Librat e artit dhe revistat nga perëndimi në diktaturë

Ornela

Llambi Blido*

Në kushtet e një Shqipërie të mbyllur është e kuptueshme që mundësitë e piktorëve dhe skulptorëve  shqiptarë për të mësuar dhe për të shfrytëzuar arritjet moderne të artit viziv europian qenë të kufizuara. Ata pak artistë që patën privilegjin ta dalin jashtë vendit me udhëtime të shkurtra dhe të njihen me zhvillimet e reja në Paris, Aleksandri etj., në të vërtetë nuk sollën në artin shqiptar asgjë përveç disa shpjegimeve e bisedave të përgjithshme. Kështu për ne të rinjtë e viteve ‘60-të- ’70-të i vetmi burim informacioni  për atë çka bëhej jashtë Shqipërisë u bënë botimet bashkëkohore të artit që fatmirësisht u lejuan të silleshin në Shqipëri në këtë periudhë. Pikërisht në këtë drejtim, u shquan edhe disa individë artistë si dhe nëpunës në institucione të ndryshme të shtetit  që u vunë me vullnet pozitiv në shërbim të artit.

Një personazh i këtillë ishte piktori dekorator dhe metodisti i Shtëpisë së Mësuesit në kryeqytet miku im i hershëm Burhan Cami. Dikur punonjës i Drejtorisë së Shpërndarjes së Librit, Burhani e ktheu shpejt Shtëpinë e Mësuesit në një qëndër të vërtetë të furnizimit të artistëve, të piktorëve të rinj, të dhënë pas modernizmit me literaturë perëndimore të nivelit të lartë.

Botimet zvicerane të SKIRA-s, botimet frënge për artin modern,botimet italiane për artin e zbatuar, arredimet e modës, librat dhe revistat me riprodhime të nivelit shumë të lartë që i merrnim te Burhani pa asnjë vështirësi, u bënë për ne ‘LUVRI’ dhe ‘Muzeu i Artit Modern i Shqipërisë’. Jo vetëm kaq, por Burhan Cami në aktivitetin e tij si metodist i transformoi kabinetet dhe mjediset propagandistiko-edukative të shkollave të kryeqytetit në mënyrë mbresëlënëse. Shumë nga elementet rinovues modern që u reflektuan në krijimtarinë tonë të kësaj periudhe dhe më vonë e patën burimin ushqyes informativ pikërisht nga aktiviteti i këtij njeriu pasionant dhe fisnik.

Një personazh tjetër i mirënjohur tashmë, por në atë kohë i shfaqur si një befasi inkurajuese për artistët e kryeqytetit qe Mihal Hanxhari. Drejtor i Bibliotekës  Shkencore të Universitetit  Shtetëror të Tiranës, Mihal Hanxhari-një frankofon i shkëlqyer u afirmua në ato vite si një artist i vërtetë dhe  poet i dhënë shumë pas artit viziv modern. Ishte iniciativa dhe kujdesi i tij i posaçëm që Biblioteka Shkencore e Universitetit u plotësua shumë shpejt me një fond mjaft të pasur botimesh bashkëkohore të artit, botime të nivelit të lartë. Shumë shpejt një numër i caktuar piktorësh nga më të apasionuarit u bënë frekuentues të rregullt të bibliotekës së Universitetit. Mihali, jo vetëm që u jepte çdo libër që ata kërkonin por i i priste vetë ai, në zyrën e tij, bisedonte me ta si një mik i vërtetë,i  lejonte që t’i merrnin edhe në shtëpi, gjë që nuk mund të ndodhte në asnjë bibliotekë tjetër shtetërore. Kishte raste  madje kur librat i ktheheshin të ndotura me bojë pikturash.

Në tablotë  e krijuara në këtë periudhë nga artistët tanë gjejmë ndikime të dukshme të El-Grekos, Shagallit, Van Gogut dhe Brak, Pikasos, ndikime këto pozitive dhe të domosdoshme për zhvillimin dhe përparimin e gjuhës moderne në art, është aty edhe  kontributi i jashtëzakonshëm i Mihal Hanxharit.

Biblioteka tjetër  që  u shqua për kontributin e saj të posaçëm e të specializuar në ngritjen cilësore dhe zhvillimet moderne të krijimtarisë së artistëve të rinj në këtë periudhë u bë Biblioteka e Institutit të Lartë të Arteve Figurative. Kjo bibliotekë, e nisi jetën e saj më 1964. Qe ideja dhe iniciativa  personale e Kujtim Buzës me përkrahjen dhe ndihmën e Selman Kasapit, në atë kohë drejtor i Ndërmarrjes së Shpërndarjes së Librit, dikur koleg dhe mik i Abdurrahim Buzës, që e krijoi këtë bibliotekë për studentët dhe pedagogët e shkollës së lartë të artit.

Në një kohë të shkurtër një gamë e tërë librash arti të botimeve më të mira të kohës dhe për epoka të ndryshme të mëdha që nga Renesanca e hershme deri tek abstraktsionizmi qenë në dispozicion të studentëve të Institutit të Lartë. Dihet se çfarë roli luajti më vonë kjo bibliotekë e pasuruar herë pas here me botime ekselente që nuk i gjeje në Bibliotekën tonë Kombëtare.

*Piktor, kritik arti

Share This Article
2 Comments
  • Ky eshte Llambi qe akuzohet nga Maks Velo si ish spiun apo intrigues she denoncues I should te ngushte tek siigurimi. Nese eshte e vertete para se te shkruaj duhet e pakta te kerkoje ndjese publike per krimin e bere.

  • Vileford,DANGLAR!
    Si thote edhe orakulli i Estrades Durresit,Fadil Hasa,:-shko dil njehere mos gjen Max Velon rrugeve,per ndoi spiunlluk te vogel,se na u rriten femija.
    As vete Llambi nuk e dinte se existonte,kur vete i ben PUBLICITET Max Velo.Meqense Velo ja beri kete nder,Llambi ka filluar te duket.Shoku,shok mbetet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *