Tregu i energjisë pritet të liberalizohet në masën 30 për qind deri në 2018. Tashmë ka një ligj të ri të miratuar për Sektorin e Energjisë Elektrike e ku tashmë po diskutohen hapat konkretë që do të merren në këtë drejtim. Ligji përcakton kalendarin në çfarë mase dhe në cilat afate do të realizohet hapja e tregut.
Në funksion të këtij procesi, shumë shpejt do të realizohet dhe ndërhyrja ligjore për krijimin e modelit të ri të tregut.
Pjesë e tregut të energjisë, që synon në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, do të jetë edhe bursa e energjisë. Ajo do të jetë mekanizmi që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë.
Suksesi i kësaj burse do të varet edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të. Për këtë qëllim Ministria e Energjisë dhe Industrisë zhvilloi dje një tryezë në nivel teknik për ta bërë konkrete këtë nismë. Kreu i kësaj ministrie, Damian Gjiknuri i cilësoi hapat e vendit tonë drejt liberalizimit të tregut të energjisë së si të duhurit.
“Ju e dini tashmë që parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut”, u shpreh ai në takimin e djeshëm organizuar në bashkëpunim me ambasadën norvegjeze në Shqipëri. Duke qëndruar në këtë linjë ai u shpreh se gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën.
“Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid.
Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet”, nënvizoi ministri Gjiknuri. Nga ana e tij ambasadori norvegjez, Jan Braathu shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë së tij, Shqipëria do të arrijë objektivin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe për krijimin e bursës. “Kemi një vizion përtej saj, është një vizion që e ndajmë me qeverinë tuaj dhe me qeveritë e vendeve përtej Shqipërisë, si me Kosovën përshembull, për një treg rajonal energjie.
Ky është hapi i parë, është hapi i rëndësishëm dhe nëqoftëse ne ecim në linjën e duhur atëherë do ta shikojmë këtë zhvillim edhe më tej. Ne do të përforcojmë dhe do të konsolidojmë pozicionin e Shqipërisë në Europën jugore”, u shpreh ambasadori.
Në këtë kontekst, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë. Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë. Në kuadër edhe të procesit të iniciuar nga Konferenca e Berlinit për vendet e Ballkanit, po orientohet fuqizimi i lidhjeve të interkonjeksionit mes vendeve të rajonit.
Vendi ynë ka tashmë funksionale linjën e transmetimit me Malin e Zi dhe me Greqinë. Vitin e ardhshëm përfundon linja e interkonjeksionit me Kosovën dhe fillon ndërtimi i linjës me Maqedoninë. Paralelisht me këtë, po merren masat për të krijuar tregun e energjisë dhe bursën e saj të energjisë. Në një hap të dytë, synohet që edhe përmes shembullit norvegjez të kalohet në një treg dhe bursë rajonale të energjisë.
