Lëvizje të punonjësve gjatë fushatës, Mandija: Të hetohen drejtuesit e Postës

Gazeta Dita

Zëvendëskryeministrja teknike Ledina Mandija i kërkon Prokurorisë hetimin e drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a.

Sipas Mandijas, e cila kryeson edhe Task-Forcën, drejtuesit e postës kanë kryer lëvizje masive të punonjësve gjatë fushatës.

“Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task Forcës, i ka kërkuar  sot Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e plotë dhe të gjithanshëm ndaj veprimeve arbitrare të drejtuesve të shoqërisë Posta Shqiptare sh.a, të cilët gjatë  periudhës së fushatës zgjedhore nga data 25.5.2017 e deri më sot, po bëjnë lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe”.

Sipas urdhrave të shkarkimeve të vëna në dispozicion të zëvendëskryeministres janë  të paktën 30 raste të tilla, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që numri real i lëvizjeve të punonjësve të jetë edhe më i madh.

Në deklaratën për mediat, thuhet se “grupi i verifikimit në pamundësi për të marrë informacionin nga drejtori i shoqërinë Posta Shqiptare sh.a,  i siguroi të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e cila konfirmoi faktin se pas datës 25.05.2017 janë larguar nga puna 22 punonjës dhe janë emëruar rishtaz 27 persona”.

Referuar këtyre fakteve ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto lëvizje masive të pajustifikuara të punonjësve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore po bëhen për qëllime politike.

Në këto kushte,  zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se lëvizjet masive të pajustifikuara ligjërisht të punonjësve të shoqërisë në qendër dhe në filialet e saj në rrethe në një periudhë relativisht të shkurtër dhe për më tepër gjatë fushatës zgjedhore, janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës, por edhe me përcaktimet e bëra në nenin 88 të Kodit zgjedhor.

Zyra e zëvendëskryeministres vlerëson se,  ekziston dyshimi i arsyeshëm se Drejtori i Përgjithshëm dhe persona të tjerë drejtues të shoqërisë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera me dashje duke vepruar në kundërshtim me ligjin, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

“Për këto arsye, bazuar në pikën 31 gërma -ë)- të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.473, datë 01.06.2017,  zëvendëskryeministrja ia ka referuar këtë rast  Prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, për verifikimin dhe vlerësimin e tij, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale”.

Mandija vlerëson se, pavarësia politike e administratës shtetërore është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojën për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të cilëve u ofrohet shërbim si edhe me nevojën për të garantuar parimet e neutralitetit, paanshmërisë dhe integritetit të nëpunësve të administratës shtetërore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *