Ministrit të Mbrojtjes Popullore, Sh. Prokop Murra.
Po ju shqetësoj me këtë letër, por jam i detyruar t’ju shkruaj sepse çështja ka të bëjë me interesin e partisë dhe të popullit. Unë që po ju shkruaj pa emër, nuk jam frikacak, kam kritikuar dhe rradhë të tjera por më janë kundërvënë dhe ngjet ajo që thotë populli, peshku i madh e ha të voglin. Veprimtaria armiqësore nuk është e rastit, por ka vite që punon për të arritur qëllimet e saj. Unë do t’ju tregoj disa fakte por ju lutem t’i shikoni me kujdes të madh dhe me vijën e drejtë të partisë. Përsa i përket armikut Veli Llaka dhe Nazar Berberi, e morëm vesh dhe besoj do të marrin edhe hakun e tyre që u takon si armiq.
Të shikohet çështja e Maliq Sadushit, që kur ishte në Shkodër kishte simpati për Mehmet Shehun dhe ishte shok i Fiqiri Shehut. Me rastin e grupit të Beqir Ballukut më 74-ën, u shkarkua nga detyra por e prunë në Akademi si këshilltar dhe më vonë e morëm vesh se u bë zv/ministër. Këtë e bëri Mehmeti, njeri shumë i rëndë dhe që i dukesh vetja se vetëm ky është i ushtrisë dhe të tjerët nuk dinë gjë. Mendu Backa, njeri që han bukë me çdo lloj partie, me Beqirin e pati grurë, me Mehmetin e kishte akoma më mirë. Ky e bëri zv/ministër dhe profesor dhe Mehmeti e ngriti lart rolin e këtij njeriu. Ky njeri gjithmonë vetëm ka premtuar por punë nuk ka kryer. Të shikohet, se unë kam mendimin që ky është armik, dhe në drejtim të fortifikimit ky ka sabotuar.
Përsa i përket Alfred Moisiut, ky ishte shok i Kadriut dhe që kur erdhi ministër Kadriu, ky u bë zv/ministër dhe nuk flitesh me të, nuk i dilje dot përpara se ky të shikonte me syrin se është biri i Spiro Moisiut. Ai vdiq me respekt, por i biri është në rradhën e armiqve sepse është borgjezuar komplet. Vetëm për shtëpinë e tij është një bujë e madhe në Tiranë. Hyrja e tij është me 8 dhoma, vetëm instalime janë shpenzuar mbi 20 mijë lekë të reja. Kjo çështje u bë problem nga partia dhe pushteti, por e mbylli Mendu Backa, se kishte sektorin ekonomik në ushtri. Mendui ka një shok, Thoma Laka, sekretar i byrosë së partisë në repartin 4930 Tiranë, ky e ka mbajtur afër…
Ju lutem, keni ca sekretarë aty si Zija Beqiri dhe Zenel Frëngu, njerëz që hanë bukë me çdo lloj partie, nuk kryejnë asnjë punë përveçse duke gënjyer e premtuar përsa i përket kuadrit. Ju lutem shikoje me kujdes se ata kanë zënë rrënjë të qelbura dhe kanë luajtur me kuadrin siç kanë dashur vetë. Kristaq Blushi nuk ka kryer detyrën siç duhet, por ka bërë ç’i kanë thënë armiqtë të cilët ishin në fuqi. Adil Kama, njeriu më i keq në ministrinë e Mbrojtjes, ka 20 vjet që nuk ka lënë asnjë nga miqtë dhe shokët pa rregulluar ku kanë dashur, dhe në ministri e në repart thonë: Ky është Brezhnjevi i dytë, si nga figura edhe nga shpirti.
Ju lutem të shikohet personi Nesib Ibrahimi, zv/sekretar i Komitetit të Partisë në MMP, këtë e pruri Mehmet Shehu, e dërgoi edhe në akademi, i ruajti vendin për dy vjet rresht. Ky njeri është servil, rron me këdo.
Shoku Prokop, pasi dolën gjithë këta armiq në ushtri, kam mendimin se detyra luftarake e korpuseve dhe njësive duhet ndryshuar sepse këto i janë dhënë armikut. Ju siguroj se letra ime nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’ju ndihmuar ju në interes të partisë dhe të popullit./DITA

Kush i ka shkruar keto komente ka qen nje sabotator i rrezikshem qe conte uji ne tjeter vend duke diskretituar njerzit dhe shkaterruar vendin.