Lëvizja Rinore për Integrim organizoi Konventën Kombëtare Zgjedhore në Shkodër. Në aktivitetin e zhvilluar në teatrin “Migjeni”, qindra të rinj, anëtarë dhe simpatizantë të LRI-së me mjaft entuziazëm, energji dhe besim shprehën mbështetjen e tyre për dy kandidatët që garojnë për kreun e LRI-së.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, dhe deputeti i LSI-së së qarkut Shkodër, Agron Çela , si edhe përfaqësues të tjerë të LRI-së në këtë qark.
Në fjalën e mbajtur gjatë konventës, deputetja Kejdi Mehmetaj deklaroi se LSI-ja ka ditur që në gjithë këto vite t’i kthejë shpresën të gjithë të rinjve shqiptarë për ta parë veten e tyre si pjesë të Shqipërisë, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, duke i bërë ata që të jenë të përfaqësuar në Parlament dhe në këshillat bashkiake.
“Kemi arritur që të përcjellim vlerat më të mira të rinisë shqiptarë, me studentë të shkëlqyer, me studentë të talentuar, me të rinj që kanë ëndrra, shpresa vizione. Ndihem shumë e lumtur, që i shoh këto shpresa dhe ëndrra të mia në sytë e të gjithë të rinjve që tashmë do të punojnë për rininë. Me ju gjithmonë do të kemi mundësinë që të ndërtojmë një të ardhme të mirë për të rinjtë e vendit tonë. Por ama kemi shumë në dorë për të ndërtuar dhe për të formësuar të rinjtë të cilët do të dinë që t’ia dalin mbanë për të ardhmen dhe do të dinë të përballojnë çdo sfidë të së ardhmes”, – tha Mehmetaj.
Deputeti i LSI-së, Agron Çela u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, ndërsa kujtoi se vite më parë LSI-ja ishte e vogël, por sot ajo është shumë, shumë e madhe. Ai tha se çdo investim apo mbështetje për këta të rinj është e merituar, pasi janë shume aktivë dhe me punën e përkushtimin e tyre kërkojnë një Shqipëri ndryshe.
“Jam krenar për rrugën që zgjodha, që të jem pjesë e politikës, njëkohësisht të jem pjesë e kësaj force politike e cila ka vizion, ka të ardhme, ka në pikat kryesore rininë. Gjatë këtyre tre viteve nuk ka munguar asnjëherë vëmendja ndaj jush. Bashkëpunimi i këtyre tre viteve tregohet edhe sot, dhe meritoni një vlerësim të jashtëzakonshëm”, – tha Çela.
