Panairi i ‘Klik Ekspo Group’ që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në datat 21-25 nëntor, do të ketë në qendër të tij bashkëjetesën mes biznesit dhe artit.
Çdo ditë gjatë Panairit në orën 10:00-12:00 dhe 17:00-19:00 do të zhvillohen orët e leximit, ku artistë të njohur nga vendi dhe bota do të prezantojnë publikimet e tyre më të fundit dhe do të diskutojnë me të pranishmit mbi idetë e librave të ndryshëm.
E gjitha është konceptuar si një platformë jo vetëm prezantuese, por edhe debat e diskutim në këtë hapësirë ekspozimi dhe prezantimi.
Në datën 22 nëntor në orën 17:00 do të prezantohet vepra “Albania, Memoria e Oblio”, e autores Kesiana Lekbello. Libri është një vizitë kritike në zemër të Shqipërisë me fakte dhe dokumente që vërtetojnë paaftësinë e shqiptarëve për të menaxhuar “lirinë”.
Në ditën e hënë 23 nëntor do të ketë shfaqje filmike të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Arkivit të Filmit. Gjithashtu në datë 22 nëntor do të ketë një Prezantim të Hartës Dixhitale të Monumenteve të Kulturës. Po ashtu do të zhvillohet edhe dita e Personazheve në Panair. Gjithashtu në panair nuk do të mungojë edhe një Workshop pikture me fëmijët organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve. Po ashtu do të ketë një performancë të Cirkut të Tiranës. Një moment i veçantë i Panairit do të jetë edhe sfilata e modës e Grace Models Agency të stilisti Giorgio Fabiani.
Një ditë më pas në panair do të zhvillohet dita e personazheve ku do të prezantohen personazhe të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ditën e fundit në panair do të ketë shfaqje të Teatrit të Operas dhe Baletit në një takim dhe përjetim me personazhet e veprave të mëdha si dhe do të mbahet një shfaqje e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Por qëllimi i Panairit është bashkëjetesa mes artit, kulturës dh biznesit. Prandaj çdo ditë e Panairit do të ketë prezantim të një pavijoni të bizneseve të huaja. Në panair do të prezantohen pavijonet e Serbisë, Polonisë, Kroacisë, Bosnje Hercegovinës, Hungarisë, Italisë, Kinës etj.
Në çdo ditë të Panairit do të ketë takime ndër-profesionale, B2B, workshop etj.: çdo ditë në oraret 12.00-14.00 dhe 16.00-18.00, organizuar pranë stendave të ekspozimit dhe hapësirat e dedikuara nga organizatori.
