Letërsia si pasion dhe mision

Ornela

Nga Xhevdet Shehu
Libri që po merr në dorë lexuesi është dëshmi autentike e mbijetesës së artit dhe letërsisë edhe në kohë të vështira. Ndërkohë që ka një botimtari të bollshme, si rrallëherë, ka edhe një bjerrje të leximtarisë. Pse ka ndodhur kështu mund të justifikohet lehtë: Dëshira për të botuar nga gjithkush libra nuk ka shkuar paralel me rritjen e cilësisë artistike të krijimtarisë. Botimet janë të gjithfarëllojshme, por niveli i të shkruarit lë shumë për të dëshiruar. Lexuesi tashmë është shumë më elitar, të rinjtë tanë janë me nga dy e tri gjuhë të huaja dhe janë në gjendje të lexojnë kryevepra të letërsisë botërore në gjuhët origjinale. Si të tillë ata nuk mund të pajtohen me mediokritetin e shumë botimeve, pavarësisht pasionit të autorëve të ndryshëm për të shkruar dhe për të botuar. Por ne duhet të dimë të dallojmë vlerat. Cila është letërsi e vërtetë cila kallp. Kjo është shumë e rëndësishme për sot e për të ardhmen, duke ditur rolin e pazëvendësueshëm të letërsisë dhe të arteve në të gjitha kohët.

Ky libër me fabula mendoj se është shumë i vlershëm dhe bën përjashtim për faktin se është shkruar artistikisht bukur nga autorët Kastriot Hadëri dhe Izet S. Çulli. Këto 222 fabula dëshmojnë se kjo gjini jo vetëm nuk është vjetruar dhe vyshkur, por edhe se ka mbijetuar pikërisht se është e bukur dhe ka mundësi të pafundme të shprehjes së ideve që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë që jetojmë dhe prosperimin e saj.

Në këtë libër vërehet qartë se autorët kanë dashur të tregojnë se letërsia nuk është thjesht pasion, por më shumë është mision. Kur gërshetohet pasioni me misionin, këtu shënohet suksesi.

Gjetja e tyre e veçantë, madje me një farë modestie, është se për shkrimin e këtyre fabulave ata janë mbështetur në motive nga krijimtaria e shkrimtarit dhe gazetarit të njohur Ymer Minxhozi, një autor ky me një krijimtari të spikatur dhe të larmishme. Por kjo nuk është hera e parë që e bëjnë këta autorë. Më përpara e kanë përdorur këtë gjetje edhe me krijimtarinë e dijetarëve të botës si Ezopi e Nastradini, por edhe të botës shqiptare si Moikom Zeqo, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Pëllumb Kulla, Alizot Emiri, Bujar Kapexhiu, Daut Gumeni etj, duke krijuar rreth 2000 fabula e epigrame të reja në dhjetë botime të përbashkëta, të vlerësuara nga kritika letrare.

Por le të ndalemi te libri në fjalë. Në rrugën e gjatë krijuese të Ymer Minxhozit mbajnë firmën e tij mijëra artikuj, fejtone, reportazhe, analiza, komente, pamflete, aforizma, shënime udhëtimi, skica, ese, poezi, etj., të botuara në shtypin e kohës në mënyrë thuajse të pandërprerë, si dhe në mbi njëzetë libra që e kanë bërë autorin e tyre mjaft të njohur dhe të dashur për lexuesin shqiptar. Edhe për shkak të përdorjes së një gjuhe fabuleske në librat e tij. Një krijimtari kjo mjaft e larmishme dhe e begatë. Rrallë gjen ndonjë krijues tjetër në publicistikën shqiptare që të ketë lëvruar me sukses kaq shumë zhanre.

Pikërisht kjo krijimtari e pasur e Y. Minxhozit i ka shtyrë autorët që shumë mendime, ide, aforizma etj., të këtij autori t’i kthejnë në fabula të bukura dhe me një tingëllim aktual.
Autorët e këtij libri Hadëri dhe Çulli, duke ecur në gjurmët e krijimtarisë botërore dhe të vendit të kësaj gjinie ia kanë arritur të sjellin një vëllim të freskët, por edhe origjinal.

Fabula është një nga gjinitë më të lashta dhe më të bukura të krijimtarisë artistike. Por edhe më të vështira, njëherësh. Në mungesë të artit që ngjizet në të, fabula bëhet e mërzitshme kur nuk shkruhet bukur. Po i referohem vetëm dy shembujve:

Ezopi ishte ndër të parët fabulistë të botës. Them se mund të ketë patur fabulistë të tjerë para tij. Ai jetoi nja gjashtë shekuj para Krishtit në Greqinë e lashtë, por askush nuk pohon me bindje të dhëna historike mbi të. Si të gjitha mitet, ai ka shumë mjegull rreth personalitetit dhe krijimtarisë së tij. Si Homeri. Me siguri para Ezopit ka pasur edhe krijues të tjerë origjinalë fabulash, të paktën në rrëfimet gojore aq të përhapura në mitologjinë greke. Megjithëse ekzistenca e tij mbetet e paqartë dhe asnjë shkrim i tij nuk mbijeton, përralla të shumta që i janë atribuuar atij, u mblodhën përgjatë shekujve dhe në shumë gjuhë në një traditë tregimi që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shumë nga tregimet e Ezopit karakterizohen nga kafshët dhe objektet e pajetë që flasin, zgjidhin problemet dhe në përgjithësi kanë karakteristika njerëzore.

Gjithashtu, në Europë kemi La Fontenin në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Fabulat e tij u përhapën në gjithë Europën dhe ai u përdor si model për të gjithë fabulistët e mëvonshëm. Të dy këta autorë të mëdhenj kanë pasur një ndikim të dukshëm edhe në letërsinë shqipe. Sipas modeleve të Ezopit dhe të La Fontenit janë krijuar qindra e mijëra krijime të bukura dhe mbresëlënëse nga autorë shqiptarë, sidomos përgjatë shekullit XX dhe në vazhdim.
Nuk po përmend këtu Nastradinin e famshëm, aq shumë të njohur edhe në Shqipëri, për të cilin mund të flitet pambarimisht. Nastradini bënte të flisnin edhe kafshët, edhe sendet, saqë shpesh njerëzit dukeshin budallenj.
Nuk po hyj në një analizë të hollësishme të 222 fabulave të përfshira në këtë libër. Ato mendoj se janë të qarta dhe të lexueshme nga të gjitha moshat. Janë shkruar me talent dhe me fjalë të kursyera, shumica janë me katër vargje, rrallë-tek gjen me tri ose katër strofa. Autorët e njohin mirë teknikën e të shkruarit të fabulës, janë mbështetur në krijimtarinë tonë popullore shqiptare, por edhe atë të autorëve më të mirë shqiptarë. Gjyshërit dhe gjyshet mund t’ua lexojnë mbrëmjeve nipërve e mbesave dhe jam i sigurt se ata, fëmijët, do të argëtohen jashtë mase dhe do të qeshin me gjithë zemër, duke i mësuar përmendësh shumë prej tyre. Ndërsa të rriturit, duke i lexuar do të vënë herë-herë buzën në gaz, po më shumë do të vihen në mendime dhe do të trishtohen, sepse pas personazheve kafshë, ata do të shikojnë njerëz konkretë, ngjarje reale dhe fenomene sociale që janë tipike për shoqërinë aktuale shqiptare.
Lexojini këto fabula dhe do të bindeni për këtë që sapo ju thashë! Urime autorëve dhe udhë të mbarë librit më të ri të tyre!

PIKËPYETJE
Kur lindi njeriu i tretë,
Adami sa u gëzua,
mirëpo pati një siklet,
prandaj Evës iu drejtua:
“Eh, moj Evë, nuk e di,
nëse ke ndonjë këshillë?
Ja, e lindëm një njeri,
vallë, a do vdesë i tillë?!”

VLERËSIM
Ariu kryeshtetar
sa pa drerin shkencëtar:
– Doja disa vlerësime
për këtë qeverinë time!

– Ç’vlerësim më kërkon ti,
s’po shoh ndonjë qeveri?!

PROBLEMI
Dhelpra drerit fabulist:
– Qeverisë i hap probleme,
ndërsa unë shpesh bëj bisht,
kritikat janë thashetheme!

– Barazon me thashethemet
të vërtetën që unë them?!
Shteti që nuk zgjidh problemet,
është vetë kryeproblem!

KOSTUM MODE
Struci në një ministri
kërkon një kostum të ri.
S’iu mbush mendja, gjithsesi.
“Ky, ta dini, – tha gjeldeti, –
do kostum me xhepa shteti!”

PËRMBI
Patoku, bir deputeti:
– Rroj mbi qafën e tim eti!
– Po yt atë? – tha gjel’ i detit.
– Mbi zverk të komunitetit!

RAPORTI
– Kur të vijë demokracia,
o kalë, flas me siguri,
në sy do na shndrisë liria,
s’do çajmë kokë për njeri.

– O gomar, dëgjo dy fjalë:
Bota ndryshon pandërprerë,
raporti kalorës – kalë
i njëjtë do ngelet përherë.

LISTAT E MBYLLURA
Shfrynte derri prej mërzisë:
– Eh, si na i bënë me hile!
Ne ia dhamë votën partisë,
ajo vë derrat me zile!

Fët sorkadhi aty pranë:
– Derr me zile është lule!
Tash që në parlament vanë,
do jenë derra me daulle…

HESHTJA
Drerit fabulist njëherë
i troket derri në derë:
– Ngele duke fshikulluar,
hesht, të dalësh i fituar!

– Ja, ta zëmë se do mbyll gojë,
heshtjen kush do ma dëgjojë?!

FLIJIM
Heronjtë luftojnë me guxim,
kur det’ i jetës shton dallgët
dhe flijohen pa ngurrim,
jo për vete, për të gjallët…

MOSNJOHJE
Pela prezanton një kalë:
– Është shkencëtar i rrallë!
Mushka fët: – Pse, s’njihet vallë?!
– S’njihet sot se është i ndershëm,
po do mbetet i përjetshëm!

ÇIFTELIA
“Njerëzit jo rrallë i kam prekur,
kur derdh tingujt përmes valëve.
Lavdinë e njerëzve të vdekur
të gjallë ua sjell të gjallëve…”

“LIRIA”
Bilbilin, në diktaturë,
ca sorra si me kulturë,
e këshillonin kudo:
“Kyçe gojën dhe këndo!”

URAT
Në vend të urës, shtetari,
bëri vilë me gurë mermeri.
E ç’mund të bënte shkrimtari,
hodhi ca ura ylberi…

PA BINDJE
Tregon dreri: “Ca lanë nam,
sa hyri sistem’ i ri.
Ky shoku im, partizan,
në çast u bë zotëri!”

REFORMA NË USHTRI
Eh, ku nuk të shpie halli,
tranzicioni i stërgjatë!
Birit të ish-gjeneralit
i thanë: – Ku punon yt atë?
– Tani që s’e kanë në listë,
ia ka nisur nga e para.
Ai sot punon farist,
me tri fjalë, del shet fara!

PADURIM
Turtulli, tek turtullonte,
bilbilit diç i tregonte:
– Shpendëria, miku im,
na presin me padurim!

– Po, po, presin ndër kuvende,
këngën time, heshtjen tënde!

SHFRIM
Në varreza shkoi plaka,
plakun qan e vendin tund.
Si u ngrit, bëri dy hapa,
shpërtheu keq më në fund:

– More plak, turp të të vijë! –
dhe vijoi gjithë dënesa, –
S’ke mall për grua, fëmijë,
pale për nipër e mbesa!

Njëri te varri përballë,
që qante gruan e vet:
– Nga e di ti, që s’ndjen mall?
Mos e shaj, nuk ka lezet!

Kjo ia kthen mes ngashërimit:
– Si s’e ditkam, or lum miku!
Dje, në qendrën e votimit,
erdhi, votoi edhe iku…

EPITAF
“Intrigant, prehu i qetë,
lëkurën e dhelprës veshe!
Askush s’të deshi në jetë,
edhe pse gjithkujt iu deshe!”

PËR NJË COPË TOKË
Dy komshinj për një copë tokë,
shkrehën armët, vdiqën tok.
Ajo tokë, për çudi,
s’del as për varr, për të dy!

PARLAMENTARËT
Dy patokë kundërshtarë
o po ç’grinden si të marrë!
Një rosak hedh këmbët ngutthi,
majtas-djathtas i shkon trupi.

Fët një gazetar lanet:
“Erdhi dhe poli i tretë!”

KUNDËR RRYMËS
– Ti kaproll, po më çmerit,
kundër rrymës shkon përditë!
– S’notoj kot, mor dhelpran trimi,
dua të pi ujë burimi!

– Të lumtë, qenke shumë i zoti,
veç,… duhet mësuar noti!

SHEKUJ MË PARË
Intelekti lart, në majë,
Arkimedi, si ai,
u fut në një vaskobanjë,
dhe sot lahet me lavdi!

EMIGRACION
Të ngjallej Migjeni,
ashtu me një frymë,
do t’i redaktonte
vargjet për rininë;
ai do na qante
hallet edhe dertet:
“Qeshu, rini, qeshu,
të tuat janë,… detet!”

DERRI NË KARRIGE
Kur e hipën, të puth këmbët,
kur e zbret, të kërcet dhëmbët!

DERRI I PASHTYLLË
Një deputet i pashtyllë,
që vetja i duket yll:
“Jam gjithëpërfshirës i vjetër!” –
fët pleshton në partinë tjetër.

PËRGJEGJËSIA
U tha shokëve një kastor:
– Në një aksident rrugor,
këtë gjë kushdo e di,
i gjalli mban përgjegjësi!

Fët u hodh një qukapik:
– Ndryshe ndodh në politikë…

NË KTHESË
I thoshte mëdyshjes besa,
sistemet sa qenë ndërruar:
“Kush mendohet gjatë në kthesa,
shkon në drejtim të gabuar…”

GËNJESHTRA
Ja, si u shpreh një kangur:
“I vdekuri s’gënjen kurrë,
veç kur e vënë përmes fjalëve ,
brenda gojës së të gjallëve…”

“UJKU QIMEN E NDËRRON,
PO ZAKONIN S’E HARRON!”
Ujku e pyeti dhelprën:
– Këtë nam kush ma ngjit kot?!

– Ja shko e vra të vërtetën,
ja zhduk atë që e thotë!

GAZETAT
Blen gazetë një patok,
veç pas pak e plas përtokë.
Pastaj duke bërbëluar,
ecën rrugës i mërzitur:

“Kur lexojmë disa gazeta,
na vjen keq, ç’është e vërteta,
për atë, pyllin e vjetër,
kot e prenë dhe e bënë letër!”

MBRËMJA DHE MËNGJESI
Mëngjesi, që zgjohet herët,
i tha mbrëmjes diç të kripur:
“Të tashmen tënde të errët,
e bëj të ardhme të ndritur!”

NË MBLEDHJE
Si gërhiti disa orë,
grifshën pyeti një sorrë:
– Ç’tregon gërhima, pra, gjeje?
– Po ja, diskutim pa leje!

“VEPRAT” E PATOKUT
Një patok me shumë krenim:
“Stërstërstërstërgjyshi im
la aq vepra si kujtim!
Siç e dini, më i miri
i shkrimtarëve është Shekspiri,
që shkroi bukur e me mend,
se im stër… gjysh i dha pendë…”

MOSQASJE
– Ti korb, hiqesh dhe poet,
pse s’boton ndonjë idil;
ç’të pengon, more lanet?! –
e kunjos zoti bilbil.

– Në monizëm qe vështirë,
çdo shkrim censuronte shteti.
Tash që fjala është e lirë,
për dreq, s’më qaset talenti!

NIVELI ARTISTIK
Bilbili te grifsha
në një librari:
– Sot, që ka shumë prurje,
ç’thotë libri i ri?

– Ca janë prush e zjarr
dhe shpejt bëjnë bujë,
ca s’i djeg as zjarri,
se janë plot me ujë!

NË LIBRARI
Libri i një amatori
po i lutej një kastori:
– Blemë shpejt, se jam me vlerë!

Dhe ky ia kthen menjëherë:
– Pusho, se çudite botën!
Je hajdut, që më vjedh kohën…

VALA, BREGU DHE ERA

Vala e bregu përherë
dhelen, puthen me gazmim.
Xhelozohet zonja erë
dhe i përplas me rrëmbim…

VLERËSIMI DHE NIHILIZMI
Vlerësimit nihilizmi:
– Çfarë di nga njerëzimi,
ta zëmë, ligjet e Njutonit
apo Vezën e Kolombit?

– Ç’më fut kot në ato dyer,
nuk ia vlen një vezë e thyer!

DEMBELI
Çfarë dembeli ky ari,
veçse ha e pi e fli!
Rron sa për demografi…

BREDHJE
– Ç’ngjyrë ka dhelpra, a e di,
që bredh parti më parti?
– Eh, or ujk, – ia kthen çakalli, –
s’do e bën, kërcen nga halli!
Nuk po kërkon thjesht për ngjyrën,
po s’di ku ka lënë fytyrën…

DREKË PUNE
Ca shtetarë mendjeerë
dreka pune shtrojnë përherë.
– Ç’është kjo punë në birrari? –
pyeti cjapin një dhi, –
Ç’debatojnë s’e kuptoj?
– Ligjërojnë me shkumë në gojë!

SJELLJE
Në fabul, bash për çudi,
kafsha sillet si njeri!
Po ca njerëz dhëmbëjashtë
në jetë veprojnë si kafshë…

KUJTESË
Cjapit lart, në qeveri,
dashi ia përplas në sy:
“Sa më lart ngjitesh te molla,
i gjen degët më të holla…”

ME TË DYJA DUART
– Tash që na erdhi liria, –
derri thosh , – shkoj me dëshirë
dhe me duart, që të dyja
e hedh votën, jam i lirë!

– Thua lirinë e fituat?! –
demi buzëqeshi hidhur: –
Kur voton me të dy duart,
pa shiko, mos je i lidhur?!

ZYRTAR ÇAKALLI
Lepuri bash te çakalli
shkoi se e çoi halli,
të kërkonte një të drejtë…
Tash kërkojnë lepurin vetë!

KOMEDI
Në Teatrin Kombëtar
luhen pjesë komedie,
xhuxhët marrin rol të parë,
gjigantët mbeten në hije!

DAULLJA
Një daulle ca madhore
iku nga curlet frymore,
violinës iu fry shumë:
“Qetësi, do këndoj unë!”

“KOKA BËN, KOKA PËSON”
Deputetëve kokëkrisur,
që s’lënë gurë pa vithisur,
kjo thënie për shtat u shkon:
“Koka bën, kombi pëson!”

BISEDIME
– Peshkaqenët kur rrinë tok,
ç’bëjnë, o peshk? – pyeti foka.
– Bisedojnë kokë më kokë,
që pastaj të hanë koka!

E VËRTETA LAKURIQ
Tek e vërteta njëherë
besimi troket në derë:
– Të pyes, se jemi miq,
pse nuk del shpesh lakuriq?

– Kam frikë të hyj në valle,
se më quajnë imorale!

SHAKATARËT
Dreri, ndershmëria vetë,
takon sorkadhin syzi:
– Jam kurioz, në parlament
ç’po bëhet, desha ta di?!

– Ca parlamentarë të ligj,
po të ligj sa më nuk ka,
çdo shaka e bëjnë ligj,
çdo ligj kthejnë në shaka!

NGJASHMËRI
Llafos pula një gjel deti:
– Ky kokoshi, deputeti,
pse më ngjan si dirigjenti?!

– Në fund, si i shërben xhepit,
ka stilin e dirigjentit,
fët i kthen shpinën miletit!

NË ZYRËN E PUNËSIMIT
– Problemin e punësimit, –
pyet gazetar’ i huaj, –
si e zgjidhët pas votimit,
do donim përvojën tuaj?
– Sa morëm gjendjen në dorë,
ndërruam emrat në listë:
Nga të papunë amatorë,
të papunë,… profesionistë!

KRITIKA DHE KRITIKUESIT
Ca drerë e sorkadhë shkrimtarë,
që me nderin s’bëjnë pazare,
flisnin për ujqit shtetarë,
që kritikat s’hanin fare.

E ngriti zërin një dre:
– Po kjo botë kështu e ka:
Kritikën e hamë ne,
kritikuesin, ata!

“NË EMËR TË POPULLIT”
Deputeti zbraz gurmazin,
erë zgjyre kutërbon:
– Në emër të popullit flasim!

Fukarai s’ia përton:
– Përlani në emrin tonë!

DURIMMËDHENJTË
Heq picirin një bizon:
“Çerekshekull tranzicion,
durimi si s’iu lëkund,
edhe fundi,… s’paska fund?!”

NË ZYRËN E SIGURIMEVE SHOQËRORE
Xhajën, që ish duke dalë,
në derë e pyet një djalë,
që nxitonte për të hyrë:
– Ç’pozitë ke ti te kjo zyrë?

– Hyj e dal, më lodhën boll,
pensionist pa portofol!

ME DYER TË HAPURA
Me fjalë të matura
dashi flet açik:
– Me dyer të hapura
unë bëj politikë.

