Letrat e Greta Garbos dalin në ankand

DITA Online

 

Tridhjetë e gjashtë letrat e shkruara nga Greta Garbo do të shiten në ankand nga “Sotheby’s” në Londër, më 12 dhjetor, duke zbuluar mbi vetminë e madhe të një prej aktoreve më enigmatike të Hollywoodit.

Aktorja suedeze-amerikane mbeti një ikonë misterioze e kinemasë deri në vdekjen e saj në vitin 1990, në moshën 84-vjeçare.

Garbo mbeti shumë e rezervuar për median.

E admiruar për bukurinë e saj, ajo që u quajt “e mbinatyrshmja” (Divine) i dha fund në vitin 1941, në moshën 36-veçare, karrierës së saj kinematografike që e filloi në moshën 17-vjeçare në Suedi.

“Deri në vdekjen e saj në vitin 1990, Garbo jetoi e vetme në Manhattan, pa u martuar kurrë dhe pa pasur fëmijë. Ajo refuzoi intervistat, autografet dhe letrat e fansave të saj gjatë gjithë jetës”, thekson “Sotheby’s” në faqen e internetit.

“Ajo pëlqente të shkruante letra”, shton shtëpia e ankandeve që do të propozojë shitjen e 36 letrave të panënshkruara dhe dërguar nga aktorja konteshës suedeze, të cilën e vizitoi kur u kthye në vendlindjen e saj.

Për miken e saj, ajo tregon, në më shumë se 100 faqe, kryesisht të shkruara në suedisht, vetminë e saj, depresionin si dhe dëshirën për t’i shpëtuar industrisë së filmit dhe famës së saj.

“Jam pothuajse gjithmonë e vetmuar dhe flas me vete. Shkoj deri në plazh për të shëtitur dhe është gjithmonë bukur. Por kjo është gjithçka”, shkruan ajo në vitin 1939 nga Beverly Hills (Kaliforni) ku ajo banonte në atë kohë.

Lindur në Stokholm në 1905, Greta Gustafsson filloi karrierën në kinema me filmin “Luffarpetter” të suedezit Erik Petschler në vitin 1922.

Nisur për në SHBA në vitin 1925, Greta Garbo u bë e njohur me filmat si “Grand Hotel” (1932), “Queen Christine” (1933), “Anna Karénine” (1935), “Marie Walewska” (1937) apo “Ninotchka” (1939).

Letrat, si dhe 100 fotografi amatore që tregojnë Greta Garbon tek Wachtmeister janë vlerësuar rreth 15 000-20 000 stërlina (rreth 17 000-22 700 euro).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *