Letër patriotëve të Facebook-ut

redaktor

Nga Sali Bytyçi

 

Juve, patriotë të Facebook-ut, e kam fjalën për ju që dikur bëtë diçka për Kosovën – bij legjitimë të baballarëve autoritarë e të egër -, që me qumështin e nënës e thithët edhe nënshtrimin ndaj Autoritetit e, siç po shihet, edhe do t’ju mbulojë dheu të frikësuar nga ai, por edhe kur ju mungon ky Autoritet, ju për t’iu nënshtruar përunjësisht atij, e sajoni nga hiçi, po ju drejtoj këtë letër.

Para disa ditësh bëra një shkrim ku tregova çfarë është Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës dhe kush janë akademikët e saj, ju tregova gjendjen reale aty. Prej  atyre që thashë askush nuk mundi të heqë as edhe një presje. Por, siç duket, pasi nuk mundi t’i heqë kush asnjë presje, më lehtë ishte të harrohej i tërë shkrimi! Thashë se aty ka edhe njerëz që e fyejnë qenien shqiptare! Ashtu siç e ka fyer qenien shqiptare ndonjëri prej akademikëve të Kosovës, nuk e ka fyer asnjë krijues i Serbisë, nga viti 1945 e këndej! Të tilla fyerje çfarë i bën popullit shqiptar një akademik i Kosovës nuk mund t’i gjeni kurrë as te Qosiqi, as te Drashkoviqi, po ju as që denjuat të pyesnit kush është ai! Po kur një hoxhë i pavlerë, në ndonjë xhami, edhe në fund të Kosovës qoftë, flet diçka kundër shqiptarëve, ngriheni në kor, ndërsa për akademikun, edhe kur ju tregoj unë, heshtni si qyqet n’rrem!!!

Ju, patriotë të facebook-ut, që entuziazmoheni me letrën e një sharlatani dërguar myslimanëve të facebook-ut, a e dini kush është Oliver Schmitt dhe përse është pranuar anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Përveç arsyeve të tjera, edhe sepse në librat e tij “historikë” për Kosovën dhe shqiptarët, i mbron edhe këto teori:

  1. Skënderbeun është një hajdut ordiner, që nuk ka luftuar për ndonjë ideal, po për hakmarrje personale;
  2. Që në ish-Jugosllavi nuk kishte shqiptarë deri në kohën e Titos, dhe se pasi u hapën shkollat shqipe në këtë kohë, u krijuan shqiptarët këtu;
  3. Se lufta e UÇK-së 1998-1999, nuk ishte luftë për çlirimin e Kosovës, po luftë e katundarisë kundër qytatarisë.

Dhe, mbi të gjitha, se në librat e tij “historikë” çështjen e Kosovës e sheh përmes prizmit serb.

Nuk kishte një tjetër historian nga Evropa të pranohej anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovë, po pikërisht Schmitti?! Rastësisht kjo akademi e mori në gjirin e saj pikërisht këtë?!

Jo, patriotë të facebook-ut, asgjë rastësisht nuk ndodh, por se, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës duke pranuar në gjirin e saj Oliver J. Schmittin, ka zyrtarizuar pikëshikimin serb ndaj çështjes së Kosovës.

Të kthehemi edhe një herë tek letra e akademikut Mehmet Kraja drejtuar myslimanëve të facebook-ut, nga të cilët e sheh rrezikimin e qenies shqiptare ky akademik.

 

Për identitetin e shqiptarëve

Shqiptarët janë këta që janë dhe nuk janë ata që dikush do të jenë, po as ata që unë do të doja të ishin. Në këtë pikë të gjithë duhet të pajtohemi. Pra, shqiptarët e kanë identitetin e tyre, ai i cili është sot në realitet. Ky realitet do pranuar kështu siç është, po me përpjekjet të ndryshohet për mirë.

Përcaktimi i identitetit të shqiptarëve nga akademik Rexhep Qosja dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, edhe pse asnjëri prej tyre nuk është specialist në këtë fushë, e shpreh më së miri identitetin e sotëm te shqiptarëve, dhe identitetin drejt të cilit nesër do të shkojmë, po natyrshëm, pa fodullëk, pa dhunë. Ndikimi lindor për 5 shekuj mbi shqiptarët nuk mund të shuhet me një të rënë të shpatës!

Është fakt sot që shumica e popullit shqiptar i takon religjionit mysliman. Tani çfarë të bëjmë me këta shqiptarë që e kanë trashëguar këtë religjion? T’iu themi ta braktisin menjëherë? Ok. iu thamë ta braktisin! A është e mundur një gjë e tillë të ndodhë? T’u themi të rrinë në besimin islam po të mos i respektojnë ritet e këtij besimi? As të mos deklarohen të tillë? Si mund të ndodhë kjo? Nëse në këtë religjion kanë dalë edhe sekte ekstreme, tani t’u themi njerëzve brenda njëzet e katër orëve ta braktisin tërësisht religjionin?! Në radhë të parë, problemin më të madh këto sekte radikale po ua sjellin vetë myslimanëve normalë.

Po çfarë bën Mehmet Kraja?

Mehmet Kraja, ky akademik i facebook-ut, që rri shtrembër e flet “drejt”, me letrën dërguar myslimanëve të facebook-ut nuk bën përpjekje për të zgjidhur probleme, por për t’i ngatërruar  edhe më tej ato. Si? Duke iu drejtuar me një letër komunitetit, duke e fajësuar këtë komunitet për të gjitha të këqijat që ndodhin në Kosovë, ai bën thirrje për konfrontim të komuniteteve, e jo për zgjidhje të problemeve!

Për çështje të ndjeshme duhet diskutuar me shumë kujdes, jo me fodullëk!

 

Si zgjidhen problemet, a është Fb vendi?

Për zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilat na shqetësojnë të gjithëve, duhet nisur nga parime të qarta: Të gjitha religjionet janë të barabarta. Sektet ekstreme ndalohen me ligj, jo me luftë në facebok dhe me konfrontimin në mes komuniteteve.

Për ta konkretizuar këtë që thashë, mos përtoni ta lexoni rrëfimin në vazhdim.

Para disa vjetësh shumë bëhesha nervoz kur i shihja serbët nëpër rrugët e Prishtinës, më shumë në Fushë-Kosovë, në Graçanicë të gjithë, me tabela të paraluftës: PR, KM, GL etj. Sidomos gjatë ditëve të festave apo të protestave, i vëreja më shumë. Zihesha në vete. Kur dilja nga shtëpia për në punë, apo kur kthehesha nga puna, e shihja veturën e fqinjit serb me tabela PR, në skaj rruge, pa rrethojë fare, kurrë nuk i ndodhte asgjë. Binin përskaj policëve, po askush nuk i ngucte! Askush nuk reagonte! Çfarë të bëja unë? Të dilja ta sulmoja një serb me tabela të Serbisë dhe të shkoja në burg? Po një ditë çfarë ndodhi? Doli një vendim i Qeverisë së Kosovës se këto tabela kishin afat përdorimi deri në filan date. Në atë kohë, së paku një herë në javë i bija përmes Graçanicës (ligjëroja në Fakultetin e Edukimit në Gjilan), dhe me kureshtje prita datën e caktuar nga Qeveria e Kosovës, do ta respektojnë apo jo në Graçanicë, por dy javë para se të vinte ajo datë u zhdukën tabelat e ish-regjimit serb.

Çfarë desha të them me këtë, patriotë të facebook-ut? Desha të them se, ne si shqiptarë, duhet të përpiqemi të gjithë të krijojmë një shtet ligjor, i cili do të funksiononte sipas parimeve, e jo sipas tekave të pushtetarëve të korruptuar. E dini çfarë shteti do të ishte ai? Së paku si ai kroat, i cili e fut në burg edhe vetë kryeministrin! Shteti që e fut në burg për korrupsion edhe kryeministrin, ai e ka jo vetëm fuqinë, po edhe të drejtën të vërë ligj, pra të ndalojë individët që shkelin ligjin, po edhe grupacionet dhe sektet fundamentaliste! Në të kundërtën, klasat politike të korruptuara, për ta mbajtur pushtetin e tyre të bazuar në korrupsion, edhe po të mos ekzistonin këto sekte, do t’i krijonin që njerëzit, sidomos ata të papunët dhe të facebookut, të merreshin me to, ndërkaq ata, të korruptuarit, të ndiheshin të relaksuar në veprimtaritë korruptive të tyre. As Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk është për një shtet ligjor, sepse vetë është pjesë e shtetit të korruptuar. Ajo, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovë, në të cilën shumica kanë hyrë përmes politikës ose vazhdojnë edhe më tej të jenë pjesë e politikës, është aleatja më e ngushtë e klasës së korruptuar politike të Kosovës, është bashkëfajtore për të gjitha të këqijat që kanë ndodhur në Kosovë që nga 1999 e gjer më sot, prandaj edhe Letra e Mehmet Krajës drejtuar myslimanëve të facebokut me asgjë nuk del nga kjo linjë, po është në mbrojtje të klasës politike të korruptuar.

Më thoni ju, patriotë të facebokut, cili është mendimi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovë për:

– Asociacionin  e Komunave Serbe në Kosovë:

– Demarkacionin e Kosovës me Mal te Zi;

-Korrupsionin gjigand në Kosovë

-Gjykatën Speciale

Të gjithë e dinë se të gjitha këto që i përmenda janë të dëmshme për Kosovën, po Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, kjo dëmtuese e madhe e çështjes kombëtare shqiptare, asnjë fjalë kurrë nuk e tha, sepse është shumëfish e shitur: brenda – te klasa e degjeneruar politike dhe jashtë – Serbisë. Përndryshe, pse hesht Akademia, çfarë ia ka mbyllur gojën, këtë ma thoni ju, patriotë të facebook-ut, në mos të qenët dyfish e shitur!

 

Përfundim

Identiteti i shqiptarëve së pari është lëkundur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku bëhet përpjekje e mefshtë për të krijuar një identitet të ri të shqiptarëve të Kosovës. Si është bërë? Me përpjekjet për të krijuar një identitet të ri të shqiptarëve të Kosovës, me fyerjet që i bëhen qenies shqiptare nga akademikë që gjenden brenda Akademisë, me fyerjet që i bëhen nga një historian i huaj siç është Oliver Schmitt, i cili pikërisht për një gjë të tillë edhe është bërë anëtar i Akademisë, pastaj me përpjekjet për krijimin e një standardi të veçantë gjuhësor për këtë pjesë shqiptare, që prapëseprapë nuk është tërësi, po pjesë. Pra, koka e shkatërrimit të identitetit shqiptar duhet të kërkohet te Akademia e Shkencave e jo te sektet radikale islamike, ndërsa ato, sektet, janë bishti i zgjatur i ideologjisë shkatërruese që del nga kjo akademi. Kjo është arsyeja pse reagova ndaj Mehmet Krajës dhe jo për të mbrojtur sektet fundamentaliste islamike që janë paraqitur në Kosovë. Thuhet që peshku qelbet në kokë dhe rripet nga bishti, po në Kosovë qërimi duhet të fillojë nga koka, pra të fillohet nga klasa e korruptuar politike dhe aleatja e saj më e madhe, që është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës! Klasa e korruptuar politike  e Kosovës dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dh. në një çanak, ndaj pa rrënuar këtë klasë të korruptuar politike dhe me të edhe këtë akademi të degraduar, Kosova nuk mund të shohë kurrë ditë të mira.

Çfarë faktesh më të mëdha doni, përpos këtyre që i dhashë?

Këtë desha t’ju thosha juve, patriotëve të facebokut. Lëreni facebokun dhe shtrëngohuni për veprime reale, përndryshe kjo e keqe, ky kancer që na ka pllakosur, do të na shkatërrojë.

Shembulli i veturave të serbëve me tabela të ish-regjimit serb duhet t’ju thotë diçka: A kemi mundur së paku një serbi t’ia heqim një tabelë përreth një dekadë e gjysmë që i bartën ato tabela ata? Jo. Si mendoni së paku një fundamentalist islamik ta hiqni nga skena: do ta rrihni, do ta kërcënoni, do ta vrisni? Zgjidhet ndonjë problem me rrahje, me kërcënime, me vrasje? Jo. Atëherë filloni të mendoni dhe të veproni ndryshe. Prej njerëzve që kurrë nuk i dolën zot këtij populli, po edhe prej njerëzve që i shitën bythët e tyre me kohë, mos prisni kurrë asgjë të hairit për këtë popull.

Share This Article
2 Comments
  • Te lumte per artikullin qe ke shkruajtur, duke mare parasysh te gjitha veprimet ANTISHQIPTARE te kryera nga qeveria e Dardanise, dhe heshtjen e Akademise se Shkencave (Me perjashtim te Zotit QOSE) dhe jo Vetem per keto AKTE ANTISHQIPTARE , te gjitha keto qe ju pershkruani duhet te jene te gjitha te verteta. JEMI NDOSHTA KOMBI ME IDIOT , PERDERISA THIRREM NJE TE HUAJ TE NA SHKRUAJE HISTORINE E KOMBIT ( THUAJ SE KOMBIT SHQIPTAR I KANE SHTERRUR HISTORIANET DHE AKADEMIKET) DUHET TE NA VIJE TURP…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *