Prof. Dr Ago NEZHA
Në morinë e botimeve dhe veprave dinjitoze, që të ngjallin kërshëri t’i njohësh e lexosh me ëndje është edhe kjo monografi, e titulluar “Bedinajt e Kaninës, gjurmë në histori”, kushtuar një familje atdhetare në Vlorë e më gjerë, e shkruar nga gazetari i talentuar dhe botuesi i njohur i disa veprave letrare, Kujtim Boriçi. Monografitë, në opinionin e gjerë shoqëror, duke pasur prurje shpesh jo të përzgjedhura mirë, konsiderohen si të thjeshta për t’u trajtuar. Por, po të depërtosh në përmbajtjen e tyre, ato në vetvete janë ndër gjinitë më të vështira, pasi duhet të udhëtosh në monopatet e historisë, t’i shkelësh, të zbulosh dhe vërtetosh ngjarje e fakte të shtrira horizontalisht e vertikalisht, në kohë dhe hapësirën pafund. Një ndërmarrje e tillë e mundimshme kërkon kulturë të gjerë të autorit, talent dhe dokumentacion të mjaftueshëm, për t’u interpretuar brenda realitetit të kohës. Kjo nuk i ka munguar autorit, por krahas këtyre resurseve intelektuale, i është dashur të njohë, hulumtojë e të kërkojë në arkivat e shkruara e ato gojore, që të sigurojë lëndën e parë të domosdoshme, për të gatuar një vepër dinjitoze siç është monografia e titulluar: “Bedinajt e Kaninës, gjurmë në histori”.
Të shkruash një monografi të përmasave të tilla, është një iniciativë e guximshme, që rrallëkush e merr përsipër, veç njerëzve të pasionuar pas publicistikës, që nuk përgjunjen para vështirësive dhe përballen hap pas hapi, deri sa dalin në breg të suksesit. Një i tillë, është dhe gazetari i njohur Kujtim Boriçi, që nuk e humb kurajën dhe durimin, për të arritur objektivin që i ka vënë vetes. Ai, ka rendur si gjahtar në shtigje të pashkelura më parë, për të zbuluar rrënjët identitare të pjesëtarëve të kësaj familje gjatë thellësive të shekujve e deri sot. Një “aventurë” kjo, që ngjan me zhytësit që futen në thellësinë e detit, për të nxjerrë perla të fshehura mes shkëmbinjve shekullor.
Autori, gjenezën e familjes Bedini, nuk mund ta shkëpusë nga vendorigjina e saj, Kanina. Ai, i ka parë si dy identitete komplementare, duke e përshkruar Kaninën, si qendër të lashtësisë, të mbuluar me vellon e lavdisë, si një princeshë vezulluese, që i ka dhënë vendit njerëz të mëdhenj, që kanë bërë histori dhe fise të shquara që kanë lënë gjurmë në biografinë e kombit. Kanina, kjo princeshë e Kaonisë, është aristokracia e Labërisë dhe Shqipërisë. Nga ky Qytet-fshat, kanë dalë personalitete të shndritshme, që kanë përcaktuar fatet e kombit në momentet më kritike që ka kaluar vendi. Ata, janë të shumtë dhe zanafillën e kanë që nga shekujt e tretë e katërt para Krishtit e në vijimësi, deri tek trimëria dhe lavdia e Gjergj Aranitit si dhe e Donika Kastriotit, që padrejtësisht eshtrat e saj edhe në ditët e sotme, prehen në Spanjë; apo zgjuarsia, trimëria dhe bukuria e Princeshës Rexhina (apo Regjina), që sfidoi përballjet me Turqit dhe kjo pati të njëjtin fat me Donikën, pasi eshtrat e saj të mbuluar me dheun e Himarës, ndodhen në Korfuz. Kanina, kjo vatër zjarrmore, ky vend përrallor, ballkon i Adriatikut, që sot mban emrin “Nderi i Kombit”, i dha Perandorisë Osmane pesë kryeministra, që eshtrat e tyre prehen te sheshi i Teqesë.
Kanina, ky tempull i trimërisë, patriotizmit dhe bukurisë natyrore e shpirtërore të kaninjotëve, nxori nga gjiri i saj familjen Vlora, nga ku erdhi në jetë mendimtari më i madh i gjithë kohërave, plaku i mençur Ismail Qemali, që krijoi shtetin e parë shqiptar, të lirë e të pavarur nga Perandoria Osmane.
Në këtë libër, autori ka ditur të përshkruaj me nota realiste historiografinë e Kaninës dhe të fisit Bedini. Kur e merr në dorë këtë libër, shuan etjen për një vend me një kolorit të veçantë për lashtësinë, që të pushton nga bukuria e fjalës, ngjarjeve dhe personazheve historik. Po të futemi në terrenin konkret të monografisë, që ka për objekt “Bedinjat e Kaninës, njerëz të pushkës e të penës”, ku personazhi kryesor është Muhamet Bedini, (bashkë me djemtë e nipërit e tij), do ngelemi brenda, se ai është trajtuar nga autori si një det i trazuar, ku gërshetohen si në thellësi ashtu dhe në gjerësi, traditat, zakonet, trimëria, patriotizmi, mençuria popullore dhe bujaria labe. E këto cilësi të rralla të fisit Bedinaj, publicisti Kujtim Boriçi, i ka qëndisur me fije ari, si një kostum tradicional që i rri shumë mirë për shtat këtij fisi të nderuar të kryezonjës së Labërisë, Kaninës.
Autori, i përshkruan Bedinajt, si njerëz të penës, të pushkës dhe të traditës. Atdhetarizmi i tyre në rrjedhën e shekujve ka qenë i pandarë nga çdo ngjarje e histori kombëtare. Emra të njohur në veprimtari të shquara patriotike, janë të shumtë nga fisi i Bedinajve, që i kanë dhënë dritë historisë së fshatit Kaninë. Aty, rreshtohen një “ushtri” emrash, që është e pamundur t’i referohesh veprimtarisë së tyre. Ata mbajnë mbi vete heroizma, kontribute e bëma, që i bëjnë të identifikueshëm në shkallë lokale e kombëtare.
Në këtë monografi, fisi i Bedinajve, si rrallë fise, prezantohet me një mori intelektualësh në fushën shoqërore, ekonomike e politike që rrokin profesionin e mësuesisë, inxhinierisë, mjekësisë, diplomacisë, drejtësisë, ushtrisë e kudo. Autori, ka nxjerrë nga pluhuri i kohës një galeri personazhesh të familjes Bedini të Kaninës, duke nisur startin me Muhamet Bedinin, bashkëluftëtar i Ismail Qemalit dhe zbritur si katarakt tek shumë pasardhës të tij, si Bastri Bedini, Fadil Bedini, Sulo Bedini, Rexho Bedini, Fadili, Reufi e deri tek Valter Bedini, Fatmir Bedini, Lirim Bedini, Niazi Bedini, e më i riu Agim Bedini, që është dhe bashkë-student në shkollën ushtarake me autorin. Pema gjenealogjike e Bedinajve, ngjan me një rrap madhështor që degët e tij shtrihen në gjithë vendin dhe jashtë tij në Europë, Amerikë dhe Kanada, në vitet e fundit.
Në tërë vargun e luftërave për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror, nuk ka pasur rast që të mos ketë pjesëmarrës nga fisi i Bedinajve, si luftëtar aktivë për çlirimin e vendit nga pushtuesit… Ky është një tregues sinjifikativ për traditat patriotike të këtij fisi. Janë shumë pjesëtarë të familjes Bedini të Kaninës, pjesëmarrës në luftëra kundër pushtuesve që nga shekujt e shkuar, ku secili ka lënë gjurmë atdhetarie në brezat që erdhën. Mes të tjerëve, sipas monografisë së Boriçit, mua më ra në sy për disa veçanti, ushtaraku Sulo Bedini… Në sfondin e tërë veprimtarisë së tij të larmishme, më ra në sy një veçori dalluese që rrallë herë e ndesh në personazhe me karrierë drejtuese apo intelektuale, siç është ajo e mbajtjes së ditarit në mënyrë sistematike, gjë që flet për një edukatë dhe korrektesë pune shembullore. Autori e ka parë e përshkruar fisin e Bedinajve në dy rrafshe të spikatura dukshëm, në atë historik dhe human. Protagonizmi i Sulos, ka dalë në pah në tërë dimensionin e tij njerëzor dhe profesional. Nga çdo dritare që ta vështrosh, atë e gjen mes njerëzve të fshatit, të fisit, te njerëzit e thjeshtë dhe te kuadrot me funksion të lartë, që ngjan i barabartë kudo që ndodhet. E, kjo cilësi e ka bërë atë të jetë në kujtesën e njerëzve edhe pas largimit nga jeta.
Duke ndjekur këtë udhëtim të gjatë të shkrimtarit dhe publicistit Kujtim Boriçi, që ka lëvizur mes baticave dhe zbaticave të dukurive dhe ngjarjeve të fisit Bedinaj, shohim se ai krahas të tjerave, ka ndriçuar, ka pasqyruar një histori lavdie e krenarie, që i kalon përmasat e fisit e individit, Kaninës, Vlorës, krahinës së Labërisë dhe, merr përmasa kombëtare. Ai, ka hulumtuar si bleta lule më lule, për të gjetur të dhëna e fakte që i ka interpretuar me mjeshtërinë e gazetarit për të na dhënë një monografi që të tundon ta lexosh.
I uroj autorit Kujtim Boriçi edhe punime të tjera në të ardhmen.
*****
Pikëtakime dhe rastësi që sollën deri në këtë libër…
Kujtim Boriçi
Përgatitja e një libri, është një kalvar i stërmundimshëm, udhë me vështirësi të shumta që nisin nga shtysa për këtë ndërmarrje, objekti, konsultat nëpër arkiva, kontaktet me protagonistët e bashkëkohësit, përzgjedhja e formës së serviries së materialit, impenjimi kohor e profesional deri në printimin e tij; me dëshirën e angazhimin për të arritur më të mirën e mundshme. Kështu ka ndodhur dhe me përgatitjen e librit-monografi kushtuar familjes së madhe patriotike Bedini të Kaninës në Vlorë. Në fund të fundit, kur mbarojnë këto procese e libri është në dorë të lexuesve, tashmë, është ky i fundit që do të bëjë vlerësimin e tij.
Por si autor i këtij libri, e quaj me vend të rendis shkurtimisht disa detaje që më nxitën dhe angazhuan në përgatitjen dhe botimin e kësaj monografie.
Duke punuar gjatë si gazetar, krahas të tjerave, me arkivat, mbështetur në materiale të shumta, kam pasqyruar në medie shumë ngjarje e protagonistë që kanë pasur një rol të rëndësishëm në pikat kulmore historike që ka kaluar vendi ynë ndër shekuj. Ndër ‘to, sigurisht përfshihet dhe ngritja e flamurit e shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë në vitin 1912, rezistenca shqiptare kundër pushtimit nga fqinjët bregdetar më 1920, që njihet si ‘Lufta e Vlorës’, lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e të tjera ngjarje pas nëntorit të vitit 1944. Ndër atdhetarët që kanë qenë të gatshëm me armë e pasuri më 1912, krah Ismail Qemalit, kam ndeshur dhe Muhamet Bedinin nga Kanina. Gjatë rezistencës së pushtimit fashist më 1939, e më pas dhe atë nazist, rezulton se familja Bedini e Kaninës, ishte aktive me njerëz e pasuri në shërbim të saj, ku shumë pjesëtar u renditën luftëtarë me armë në dorë në mbrojtje të vendit, që nga Muhameti, fëmijët e tij Bastriu, Fadili e Rexho, ku spikati dhe nipi më i madh, Sulo Bedini, i ri komunist, partizan e kuadër në Brigadën e V-të Sulmuese, e më pas një nga oficerët madhor në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Dikur, në vitet e para të punës, për disa kohë, kam punuar dhe me Luan Bedinin, pjesëtar i familjes Bedini, një ushtarak ambicioz, i aftë profesionalisht dhe një njeri me zemër të madhe…
Por pjesëtarët e kësaj familje, kanë qenë pjesë e shkrimeve të mia, shkurtimisht, në kontekstin e ngjarjes e kohës kur ka ndodhur… Në një farë mënyre, këto, sa më sipër, për mua kanë qenë rastësi e punës rutinë, të cilat mund t’i quaj pikëtakime të rastësishme, që kohët e fundit, do të ishin pjesë e shtysës për të shkruar këtë libër…
Për sa më sipër, unë do të rendisja dhe njohjen e hershme si skënderbegas e pastaj si studentë e si shokë në vazhdim dhe me Agim Bedinin, një tjetër intelektual nga Bedinajt, futbollist e trajner i njohur, sot ushtarak në një strukturë të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme.
…Duke u marrë gjatë në arkiva si gazetar, ndër të tjera dhe me ngjarje të ndryshme të pas çlirimit, përfshi atë të operacioneve kundër bandave të armatosura që vepronin maleve, (nga njerëz të gjallë sot e nga dokumente sekrete të kohës), hasa dhe një Bedin tjetër. Bëhet fjalë për Sulo Bedinin, ish-drejtues i një sektori të rëndësishëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, hartues e pjesëmarrës në shumë operacione të vështira të kohës që ka realizuar Sigurimi i Shtetit Shqiptar në vitet 1949-1955. Sipas dokumenteve, ai ka qenë pjesëmarrës në të gjitha operacionet e vështira të viteve 1949-1955 që u ndërmorën nga Forcat e Sigurimit të Shtetit kundër bandave diversioniste, të cilat me ndihmën e armiqve të jashtëm donin të rrëzonin pushtetin popullor me dhunë. Në këto operacione, ai ka bashkëpunuar me shokë të rrallë për kohën si Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Pal Mëlyshi, Mark Dodani etj… Sipas dokumenteve të kohës, sidomos atyre angleze dhe amerikane të konsultuara vitet e fundit, këto operacione të organizuara në këtë periudhë nga Sigurimi i Shtetit, jo vetëm ishin profesionalë, por vunë në vështirësi dhe qendrën e palës kundërshtare, e cila më pas, hoqi dorë nga ky synim. Këtë dështim e ka pohuar më pas edhe ish-kryeministri britanik Toni Bler. …Mësova se Sulo, ishte babai i Agimit, shokut tim… U njoha ndërkohë nga familjarët me një arkiv të pasur dokumentesh, që nga Bedini i parë, Muhameti, bashkëluftëtar i Ismail Qemalit, me shumë ditarë të Sulos si partizan, komandant kompanie në Brigadën e V-të Sulmuese, ditarët e luftës me bandat e armatosura, ditarë e dokumente gjatë studimeve ushtarake në Moskë e më pas në punë, letërkëmbime, ngjarje të rëndësishme të dokumentuara me realizmin e kohës e me kulturë, deri në ditën kur u nda aksidentalisht nga jeta në verën e vitit 1956, kur djali i tij i madh, nuk kishte mbushur dy vitet, e i dyti, në barkun e nënës…
Një pasuri e rrallë kjo dhe me shumë vlera. Por gjithsesi, ende nuk kishte një ide për librin.
Në biseda me Rustem Peçin, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, shoqëruar me pohimin kritik “..Ja që na u kujtuat dhe për trimat e këtij vendi, se nuk u ngopët me tradhtarët e kolaboracionistët…”, u bë shtysë për të shkruar diçka më serioze për familjen e njohur Bedini të Kaninës… Po ashtu, takimet e bisedat me Profesor Ago Nezhën, kryetar i Shoqatës Kombëtare “Labëria” (njëkohësisht redaktor i librit); me gjeneral Rrahman Parllaku, bashkëluftëtar i Sulo Bedinit, me ish-partizanin Mersin Minxha, me Seit Jonuzajn, kreun e shoqatës së veteranëve për Vlorën; me historianin Kastriot Hoxha e shumë të tjerë, u siguruan dokumente e kujtime të shumta për librin. Ndërsa duke ‘thyer’ modestinë, djali i Sulos, Agimi, vëllai i Sulos, Lirimi e të tjerë familjarë, u bënë pjesë e rëndësishme në realizimin e kësaj ndërmarrje…
Përballë dokumenteve e kujtimeve të shumta, u desh jo pak punë deri në përfundimin e librit. Siç e përmenda që në fillim, se sa ja kemi arritur qëllimit, e vlerëson lexuesi.

Nje aktivitet mbreselenes mes Muzeut Kombetar Tirane Faleminderi i nderuari Pr Dr Ago Nezha njeherresh kryetar i shoqates Laberia,per ate kativitet te zhvilluar sot 9 -12-2021 per librin* BEDINAJT e KANINES ,Gjurme ne Histori *krijim i te talentuerit shkrimtar ,Kujtim Borici,me nje bagazh mese 30botime, ne botimin e sote men mbi 475 faqe te ilustruara me Foto e dokumenta historike,me nje manifestim te shkelqyer,mes asaj pjesmarie te gjere (edhe mes KOVID-it )qe do te kenate pjesemaresit e shumte .Pjesmamrie e gjere sa dikutimet tere vlera me bene te Ndjej kenaqesi te dyfishte,une 85 vjecari,nje jete mesues e krujues,sa ardhur nga Toronto e Kanadase ,mora pjese sa,percolla pershendetiret e mbi 100 *Pasues Veterane* te organizuar ne organizaten e tyre ne Toronto,sot e 5 vjet te shkuare,shoqeruar me aktivitete te shumta atdhetare.
Sot ne kete aktivite.mes shume bij te Kurveleshit me Vlonjatet e Kanines HISTORIKE,marre pjese e diskutantet sollen konsiderate me te mira,deri pershendetur Artistete e asaj zone me kenget karakteristite..qe u shoqerruan me ovacione.
Ju faleminderit.Miresite i shoqerofshin,
*Pasuesi Veteran85 vjecari-Bir i Dangellise Naimjane!
Tirane 09-12-2021
Ago gravate e vjeter e Sigurimit.. Akoma shkruan…
Edhe Boriçi i gazetës ushtarake te kohes nuk eshte prapa si i kollarisur i Sigurimit
Ago gravate e vjeter e Sigurimit.. Akoma shkruan…
Fatkeqesinkombetare.me keta komentues anti kombetare,,,Akoma i bien fyellit-me nje brime*.Ju lumte pena i nderuar atdhetar Ago Nezha sa shkruni.. Me ju*Dhimbie e madhe POPULL!.* Lavdi te reneve per atdhe!