Licencat e reja, 1384 infermierët që kalojnë në testim

Pranvera Kola

Gara për licencat e reja në mjekësi pritet të nisë të enjten e datës 16 nëntor, ku të parët që do i nënshtrohen provimit të shtetit janë infermierët. Pas vlerësimit të dosjeve të paraqitura, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ka detajuar kalendarin me datën dhe orarin e testimit për secilin kandidat që konkuron për të fituar për herë të parë lejen e ushtrimit të profesionit të infermierit.

Gara pritet të jetë e ashpër, pasi për testin e licencës garojnë plot 1384 infermierë të rinj të diplomuar gjatë viteve të fundit, si në strukturat publike, ashtu edhe në ato private të arsimit të lartë në vend. Ndërkohë që secili prej këtyre kandidatëve ka shlyer edhe detyrimet e ndjekjes së praktikës profesionale sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të shtetit.

Si shkak i numrit të lartë të kandidatëve që konkurojnë për licencën, autoritetet e QSHA-së, bëjnë me dije se provimet për këtë profil do të zhvillohen me tre turne për tetë ditë me radhë. Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara datat dhe oraret kur secili kandidat duhet të paraqitet për të dhënë testin e licencës.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Ditën e testimit duhet të paraqiteni në QSHA 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ndërkohë që duhet të keni detyrimisht me vete këto dokumente: “Kartë Identiteti për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal si dhe kopje të tyre), faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë”. Duhet të bëni kujdes, pasi mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit. p.k/dita

Klikoni: 
Lista e infermierëve që do testohen për licencën

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *