Ministria e Financave reagoi pas letrës së nisur nga Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, në takimin mes tyre u vendos se MF do të marrë përsipër zgjidhjen për problemin e orarit të eksporteve…
Pas letrës që Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve i ka dërguar javën e shkuar kryeministrit Rama dhe ministrave Ahmetaj, Ekonomi dhe Klosi, u realizua një takim ditën e djeshme, në të cilën u diskutuan një sërë çështjesh, edhe ajo e orarit të doganave.( Lexo: Bizneset reagojnë sërish: Urdhri i Doganave për oraret e zhdoganimit për eksportuesit nuk është tërhequr; Të anullohet)
Çështjet e tjera që u diskutuan:
– Ndryshimit të Ligjit të TVSH për nënkontraktorët;
– Nevojës për të mos rritur pagën minimale në rang vendi që dëmton sidomos sipërmarrjet e rregjimit të përpunimit aktiv;
– Ndryshimit të skemës së nxitjes së punësimit pas ndryshimit të tatim-fitimit nga 10-15 % dhe përdorimit të fondit të përfituar nga rritja e këtij tatimi në përfitim të të gjithë subjekteve kontribuese dhe jo të përdorimit klientelist të këtij fondi;
– Zgjidhjes së problemit të rritjes së çmimit të energjisë nëpërmjet faturimit të subjekteve me çmimin sipas nivelit të tensionit të furnizuar dhe jo me çmimin maksimal të energjisë, sidomos kur vetë subjektet kanë bërë investime në furnizimin me energji elektrike.
Përfundimet e marra nga takimi:
- Ministria e Financave merr përsipër të zgjidhë në favor të biznesit problemin e orareve të eksportit në pikat e kalimit të kufirit. DPD po punon për një zgjidhje tjetër, për të cilën subjektet do të lajmërohen shumë shpejt.
- TVSH për nënkontraktorët mbetet një çështje që duhet të adresohet në paketën e re fiskale, pasi kërkon ndryshimin e ligjit përkatës. Bordi kërkoi faturimin me TVSH zero për nënkontraktorët dhe u propozua një model i ri i faturës shoqëruese për nënkontraktorët, e cila ofron një kontroll më të lartë të transaksioneve mes kontraktorëve dhe nënkontraktorëve si dhe minimizon abuzimet që mund të vihen re në përfitimin e padrejtë të TVSH-së. U kërkua të faturohet me TVSH zero vetëm TVSH-ja e hakut të punës (dhe jo ajo e shërbimeve). Ministria mori përsipër zgjidhjen e shpejtë, ndërsa sipërmarrësve iu kërkua të formulojnë në mënyrë specifike ndryshimin që duhet t’i bëhet nenit përkatës të ligjit “Për TVSH”-në.
- Lidhur me programin e nxitjes së punësimit, që është premtuar pas rritjes së tatim fitimit, u propozua dhe do të kërkohet që tatim fitimi i paguar tepër të “rimbursohet” për subjektet sipas rritjes së xhiros. Programi i sotëm i nxitjes së punësimit u vlerësua si abuziv dhe korruptiv. Propozimi duhet të vijë nga sipërmarrja.
- Për rritjen eventuale të pagës minimale, Ministria e Financave nuk ka një opinion, por premtoi se do të bashkëpunojë me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.
- Lidhur me çmimin e rritur mbi 50 % të energjisë elektrike, u konkludua se duhet të kërkohet nga biznesi që energjia të faturohet sipas nivelit të tensionit, sipas vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE-s./MONITOR
