“Kur isha shtatzënë e mendoja që bebi im do të ishte një djalë, jo vetëm se mjekja në vizitat e mëparshme më kishte thënë që duket si djalë por sepse edhe unë vetë ashtu e ndieja.
Nuk e doja një fëmijë vajzë sepse duke e ditur se sa e vështirë është jeta e një vajze në vendin tonë! Një vend ku gjithmonë ka vend për paragjykime e thashetheme! Një vend që nuk të jep hapësirën e duhur që ti të jesh aty ku do, dhe të bësh atë që ti vërtet dëshiron! Përveç kësaj të gjitha ne, kemi frikë nga vajzat sepse nuk e dimë nëse bashkëshorti dhe familja e tij do ta pranonin këtë fakt.
Si do të ishte për mua nëse krejt papritur mjekja do më thoshte: TI JE NENA E NJE VAJZE!
Mua gjithmonë më ka pëlqyer futbolli, makinat dhe asnjëherë kukullat! Ndoshta përveç gjithë të tjerave do ishte edhe më e lehtë të isha nëna e një djali.
Një bebe djalë do ishte shumë i lehtë. Ngjyra neutrale, pantallona dhe bluza, flokët e shkurtra dhe kaq! Ndërsa një vajzë do më kërkonte që unë të ngjaja me Elsën (Frozen) e përveç meje ajo vetë do të donte të ishte një Frozen. Vajzat janë më të komplikuara të paktën kështu më dukeshin deri në ato momente.
Ndoshta prej të gjitha këtyre më “tmerronte” ideja e të qënit nëna e një vajze…
Në vizitën e radhës mjekja thotë pikërisht këtë: Ju jeni nëna e një vajze!
Lotët rrëshqitën menjëherë në fytyrën time! Ndoshta e kisha dashur një vajzë por kisha pasur frikë, sepse thellë ndieja që ishin lot gëzimi! Dhe menjëherë fillova të mendoja si do ishte të kisha një vajze…
Tani përveçse një vajzë unë kam motrën që se kam pasur kurrë. Tani unë kam një shoqe të re, të vockël por që më do më shumë se e gjithë bota. Ajo është princesha ime. Tani unë nuk do të jem më kurrë vetëm! Shkojmë të dyja bashkë nëpër sallone bukurie, marrim akullore e ëmbëlsira nëpër ëmbëltoret e qytetit tonë. Tani kam një engjëll në krahët e mi e me të ndaj çdo gjë. Ajo është mikesha ime e re! Bota sikur po merr ngjyra… jo sepse vajzat janë pink me shumë xixa por sepse fillova ta kuptoja me të vërtet rëndësinë e të pasurit një vajzë.”.
