Letrat nga populli dhe koshi i plehrave

redaktor

Nga Llambi Mino

Vetë sistemi ynë ekonomiko-shoqëror e ka të domosdoshëm informimin nga poshtë si një mjet i rëndësishëm për vënien në dukje të problemeve, sidomos atyre që bien ndesh me interesat e publikut. Madje kjo kërkon vlerësim maksimal nga institucionet shtetërore, nga administrata e tyre, nga dikasteret përkatëse. Për këtë kam bindjen se ka edhe ligje që e sanksionojnë më qartë vlefshmërinë e informacionit masiv.

Nisur nga sa më sipër citova, unë ashtu si dhe ndonjë qytetar tjetër që nuk pajtohem dot me mangësitë, kam patur disa raste që me të drejtë kam ngritur probleme që kanë shqetësuar komunitetin apo interesin e individit në adresë të ndërmarrjeve, institucioneve, dikastereve dhe të drejtuesve qendrorë dhe me keqardhje them se askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për problemet e ngritura.

Letrën e parë ja kam adresuar Kryeministrit të vendit për një banor në komunitet, një biçim harbuti që shkatërroi lulishten midis dy pallateve, pronë komunitare, dhe në mënyrë të kundërligjshme ngriti në të një bar-kafe të cilën po e gëzon edhe sot pa i hyrë ferrë në këmbë dhe që tani po na shqetëson me zhurmë ditë e natë. Ndaj me të drejtë mund të them se informacioni përfundoi në kosh të plehrave.

Në rastin e dytë, kam informuar tre ndërmarrje me nga një peticion me 22 firma të komunitarëve për shpërthimin e ujërave të zeza në kabinën elektrike të pallatit që përbënte rrezik të ndonjë epidemie siç janë: Ndërmarrja UKT, ndërmarrja OSSHE dhe Instituti i Higjienës të cilët u treguan tepër indiferentë, menefregistë e moskokëçarës ku ajo gjendje qëndroi 4-5 muaj rresht, sa që u detyrova të informoj emisionin “Fiks Fare” që problemi u zgjidh me ndërhyrjen e gazetarit A.Pojana. Tre ndërmarrjet e sipërpërmendura me sa duket e kishin koshin e plehrave shumë të thellë dhe mbante letra nga populli sa të mos shkonte mendja të shkruaje më kurrë.

Krahas problemeve kolektive, unë kam patur rastin të shkruaja dhe për një çështje personale ministrit të Punëve të Brendshme. Ndoshta pa vetëdije shefi i kuadrit kur unë kam dalë në rezervë në D.P.B. Elbasan nuk më ka vënë pagën reale në formularin Mod.3P. Shkrova letrën e parë dhe nuk mora asnjë përgjigje. Sipas punonjëses së Ministrisë në zyrën e ankesave, më kishin kthyer përgjigje, por ajo për fat të keq kish humbur, ose si letra dhe përgjigja me siguri kishin përfunduar në koshin e plehrave. U detyrova të shkruaj të dytën, por edhe kjo u degdis në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Edhe këtu kërkova përgjigje, por fatmirësisht ose më mirë të them, fatkeqësisht, letra ishte degdisur në Drejtorinë e Policisë në Elbasan. Tre herë me radhë shkova në Elbasan dhe përfundimisht shefi i kuadrit më tha se nuk disponojmë asnjë lloj dokumenti.

Letrat, mundimi, stresi, shpenzimi, të tëra më shkuan kot, pasi koshi i plehrave bën kërdinë duke ngrënë letra të pa shpresë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *