Kryeqyteti i Libisë ishte selia qendrore e terroristëve që organizuan sulmin pengmarrës në Amenas të Algjerisë. Të drejtuar nga Mokhtar Belmokhtari ata u furnizuan në Tripoli me raketa kundërajrore, kallashnikovë, mitrolozë, granata etj. Libia “e çliruar nga Gadafi” është kthyer në strehën dhe bazën furnizuese të Al Kaedës
Franca kërkon të tërheqë Evropën në shkretëtirat e Malit, e megjithatë baza e vërtetë e terroristëve xhihadistë është Libia e “çliruar” prej Gadafit nga forcat e NATO-s. Pas asaj që ndodhi në Amenas të Algjerisë vetëm pak ditë më parë, Londra, Amsterdami dhe Berlini kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që ndodhen në Libi se janë shënjestra të mundshme të grupeve terroriste që veprojnë në këtë vend. Me anë të një komunikate, perëndimorët janë ftuar që të braktisin Bengazin dhe pjesën jugore të Libisë sa më parë.
Sulmi pengmarrës i të huajve në impiantet e naftës në Amenas, që përfundoi me vdekjen e 37 pengjeve dhe 29 terroristëve, të cilët ishin nën urdhrat e Mokhtar Belmokhtar, ishte organizuar në Tripoli. Rezervat ushtarake dhe mjetet e transportit, terroristët i kishin marrë në Libi.
Gjithçka nisi kur Mokhtar Belmokhtar, i përjashtuar nga Al Kaeda për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e drogës, u shfaq në veri të Malit. Aty u ndesh me ish-pjesëtarë të Al Kaedës, si dhe me xhihadistët e Afrikës Perëndimore, të cilët e detyruan të tërhiqej. Atëherë Belmokhtar i kërkoi ndihmë një trafikanti droge dhe armësh, i njohur si Liamin Boukenab, i cili e ktheu kufirin midis Libisë dhe Algjerisë (ku ndodhet edhe Amenasi) në mbretërinë e tij. Boukenab kishte ngritur aty një grup narko-terroristësh të quajtur “Bijtë e Saharasë për drejtësinë islamike”, e që gjithashtu kishte krijuar lidhje me grupe të shumta fondamentaliste libiane, me të cilët bashkëpunonte që para rënies së Gadafit.
Falë Boukenabit, Belmokhtar u fut në biznes me milicët që kanë nën patronazhin e tyre arsenalë me armatime të rënda në depozitat e dikurshme të Kolonelit. Nëpërmjet negociatave, Belmokhtar mbërriti në Tripoli ku qëndroi për 18 ditë. Ndonëse është një nga drejtuesit më të rrezikshëm terroristë në Maghreb, prania e tij në kryeqytetin e shtetit afrikanoverior i shpëtoi shërbimeve të inteligjencës libiane dhe atyre perëndimore.
E megjithatë ky njeri nuk bën biznese të dorës së dytë. Në vetëm 18 ditë ai grumbullon një arsenal të mjaftueshëm për 400 ushtarët e tij: mbi 80 gjuajtëse “pick up”, qindra kallashnikovë dhe mitrolozë rusë “Fmpk”, një duzinë me raketa kundërajrore “Sam 7s”, pesëdhjetë raketahedhëse “RPG-7V2”, granata dore dhe radiotransmetues.
Sulmi në Amenas bëri që pushteti i Mokhtar Belmokhtarit të rritej dhe fama e tij të përhapej në mbarë botën. Në sajë të Boukenabit dhe miqve të tij libianë ai u vu në kontakt me familjen algjeriane Ghediri, e cila është pronare e kompanisë që furnizonte impiantin e naftës dhe është mëse e sigurtë që Ghedirit i kanë në dorë koordinatat e vendndodhjes së Belmokhtarit.
Megjithatë në Amenas pengmarrësit i udhëhiqte Boukenabi, i udhëzuar natyrisht nga Belmokhtari. Ai hyri në Algjeri në krye të komandës terroriste me bindjen se jo vetëm do t’i kapte pengjet, por edhe do t’i transportonte përtej kufirit në bazat libiane të Ghardaias.
Dështimi për të kapur autobusin me punëtorët perëndimorë që i shpëtuan pritës në fazat e hershme të sulmit në Amenas, u pasua me rrethimin e impiantit të naftës ku ndërhyrja ajrore algjeriane në bashkëpunim me atë franceze vrau Bukenabin dhe njerëzit e tij, duke përfshirë edhe një pjesë të pengjeve të pafajshëm.
Roli i Libisë me arsenalin e armëve në këtë masakër tregon se baza e re e furnizimit me armë e Al Kaedës nuk është Mali, por Libia e cila është lënë në kaos pas operacionit të “çlirimit nga Gadafi” nga Franca dhe NATO-ja.
Somario: Falë Boukenabit, Belmokhtari u fut në biznes me milicët që kanë nën patronazhin e tyre arsenalë me armatime të rënda në depozitat e dikurshme të Kolonelit
Përgatiti: Dorina Gjuzi