Licencat e reja/ Ja kur nis testimi për mjekët, farmacistët dhe stomatologët! 

Ornela

 

Edhe profesionistët e rinj të shëndetit do të nisin garën përgjatë javës së ardhshme për licencat e reja në mjekësi, stomatologji dhe farmaceutikë. Tashmë janë përcaktuar edhe datat konkrete se kur do të zhvillohen provimet e shtetit për secilin nga këto profile.

Rezultatet e këtij provimi janë vendimtare për të gjithë kandidatët që duan të sigurojnë lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut, farmacistit dhe stomatologut. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur gjatë ditës së djeshme kalendarin me datat përkatëse të testimeve.

Farmacistët do të jenë të parët që do të zhvillojnë provimin e shtetit në këtë sezon. Për këtë kategori është vendosur që provimi i informatizuar të zhvillohet në datën 11 korrik, ku kandidatët duhet të paraqiten vetëm në oraret e përcaktuara specifikisht për ta për të zhvilluar testin. “Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar”, bëjnë me dije zyrtarët e QSHA-së. Referuar këtij kushti duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të shihni me vëmendjen datën dhe orarin se kur duhet të paraqiteni për të dhënë provimin, pasi në të kundërt duhet të prisni sezonin e radhës, për të konkuruar sërish për licencën, e deri në këtë kohë nuk mund të aplikoni për vendet e lira të punës, si në strukturat publike mjekësore, ashtu edhe në ato private.

Për mjekët provimet do të zhvillohen në datën 18 korrik duke ndjekur po të njëjtat rregulla, ndërsa stomatologët e rinj do të mund të zhvillojnë testimet në datat 24 dhe 25 korrik. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kalendarin me datat dhe oraret e testimeve për secilin nga këto profile, teksa gjatë ditëve në vijim, QSHA do të shpallë edhe listën zyrtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e kësaj gare në këtë sezon.

Për të mos u skualifikuar nga provimi, çdo kandidat duhet të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e testit,  dhe duhet të jetë i pajisur me: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal), kopje të Kartës ID ose Pasaportës, faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë, bazuar në herën e pjesëmarrjes. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.

Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Vetëm pasi të marrin testin e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune në strukturat publike, ashtu dhe në ato private. Një pjesë e konsiderueshme e kandidatëve që testohen përgjatë këtij sezoni rikthehen në garë për të disatën herë, pasi në sezonet e zhvilluara gjatë viteve të shkuara nuk kanë arritur që të marrin pikët kalues.

Sikundër ndodhi edhe më mësuesit, për shkak të situatës së krijuar në vend nga Covid-19, edhe për profilet mjekësore testimi i informatizuar do të zhvillohet duke ndjekur me kujdes protokollet e higjienës dhe distancimit fizik të rekomanduara nga dikasteri i Shëndetësisë. QSHA është udhëzuar tashmë për ofrimin e sigurisë maksimale dhe kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare, duke ofruar pastrim dhe dezinfektim të ambienteve të provimit me solucione dezinfektuese të miratuara, përpara dhe pas çdo seance provimi, pastrim dhe dezinfektim të pajisjeve fizike të ambienteve të provimit, si: kompjuterët, pajisjet elektronike, karriget, tavolinat, etj, vendosje të solucioneve dezinfektuese në hyrje të çdo ambienti provimi, respektim të distancës 1,5-2 metër ndërmjet kandidatëve gjatë gjithë proceseve të zhvillimit të provimit, mundësinë e kryerjes së provimit në kabina të veçanta për secilin kandidat, duke respektuar distancën fizike nga njëri- tjetri, si dhe pajisjen me mjetet e duhura mbrojtëse si maska dhe doreza plastike, të stafit të institucionit dhe personave të jashtëm, të përfshirë në proceset e zhvillimit të provimit.

 

Datat e testimit për secilin profil

 Në ditën e provimit çdo kandidat duhet:

  • Të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para nisjes së provimit.
  • Të jetë i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike.
  • Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 – 2 metër nga kandidatët e tjerë.
  • Të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit.
  • Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit.
  • Të mos ketë me vete celularë, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *