Dy janë faktorët kryesorë që pengojnë Kosovën në liberalizimin e vizave; krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ndërmarrja e hapave domethënës në këtë drejtim do të bëjë të mundur liberalizimin e vizave.
Ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, i ka thënë “Kohës Ditore”, se Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave nuk përmban më vete vetëm kritere strikte teknike dhe se një pjesë e madhe e këtyre kritereve janë të natyrës politike dhe subjekt i interpretimit lidhur me përmbushjen e tyre.
Ai ka thënë se ka kushte të tjera për t’u përmbushur, të cilat ndërlidhen pikërisht me këtë çështje.
“Këtu flasim për veprimet në të cilat duhet punuar edhe më shumë dhe ato në mënyrë ekskluzive lidhen me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Çollaku.
Në dy javët e fundit brenda Qeverisë së Kosovës kanë ofruar të dhëna konfrontuese përkitazi me përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe për një mekanizëm që duhet ngritur për t’i përfunduar brenda vitit detyrat e pakryera.