Letër e hapur Presidentes së Republikës së Kosovës
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga,
Po të drejtohem ty, sepse për Presidentin e Shqipërisë, nuk dua të harxhoj as frymën dhe as mendimet.
Nesër, sic është njoftuar Ju do të jeni në Tiranë për të nderuar
ngritjen e maozoleut të Ahmet Zogut dhe të zogollëve të tjerë.
Sigurisht kjo është zgjedhja Juaj personale. Por përpara se të bësh një gjë të tillë unë, si një qytetar i thjeshtë shqiptar, jo si politikan, as si deputet, unë sot dua të të sugjeroj që si një Presidente e një republike shqiptare, si një kryetare shteti, përpara se të përulesh para Ahmet Zogut, duhet t’i kërkosh leje Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit apo edhe priftit Gjon Gazulli.
Që të jem më i qartë, duhet të sqarosh pozicionin Tënd zonja Presidente e Republikës së Kosovës mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Avni Rustemit.
Meqenësë të gjithë shqiptarët i njohin të tre këta kalorës të shqiptarizmit, më lejoni t’ju informoj se i këtërti prifti Gjon Gazulli është edhe ai një emër i nderuar, që vinte nga një familje patriote mirditore, por që zogistët e varën në litar.
Pak ditë më parë Univeristeti i Prishtinës mori emrin e Hasan Prishtinës, duhet t’ju sqarosh studentëve dhe profesorëve të Prishtinës pozicionën tënd për Hasan Prishtinëm përpara se të jesh nesër në Tiranë.
Në vend që të nderonit nesër maozoleun, mund të ndiznit një qiri në shpellën e Dragobisë për të nderuar trimin e maleve Bajram Curri. Përpara se të shkosh nesër te maozoleu, kalo te busti i Avni Rustemit, të cilin kosovarët e duan dhe e kanë respektuar për dekada me radhë.
Së fundmi e nderuar zonja Presidente, shpresoj ta mirëkuptoni këtë lëtër të hapur. Mos ngatërroni respektin ndaj homolgut Tuaj të Shqipërisë, me respektin që duhet të keni për shqiptarët e vërtetë.
Me respekt,
Taulant Balla
Qytetar shqiptar