Cjapi pa u zgjatur
mori flakë si kashtë:
– Po i mbajtëm hapur,
do mbetemi jashtë!

RRËMBIM
– Derr shtetari, mor sorkadh, –
tha ketri, – premtimet lumë,
thua, është zemërmadh,
për ne punuaka shumë?

– Meqë pyete, vëlla,
ja si e kuptoj këtë:
Ai që premton gjithçka,
në fund na rrëmben çdo gjë!

PSEUDOGAZETARI
Gazetar një qukapik
shkruan mburrka pa logjikë.
Fazani zuri të qeshë:
– Për çka shkruan s’të marr vesh?!

Bilbili gjeti sebep:
– Shkruan për ç’i vjen në xhep!

MIU, MACJA DHE ZOGU
“Ci, ci”, zogu lart, në pemë
macen pa dhe tundi dhenë:
– Pse sillesh nëpër oborr
dhe kafshon miun e gjorë?

Macja me mish nëpër gojë:
– Ngaqë s’di të fluturoj…

VLERA E GRIFSHËS KËNGËTARE

– Ç’vlerë ka kjo, në të kënduar? –
kanarinës i thanë patat.
– Sa veprat që ka krijuar,
minus vetëlëvdatat!

GJELI I CIRKUT
Njëri mbante gjel për cirk,
ç’iu mburr tjetrit që kish mik:
– Gjeli im, eh, ç’të të them,
në arenë është fenomen!

Po, për dreq, ka dhe një ves,
më zgjon herët çdo mëngjes!
Një mendim dot a ma jep,
si t’ia mbyll atë dreq sqep?!

– Për ta vënë punën në vijë,
pas vajise, që të shfryjë!

PARASHIKIMI I MOTIT
“Kockat s’më therin së koti, –
gjyshja tha, – do prishet moti!”

Që të mos bjerë shi, as brymë,
gjyshes i dhanë aspirinë!

SIGURACION
“Firma jonë, ju garanton, –
jepej njoftim në gazetë, –
jo veç të merrni pension,
po dhe pleqëri të shpejtë!”

KONCERT PËR VIOLINË DHE ORKESTËR

Violinisti pa talent
dhe që na hiqej si mjeshtër,
në klub nate dha koncert
për dollarë dhe orkestër!

Share This Article
2 Comments
  • Xhevdet Shehu me gjithsa sjelle;
    Me: *Letersine sa PASION-MISION*
    Ty me te lumte ajo PENE…
    Sjelle gjithcka qe na mungon…
    Sidomos te rrinjve qe na rrethojne.
    Te lumte ajo PENE mendia KOMANDUAR,
    Krijimtarine e KOLEGEVE sjelle per ta lexuar…
    Atyre ju uroj MBRODHESI ne VIJIMESI,
    Sjelle kur DUHET me C’PERJETON VENDI!
    ** Nga tej oqeani une 85 vjecari me shoke…
    Rrespektuar COVID-in-Komunikojme;
    S’gjejme fjale t’iu falemderojme…
    Per keto TRINITRINA sjelle!
    Ju prifte e mira.

    Toronto 10-04-2021 Guri Naimit D.

  • Me vjen mire, i dashur Xhevdet, qe kesaj here i jeni kushtuar letersise. Se edhe politika, qe na duket fushe e mirefillte, ngrihet e qendron lart edhe fale letersise. Njihen tashme rastet, kur njerez te shquar te botes, më pare se Carin, Mbretin apo Presidentin e vendit te tyre njihnin shkrimtarin me te madh Dhe as nuk ngjet keshtu edhe ne Shqiperi: Kadareja, si figure publike, qendron shume me lart nga çdo pushtetar.
    Me vjen mire qe jeni marre me fabulat e doktor Izet Çullit e te Kastriot Haderit. Më vjen mire, sepse, mendoj, qe jeni treguar realist. Sepse ç’ndodh? Shume vleresime behen nisur vetem nga emri i autorit. Permendin autorin dhe rreken te zbulojne “vlerat” e vepres! Nderkohe, duhet te ndodhe e kunderta: te vleresohen krijimet dhe, rriedhimisht, te shkohet te autori. Nuk shprehej kot i madhi Dritero Agolli: Tani (behet fjale per kohet e mbas vitit 1990) cilesia e botimeve qe promovohen varet nga tavolinat qe shtrohen”. Urime, i nderuar Xhevdet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *