Komponenti i Platformës Qytetare është një mekanizëm që synon të analizojë dhe vlerësojë premtimet e partive politike dhe platformave elektorale, vërtetësinë e deklaratave politike, realizueshmërinë e politikave, etj
Lëvizja MJAFT ka ndërmarrë një iniciativë të re, të quajtur “Platforma Qytetare”, një nismë inovative që vendos përballw sfidës së afrimit të politikës me qytetarin dhe mirë-informimin e këtij të fundit mbi politikat publike të ndërmarra në vend, në nivel lokal dhe qendror. Në këtë kontekst, me qëllim pajisjen e qytetarit taksapagues me mjetet e nevojshme për të ushtruar presion pozitiv ndaj institucioneve publike, MJAFT propozon një set mjetesh të ofruara në formën e platformave elektronike, lehtësisht të aksesueshme nga çdo qytetar. Për të kaluar, më pas, në shpjegimin teknik dhe praktik të secilit komponent të Platformës Qytetare do doja të theksoja që përvoja të ngjashme janë realizuar me sukses në vendet fqinje të rajonit, për këdo që ka interes, do ju ftoja të ndiqni sesionet e kësaj Konference sot edhe nesër për t’u njohur konkretisht me mënyrën se si partnerët tanë i kanë aplikuar këto nisma në vendet e tyre. Komponenti i parë i Platformës Qytetare, Vërtetë-Matësi, është një mekanizëm që synon të analizojw dhe vlerësoj indikatorët e mëposhtëm:
Premtimet e partive politike dhe platformave elektorale
Konsistencën e qëndrimeve politike të partive
Vërtetësinë e deklaratave politike
Realizueshmërinë e politikave
Këta indikator shërbejnë si bazë për realizimin e analizave dhe vlerësimin e politikave nga një skuadër specialistësh të profilizuar sipas fushës së ekspertizës.
Praktikisht: çdo qytetar që kërkon të informohet mbi sa janë realizuar premtimet elektorale; sa është realizuar programi i qeverisw por edhe sa të realizueshme janë deklaratat politike të partive qeveritare edhe opozitare, mjafton të klikojë në www.vertetemates.info, të përzgjedhw premtimin dhe tw informohet mbi statusin e këtij premtimi.
Komponenti i dytë i Platformës Qytetare është ai që e kemi quajtur Votwmatësi, edhe pse faktikisht është më shumë se thjeshtë një format për vlerësimin e preferencës elektorale të qytetarëve. Në thelb të filozofisë së këtij komponenti qëndron ideja e edukimit të qytetarëve me frymën e diskesionimit kritik të platformave politike të partive më të mëdha. Komponenti i tretë dhe i fundit i Platformës Qytetare quhet FIX IT (Rregulloje) dhe përkon me krijimin e website-it www.uneraportoj.mjaft.org. Kjo faqe shërben si një ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve publike për denoncimin e problemeve të komuniteteve të vogla që shpesh eklipsohen nga “politikat e mëdha”. Për të qenë një denoncues, çdo qytetar mjafton të ketë një aparat fotografik ose celular, të bëjw një foto të problemit që e shqetëson dhe ta publikojë në faqen e internetit uneraportoj.mjaft.org, duke dhënë koordinata të sakta të vendndodhjes së problemit dhe një përshkrim të shkurtër të tij. Përmes hartës digjitale lokalizohet vendi i problemit të denoncuar dhe shqetësimi, përcillet përmes skuadrës së projektit në institucionin kompetent. Përmes aktivistëve të saj Lëvizja MJAFT do ta ndjekë hap pas hapi çdo çështje të denoncuar, për të parë vijimësinë e saj dhe reagimin e institucionit përgjegjës për këto çështje, sipas fushave të kompetencës.
