Mungesa e higjienës e shkaktuar nga fluksi i lëvizjeve përveç ambienteve të shtrimit, ka mbërritur deri tek dyert e reanimacioneve, ku higjiena duhet të jetë në nivele maksimale.
Hyrje-daljet e pakontrolluara në pavijonet e spitaleve nga familjarët e pacientëve po rëndojnë gjithnjë e më shumë bilancin e higjienës që duhet të kenë shërbimet mjekësore. Problem, ky që po e shton kohën e qëndrimit të pacientëve në spitale, pasi krahas sëmundjes për të cilën janë paraqitur në spital duhet të trajtojnë edhe infeksionet e marra gjatë ditëve të shtrimit. Ndonëse është përcaktuar një orar zyrtar, në të cilin lejohen vizitat e familjarëve, në çdo orë të ditës korridoret e shërbimeve mjekësore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë të mbipopulluara nga të afërmit e pacientëve. Mungesa e higjienës e shkaktuar nga fluksi i lëvizjeve përveç ambienteve të shtrimit, ka mbërritur deri tek dyert e reanimacioneve, ku higjiena duhet të jetë në nivele maksimale.
Krahas familjarëve të cilët mund të hyjnë e dalin lirisht në pavijonet e shërbimeve të QSUT-së, edhe personeli sanitar i kontraktuar për mirëmbajtjen e higjienës duket se nuk po e kryen punën siç duhet. Fakt ky që konfirmohet nga hedhja e mbeturinave nëpër korridore, ku vetëm bishtat e cigareve të hedhura në çdo cep nuk kanë të mbaruar. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në këtë sezon ky viruset dhe ngarkesat mikrobiale që qarkullojnë në ajër janë edhe më të shumta si rrjedhojë e ndryshueshmërisë së temperaturave.
Në dyert e pavijoneve problemet me mungesën e higjienës shkaktohen nga vizitorët e shumtë që hyjnë e dalin në çdo orë të ditës, të cilët shtojnë rrezikun e futjes së viruseve apo mikrobeve të ndryshme. Ndërsa në repartet e reanimacionit ky fenomen ndihmohet edhe nga mungesa e kushteve, pasi ambientet janë të amortizuara. Konkretisht pranë reanimacionit të kardiologjisë numri i madh i pacientëve bën që disa prej tyre të qëndrojnë mbi barela nëpër korridore dhe deri sa t’u hapet një vend.
“Higjiena nuk është si duhet. Vjen i sëmuri këtu, krijohen infeksionet po nuk ka higjienë të mirë. Në reanimacion rrinë në korridor me barrela. Nuk është normale”, shprehet një nga pacientët. Lidhur me mungesën e higjienës, shefi i shërbimit të nefrologjisë në QSUT, Nestor Thereska, vë në dukje se kjo çështje në dukje e vogël mban një peshë të madhe sa i përket përhapjes së infeksioneve. Duke e konsideruar si një gabim madhor neglizhencën ndaj nivelit maksimal të higjienës, Thereska u ka kërkuar mjekëve që të jenë më të vëmendshëm kundrejt higjienës në pavijone, në dhoma apo dhe në sallat e operacioneve.
“Ne e kemi harruar atë propagandën, në kuptimin pozitiv të fjalës, për higjienën, për disiplinën që duhet të ketë i sëmuri që shtrohet në pavijon. Ka rregulla më shumë në spitalet e Evropës, ndaj dhe kanë më pak infeksione”, shprehet Thereska.
Pak ditë më parë, edhe Instituti i Shëndetit Publik nëpërmjet raportit më të fundit vuri në dukje se 22 për qind e pacientëve që shkojnë në spitale për trajtim bëhen mbartës të infeksioneve të marra në këto ambiente si pasojë e higjienës së mangët.
Amortizimi, një tjetër problem
Në masë problemet e higjienës shkaktohen edhe nga amortizimi i godinave spitalore, të cilat tashmë po u nënshtrohen edhe rikonstruksionit për të përmirësuar situatën në to. Ndër më problematikët në këtë drejtim sa i takon higjienës mbetet spitali numër dy, për faktin se amortizimi i ambienteve është jashtë çdo parametri të lejuar. Ndërkohë që në këtë spital vazhdojnë të jenë të përqendruara sallat e operacioneve të urgjencës, në një kohë që ky shërbim duhet të zhvendosej prej kohësh në urgjencën e re.