Lezhë, tre viktima nga përmbytjet

redaktor

Përmbytjet e mbrëmjes së të martës në Qarkun e Lezhës kanë shkaktuar tre viktima.

Ujërat rrëmbyen katër persona, por një 15-vjeçar mundi të dalë vetë me not. Fatkeqësisht, Gjon Zef Kola, 60 vjeç nga Laçi, dhe vajza e tij, 26-vjeçarja Dorina Kola, u rrëmbyen nga uji, ndërsa gjendeshin duke lëvizur me automjet në qendër të qytetit.

Policia gjeti në automjet të mbytur 60-vjeçarin dhe më pas në një distancë më të madhe është gjetur në orën 1 të mëngjesit trupi i 26-vjeçares.

Ndërkohë, rreth orës 23:30, në fshatin Gallatë të Kurbinit, dy të rinj, një 15-vjeçar dhe shoku i tij 21-vjeçar Liman Balloku, po udhëtonin me një motor kur janë rrëmbyer nga ujërat në rrugë.

15-vjeçari mundi të shpëtojë edhe me ndihmën e banorëve, ndërsa 21-vjeçari u gjet i vdekur pas një ore nga ana e policisë. Reshjet në gjithë Qarkun e Lezhës nisën rreth orës 15 të ditës së djeshme.

Menjëherë është ngritur Shtabi i Emergjencës dhe në terren janë angazhuar 300 forca policie, zjarrfikësit dhe punonjësit e bashkive. Niveli i ujit është rritur me shpejtësi, duke përmbytur edhe nënstacionin elektrik, që më pas është stakuar.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, asnjë nga hidrovoret nuk punonte ndërkohë që sasia e reshjeve ishte shumë e madhe, duke nxjerrë jashtë shtratit të gjithë përrenjtë e lumenjtë.

Rrugët në Bashkinë e Lezhës, në Laç, Mamurras dhe në shumë fshatra të zonës janë kthyer në lumenj të vërtetë. Vërshimi i ujërave i mori jetën tre personave, ndërkohë që dëmet materiale nëpër banesa janë shumë të mëdha.

Pas largimit të ujit nga nënstacioni është lëshuar energjia për hidrovoret, që kanë nisur të punojnë. Situata sot po shkon drejt normalizimit, ndërsa moti në gjithë zonën është i kthjellët dhe i ngrohtë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *