Letër Ramës nga aty ku njeh dhe guri-gurin

anazapta

I nderuar z. Rama, jam një pensioniste nga krahina e Himarës, me shumë kënaqësi votuam familjarisht për ju. Shpreh dëshirën e bashkëkrahinasve të mi, që kjo letër në gazetën DITA të lexohet, brënda mundësive, prej jush. Presim me shpresë që të vihen në vënd problemet e ndryshme që egzistojnë e sidomos pronësia e tokës në krahinën e Himarës, e cila është lënë pa u certifikuar vetëm e vetëm që të vidhet, ashtu sic u vodh dhe të tjetërsohet nga ata që nuk e dinin kush ishte bregu i Jonit, e jo më pastaj kush ishte Jaliskari, Drimadhesi, Jali, Ngjipeja etj, etj.. Këtyre që ikën a nuk do tu futet gjëmb në këmbë, për gjithë prapësitë e kusaritë që i bënë këtij populli?! Apo mos duhet të vegjetojnë akoma militantët e tyre, me kurse gjashtë mujore dhe me notat fiktive të pseudouniversiteteve private?

Para tre vjetësh qeveria shqiptare me ndihmën e Bankës Botërore nisi rregjistrimin e banesave në krahinën tonë, akoma edhe sot nuk kemi në dorë certifikatën e pronësisë së shtëpive tona. Çdo përpjekje e jona ka rënë në vesh të shurdhër të qeverise Berisha. Zbatimi i ligjit 7501 të cilin e miratuan me 1991 dy partitë e mëdha ka hapur probleme të shumta në krahinën tonë. Në ¾ e vëndit nuk është zbatuar ky ligj, pse duhet të zbatohet pikërisht në krahinën e Himarës? Atje ku mund të aplikohet, pa prishur punë, le të aplikohet, por në krahinën tonë atje ku c’do pëllëmbë tonë është e trashëguar nga stërgjyshërit tanë dhe  e blerë me florinj prej tyre pse duhet të zbatohet?

Aty ku njeh dhe guri-gurin dhe dihet e kujt ka qënë kjo kullotë ose tokë pse të mos të miratohet në bazë të njohies fshace, të pleqësisë, e të trashëgimisë së njohur?! Ligji 7501 po bën pronarë ata që nuk kanë patur asnjë pëllëmbë tokë në atë zonë dhe shumë të tjerëve u ka hequr të drejtën e pronësisë. Krahina e Himarës e kundërshton zbatimin e ligjit 7501, pasi i ndëshkon dhe u tjetërson pronat e të parëve të tyre. Në asnjë vënd demokratik nuk ndodh që prona të mos njihet, e aq më tepër të shkojë te pronari i paligjshëm. Kjo nxit dhunën dhe vëllavrasjen, fenomen ky i prekshëm për ne shqiptarët.

Si komunitet mendojmë se do të ishte me vënd që kryepleqësia e fshatit së bashku me një komision të posacëm dhe në bashkpunim me banorët e zonës do të conin në përpilimin e saktë të hartave të reja, që priten prej shumë kohësh të bëhen. E kush më mirë se vetë banorët i njohin kufinjtë dhe sinoret e tyre, këtë pretendon Bregu, vetëm kështu prona do të shkojë te pronari i ligjshëm. Dora e bijve tanë duhet t’i ngrejë themelet e rrënuara, muret e rrëzuara. Ky vend e ky Breg ka nevojë për mua, për ty, për ju e për ata që do të vijnë. E sidomos për më tepër drejtësi për pronat.

Himara është gjaku im, gjaku yt, gjaku juaj që nuk mund të falet e të tjetërsohet! S’kërkojmë parajsën, por më tepër kujdes e përkushtim për drejtësi. Ju urojme nga zemra z. Edi Rama dhe stafin tuaj të punojnë për këtë vënd që i ka të gjitha të mirat, por që nuk u qeveris, por u pushtua. Punë të mbarë!

 

Me respekt:

Eglantina Bifsha Bajrami

Share This Article
1 Comment
  • Ke plotesisht te drejte moj moter. Nqs. dhe kjo qeveri kaq e enderuar nuk do ta zgjidhi kete problem dhe shpejt, atehere le te besojme se shqiperia do fshihet nga harta gjeografike. Atehere le te besojme se kjo toke pjell vetem hajdute e genjeshtare, se historikisht vetem te tille kemi dale. Por le te besojme akoma se do ti dalin djeme e vajza shqiperise, qe nuk do ta kene barkun aq te pangopur dhe do kene zemer te ndjejne cdo te thote te trashegosh mundin e baballareve e gjysherve qe punuan gjithe jeten per tu lene dicka trashegim femijeve, sic bejme ne dhe te gjithe sot per femijet. Nuk e kam pasur ne gjak hakmarrjen, por tani kam nje deshire dhe jam e etur per te. Zoti me ndjefte, por dua te shoh njehere keta maskarenj qe jetojne me djersen e familjeve tona, me prinder dhe femije, te hane miell me krimba, sic hengri im ate ne ditet e fundit te jetes se tij ne vitin 2011, duke qene bir beu qe ja fali te gjitha shoqerise, ish partizan, qe jetoi gjithe jeten me predhen e luftes ne kembe qe i dhimbte sa here prishej moti, duke shpresuar ne genjeshtrat e ketyre qelbesirave 20 vjet, se do tua kthente pronen. Babai im besoi deri diten e fundit endren se do te mbillte nje pjeshke ne token e tij. Zoti me pafite neqoftese dhe une do ti besoj keta te rinjte deri ne fund te jetes time. Por nga jeta e tim eti kam mesuar; me mire nje fund i tmerrshem se nje tmerr pa fund. Te presim dhe pak nese kane dale monstra ne qeverisje si te tjeret te panginjur apo burra te vertete qe do ti nderojme per jete ne emer te drejtesise. Shpresa vdes e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *