Letër politikës për “mustaqet e Çelos”

anazapta

E nderuar DITA. Ky popull është i lodhur me zhurmën që shpërndan politika nëpërmjet medias. Shumë bajate po bëhet edhe media e blerë si nga një anë ashtu edhe nga ana tjetër. A nuk e kuptojnë këta që populli nuk do fjalë por vepra?

Politikanë! Qëllimi për të zhvendosur vëmendjen nga varfëria tek debatet boshe dhe pa vlerë është mëse vulgar dhe joetik. Ju lutet zëri i mekur i fëmijëve pa ngrënë i të papunëve, i të sëmurëve që nuk po blejnë dot ilacet, i të varfërve që nuk po i dalin dot fundit të muajit pa borxhe dhe i jetimëve që të bëni përpjekjet minimale për ta mbajtur sado pak këtë popull në gjendje të pranueshme ekonomike dhe sociale.

Por akoma politika jonë e vjetër katërcipërisht joprofesionale dhe e etur për pasuri e pushtet, nuk i dëgjon kambanat e alarmit njerëzor për ndihmë sado të vogël për mëkëmbjën e këtij populli. Nuk i intereson kujt se kush ka një pallat dhe se kush tjetër ka një qender tregëtare. Dalin një palë hajdutë u thërrasin palës tjetër të hadutëve se janë duke vjedhur më shumë dhe se po bëjnë lojë me hile. Nuk i ha me populli këto “plehra” të dashur politikanë.

Populli nuk është akoma në shpellë, populli është zgjuar. Populli e di mirë se ata që akuzojnë për 1 pallat vetë kanë nga 6 të tillë si në bregdet ashtu edhe ne vendet me të shtrenjta turistike në vend dhe jo vetëm. Ky popull do rezultate dhe vepra të dashur politikanë, nuk do filma. Boll e eklipsuat varferinë dhe zvarritjen e këtij populli i cili është në krizë prej vitesh e aq më keq në këto kohëra që ndyren edhe më shumë prej atyre që kanë timonin e vendit. Boll me akuza të ndërsjellta, nëse sipas jush të dy palët jeni të përlyër; ikni të dyja palët atëherë.

Ne jemi të kredhur deri në fyt dhe ju fisni për zhvillim ekonomik. Njerëzit janë mbyllur muresh prej skamjes e ju merreni me mustaqet e Çelos. Boll i treguat pallatet dhe miliardat e njeri tjetrit se më shumë na tregoni se e keni shitur këtë vend. Boll na folët për miliardat e dala jashtë shtetit si humbje, boll na treguat se ne leku na është bërë si mollët përtej xhamit; kemi kohë pa e prekur.

Apel edhe për mediat, luajeni rolin tuaj dhe përmbajuni shtyllave të gazetarisë e jo shtyllave të klaneve partiake. Media po luan keq rolin e saj si informuese dhe e ka humbur qëllimin e saj fillestar duke u bërë një vegël në duart e politikës. Media nuk është plastelinë të dashur pronarë. Kur ajo keqpërdoret vret! Lutjuni zotit nëse keni, t’ju falen mëkatet që i bëni këtij populli duke u kënaqur me para. Populli ka humbur besimin si tek politika ashtu edhe tek ju. Pushteti i katërt është bërë mashë e pushteteve të tjera.

Turp për gazetarinë shqiptare do thoja; është bërë si prostitutë që shkon andej nga e paguajnë më shumë. Populli nuk ha dhe, populli ha bukë si ju. Merreni më seriozisht popullin tuaj se fuqia e tij është e pamatë, nëse zemërohet mos e quani të dhunshëm dhe të paparashikueshtëm pastaj. Boll ju ka duruar!

 

Letër e nënshkruar: Leo Kondi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *