatin tonë Boboshticë.  Kështu që nuk ka as të rënë lufte atje.

Përsa i përket qënies sonë “grekë” unë Andrea Petraq Gjermani  e hedh këtë poshtë me neveri dhe përbuzje. Ne vërtet jemi një fshat ortodoks  por kjo nuk do të thotë që jemi grekë. Po shtroj një pyetje: po serbët, rumunët, bullgarët, etj që janë ortodoksë dhe rrojnë në vendet e tyre, mos vallë dhe këta janë grekë?!

Boboshtica është edhe larg kufirit me Greqinë. Në fshatin tonë ishte ndonjë i rrallë që dinte greqisht. Boboshtarët në kurbet shkonin në Rumani, në Sh.B.A, dhe më pak në Bullgari. Nuk shkonin në Greqi. Vetëm në Rumani mendohet se në vitet 1900-1920 emigruanë 120 familje boboshtare. Në një emision televiziv para pak kohësh  midis shumë vetëve që e mohuanë qënien grek doli dhe një që unë nuk e njihja i cili u shpreh se “ne jemi grekë”. Turp! Duhet të jetë i ardhur e jo boboshtar!

Me respekt për Ditën, Andrea Petraq Gjermani, Ushtarak në pension

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *