Ksenofon Krisafi
Titulli i mësipërm i këtij shkrimi edhe pse intrigues në pamje të parë, i referohet një të vërtete të pamohueshme. Ekziston një libër i tillë, i cili prej disa muajsh ndodhet në qarkullim. Kush është i interesuar e gjen me titullin “Vjedhësi i librave, tregime”, publikuar nga “Botimet Barleti”, 2021. Autor është Shpëtim Emiri, për fat “hajdut”, ose siç shkruhet në kopertinë, “vjedhës”. Akuzën si vjedhës librash ia kanë vënë disa gojëpërdalë, “akuzë” që rezultoi e pambështetur “në fakte dhe prova’, siç thonë disa nga ata që kanë fatin të ballafaqohen me segmente të caktuara të drejtësisë. Pra nuk doli vjedhje. Këtë e dinin edhe ata që e lëshuan nga goja pa e menduar mirë. Autori, i zhgënjyer nga një episod, të cilin e ka përshkruar me hollësi në tregimin që mbyll librin e vet, bën lojë me titullin e mësipërm. Sepse librat nuk i “vodhi”, i mori. Në kohën e rënies së sistemit monist, u rrënuan, u shkatërruan, u vodhën e u plaçkitën me qindra ndoshta me mijëra institucione, ndërmarrje, depo, magazina, deri edhe vreshta, ullishta, plantacione me agrume etj, anë e kënd vendit. Këtë fat pësuan edhe librat… Shpëtimi shpëtoi aq sa mundi ca libra që edhe mund të digjeshin si në kohën e Hitlerit. Një arsye banale e invokuar rëndom në ato kohë ishte se i përkisnin periudhës së komunizmit, fara e keqe e të cilit duhej zhdukur nga faqja e dheut edhe duke mos lënë asgjë në këmbë. Arsyeja themelore kishte të bënte me prirjen për të përfituar pa të drejtë dhe kushdo rrëmbeu prej tyre ç’mundi. Këtë fat, pak a shumë, do të kishte edhe Ndërmarrja e Ndërtimeve Industrale, një nga më të mëdhatë e më të dëgjuarat në vend.
Kryeinxhinieri duke ndjerë me dhimbje plaçkitjen e “shtëpisë” së tij të dytë, i bindur se plaçkitjes së zakonshme nuk do t’i shpëtonte as zyra dhe librat, të cilat deri në atë kohë askush përveç tij, nuk i kishte prekur me dorë, i mori dhe i çoi në shtëpi. I mori ditën në diell duke menduar se atij mund t’ shërbenin ende, kurse plaçkitësve nuk iu dihej.
E nisa në këtë mënyrë jo rastësisht shkrimin për mikun tim, shokun e fëmijërisë dhe të gjimnazit, inxhinierin e talentuar, i cili para pak kohe publikoi botimin e lartpërmendur. U përpoqa të ndiqja stilin e tij të humorit të paarritshëm, elegant dhe plot nënkuptime, që e shoqëron çdo çast në të folur, në të punuar e në të shkruar.
Eshtë libri i tij i tetë. Ato janë lexuar, janë pëlqyer dhe komentuar me vlerësime shumë të mira. Madje një miku ynë i përbashkët, artisti i madh dhe njëkohësisht skulptor i popullit, Mumtaz Dhrami, në formë shakaje është shprehur se “më duket se ky Shpëtimi është divorcuar me inxhinierinë dhe është martuar me letërsinë, duke shtuar se tashmë ai njihet më shumë për shkrimtar se sa për inxhinier”.
Për t’iu përgjigjur shakasë së Mumtazit, dëshiroj me këtë rast të afirmoj të vërtetën e madhe se Shpëtimi nuk është divorcuar aspak me inxhinierinë, specialitetin e vet të zemrës, që e përvetësoi në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, të cilin e mbaroi me rezultate mjaft të larta. Dijet e gjera e të thella në fushën e inxhinierisë i zbatoi për dekada të tëra, në vepra gjigande, për një pjesë të të cilave flitet në faqet e “Vjedhësit të librave”. Ato dëshmojnë vlerat e larta të shkollës shqiptare të asaj kohe, cilësitë dhe talentin e specialistëve që ajo përgatiti si dhe të disa dhjetra mijëra njerëzve të zakonshëm që derdhën djersë e mund për ndërtimin e tyre.
Letërsinë autori e ka pasur gjithmonë shum të dashur dhe nuk është ndarë asnjëherë me të. Për shkak të angazhimeve të shumta dhe vështirësive të mëdha që ka përballuar si inxhinier, është marrë me shkrime në dhjetvjeçarin e fundit, në pauzat e krijuara për t’u shlodhur, relaksuar dhe qetësuar nga ngarkesat e rënda të punëve të përditshme në kantieret ndërtuese.
Si provë e kësaj që sapo thashë do të përmend një ndodhi që ka ngjarë gati gjysmë shekulli më pare, ku shkëndijoi edhe nxënësi Shpëtim Emiri.
Gjimnazi “Asim Zeneli”, ku ne kemi mbaruar studimet e shkollës së mesme, ka qenë përherë një vatër e ngrohtë, ku janë formuar krijues dhe talente të spikatura në fusha të ndryshme të artit, kulturës, shkencës etj.
Duke qëndruar te letërsia ajo nis nga emra të mëdhenj, me shumë famë si Ismail Kadare dhe Dritero Agolli, të cilëve iu janë shtuar edhe talente të rrallë si Agim Shehu, Jorgo Bllaci dhe shumë të tjerë të brezave të mëvonshëm. Midis tyre janë Foto Malo, Halil Laze, Petro Çerkezi, Thanas Dino, Odise Kote, Vllasova Musta, Valentina Mosko, Katjusha Latifi (Pogaçe) dhe shumë e shumë të tjerë, të cilët nuk është e lehtë t’i sjellësh ndërmend dhe t’i përfshish në një shkrim i cili ka tjetër qëllim. Në fushën e letërsisë meritë të veçantë kishte mësuesi ynë i dashur i letërsisë, poeti Agim Shehu. Ai kishte krijuar “rrethin letrar” ku bashkoheshin të gjithë nxënësit që shfaqnin prirje në poezi, prozë, kritikë letrare etj. Nga klasa jonë, krahas Foto Malos dhe Petro Çerkezit, dallohej edhe autori i “Vjedhësit të librave”.
Në shkollën “Asim Zeneli” të Gjirokastrës ishte institucionalizuar një rit, sipas të cilit kohë pas kohe vinin nga Tirana Ismail Kadareja dhe/ose Dritero Agolli. Me ta mësuesi ynë, Agimi, organizonte diskutime të gjera në kuadrin e “rrethit letrar” ose edhe me ndonjë grup më të madh nxënësish e pedagogësh. Diku nga fundi i vitit të parë në një nga takimet me Ismail Kadarenë, ky i fundit shprehu mendimet rreth krijimeve të disa prej nxënësve që ia kishte dhënë mësuesi ynë, që i lexonte paraprakisht duke vendosur se cilat do t’i kalonte Kadaresë. Agimi, pasi foli për përshtypjet e mira të Kadresë për disa krijime, tregoi si diçka të çuditshme që ai pati pëlqyer edhe disa vargje të një vjershe të Shpëtim Emirit, të cilat atij nuk i dukeshin aq të arrira. Me sa më vjen ndërmend vjersha i kushtohej, dritës dhe elektrifikimit të vendit. Merrte shkas nga hidrocentrali i Bistricës, i cili sapo kishte përfunduar së ndërtuari. Nxënësi e krahasonte tunelin e hidrocentralit me një grykë topi, e cila qëllonte me predha drite mbi errësirën.
Shpëtimi nuk iu nda letërsisë, lexonte sa mundte, madje edhe botoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ndikonte pa dyshim jo vetëm fakti që ishte anëtar i “rrethit letrar”, por që ishte djali i Alizot Emirit, eruditit, gjithë mend e humor, librarit të famshëm të qytetit të Gjirokastrës. Ati i tij, që ua injektonte dashurinë për librin, për dijen, cilitdo që hynte në dyqanin e vet, nuk kishte si të mos “bënte punën” e duhur me fëmijtë e vet. Për të njëjtën arsye edhe më i madhi, Ibrahimi, gjithashtu ka shkruar dhe publikuar botime shumë të bukura. Besoj se këtu e ka zanafillën dashuria dhe pasioni i pashuar i Shpëtim Emirit për letërsinë edhe pse këtu ka një paradoks të pabesueshëm. Siç më ka thënë ai vet, në deftesën e tij të shkollës së mesme, nota më e ulët ka qënë ajo e letërsisë (kishte vlerësimin 8), si “për të prishur synë e keq” të 10-ve në lëndët e tjera.
U zgjata disi shumë te prezantimi i autorit me qëllim që ai që do të ketë rastin ta lexojë të kuptojë më mirë vlerat e librit, i cili e prezanton autorin si një penë autoritare, që shkruan jo vetëm me mend, por edhe me art e kulturë dhe natyrisht me të veçantën, humorin shpotitës.
Libri është një homazh vlerësimi për punën e jashtëzakonëshme të disa mijëra inxhinierëve ndërtues e projektues që, së bashku me dhjetra mijëra teknikë e punëtorë, kanë punuar me sakrifica, devocion e përkushtim, për të ndërtuar deri në skajet më të largëta të vendit qindra vepra të mëdha, të krahasueshme edhe me ato të vendeve të tjera.
Në këtë libër, sikurse edhe në librin e inxhinierit tjetër të talentuar Ibrahim Emirit, “Mbresa të një projektuesi” (Shtëpia botuese Botimet “Barleti”, Tiranë 2021), lexuesi i zakonshëm zbulon një botë të panjohur. Askush nuk do ta kishte të lehtë të përfytyronte dhe të vlerësonte realisht punën dhe sakrificat e këtyre që kanë marrë përsipër të sjellin realitetin e një Shqipërie që u ndërtua përmes vështirësish të panumërta. Janë dëshmi rrënqethëse që japin të gjalla jetën e atyre njerëzve, që rininë e lanë kantiereve, të cilët në shumë raste qëndronin me ditë e me javë larg fëmijëve, bashkëshorteve, prindërve, miqve e shokëve, që ishin të privuar nga argëtimet, kinematë, shfaqjet teatrore, shëtitjet në bulevardet e qyteteve etj. Ata u përballën me vështirësi shpesh herë të paimagjinueshme, deri edhe me kërcënime, presione, ankth, frikë etj.
Gjithësecilit që i binte rasti të kalonte pranë kantiereve të rrethuara me gardh dërrasash, apo tela me gjemba (kur punohej edhe me të burgosur), dëgjonte zhurmën e pambarimtë të ndërtuesve dhe nuk e merrte me mend se brenda gardhit, krahas punës gëlonte jeta. Disa dhjetra ose qindra njerëz që punonin edhe jetonin, kishin aty kafenenë dhe ndonjë mencë modeste, fjetoren etj, ku jetonin, flisnin për veten, familjet, fshatin a qytetin nga vinin, bënin shakara, nervozoheshin, ziheshin, pajtoheshin, uleshin e pinin raki me djathë, speca, qepë e hudhra etj. Për një pjesë prej tyre jeta aty ishte “cikël i mbyllur”, aty punonin dhe jetonin gjashtë ditë të javës.
Kur hiqeshin skelat dhe zhvendosej gardhi shihej një shesh i pastruar dhe i sistemuar, një vepër e mbaruar, frut i talentit të projektuesve dhe ndërtuesve. Një pjesë e kësaj mrekullie, bashkë me sakrificat dhe ndonjëherë me heroizmin e njerëzve të thjeshtë, pasqyrohen në faqet e librit “Vjedhësi i librave”. Ai i kushtohet veprimtarisë së autorit si inxhinier ndërtimi dhe kryeinxhinier ndërmarrjeje. Është edhe një homazh fisnik tepër njerëzor për teknikët dhe punëtorët, për të cilët shprehet me vlerësim sublime. Është i tillë edhe për kolegët e tjerë, që hera-herës kanë punuar “me një këmbë te dera e burgut”, me gjakun ujë dhe gjymtyrët e paralizuara, siç shprehet autori.
Duke u ndalur në këto situata stresi dhe peripecish të zakonshme pune, pothuajse të përhershme, inxhinieri, por tashmë edhe shkrimtari Shëptim Emiri, sjell krijime të mrekullueshme dhe me vlera, të cilat e mbajnë lexuesin në ankth. Kushdo që do të ketë rastin të lexojë tregimet e këtij libri, do të mësojë se si ndonjëherë “fati varej në gozhdën” e brigadier Gafurit.
Lexuesit i mbeten ndërmend përshkrimet, respekti, dashuria, mirënjohja dhe miqësia e pakursyer ndaj Etemit, Artanit, Ladit, Mikelit, Spiros, Kristos, Spartakut, Petraqit, Yllkës, Dionisit, Arizit, Nekiut, Jorgjit, Mitit, dhe dhjetra e dhjetra të tjerëve, miq e bashkëpunëtorë të autorit.
Të gjitha tregimet e këtij libri të një lloji të veçantë, që kanë vlera të jashtëzakonshme, e fusin lexuesin në një atmosferë thjeshtësie, sinqeriteti, solidariteti, miqësie të vërtetë, të cilën e përshkon tej e ndanë puna e palodhur e njerëzve të mirë të kantiereve ku ndërtohej vendi në ato kohë tepër të vështira. Mjaftonte një pakujdesi e lehtë ose një intrigë e rafinuar, që të përfundoje i internuar në humbëtira të largëta ose në qelitë e burgut. Prandaj trajtimi i tyre në vepra artistike i shërben, veç të tjerash edhe njohjes së opinionit, veçanërisht brezit të ri qe ka lindur pas permbysjes se regjimit komunist, i cili nuk i di, nuk i merr me mend dhe nuk i kupton ato realitete.
Duke treguar artistikisht episode që duken të zakonshëm e të parëndësishëm, autori Shpëtim Emiri, prezantohet si vëzhgues i hollë i jetës njerëzore dhe si njohës shumë i mirë i traditës dhe i artit bashkëkohor. Prandaj ka arritur të trajtojë me shumë art dhe mjaft bukur probleme madhore sociale me të cilat është përballur bota shqiptare e kohës kur hidheshin themelet e Shqipërisë së sotme. Parë në këtë optikë libri “Vjedhësi i librave”, është një vepër me vlera të shumta artistike, kulturore, njohëse, edukuese dhe me shumë interes për një publik të gjerë.
