Vetëm kandidatët që kanë arritur të shlyejnë të gjitha detyrimet me praktikën profesionale kanë të drejtë të japin provimin e shtetit në muajin dhjetor, për të fituar licencën profesionale në një nga specialitetet e përcaktuara mjekësore.
Pas miratimit të marrë nga urdhrat profesionalë mbi listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në këto provime, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur kalendarin e testimeve për 8 specialitetet e ndryshme mjekësore. Sipas përcaktimeve të bëra, të diplomuarit në degën e farmacisë do të iniciojnë provimet e shtetit më datën 10 dhjetor.
Dy ditë më pas provimeve do t’u nënshtrohen kandidatët e degës së stomatologjisë. Në vijim do të jenë testimet për degën e infermierisë, kategori për të cilën janë lënë më shumë ditë provimi, pasi dhe numri i kandidatëve që testohen është më i lartë.
Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar kalendarin e plotë të testimeve për specialitetet mjekësore në farmaci, stomatologji, infermieri, mami, teknik laboratori, logopedi, imazheri dhe fizioterapi. Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se një përqindje e madhe e kandidatëve që do japin provimin e shtetit gjatë muajit dhjetor, janë përsëritës për të disatën herë.
Madje ka nga ata kandidatë që tentojnë të hyjnë në këtë provim për herë të fundit, pasi është prova e 5 që japin provimin e specialitetit. Në rast se do të dështojnë edhe në këtë raund, kjo kategori kandidatësh nuk ka më të drejtë që të ushtrojnë profesionin për të cilin është diplomuar.
Agjencia Kombëtare e Provimeve gjatë këtyre ditëve do të shpallë në faqen e saj online edhe listën zyrtare të kandidatëve që do të hyjnë në provim, ku për secilin prej tyre përcaktohet ora që duhet të paraqitet në agjenci për të zhvilluar provimin.
Ndërkohë që deri në datën 5 dhjetor pranë Agjencisë do të vijojnë provimet e shtetit për profilet e ndryshme të mësuesisë. Janë me qindra kandidatët që tashmë po i nënshtrohen këtij provimi, rezultatet e të cilit lejojnë pajisjen e tyre me licencën e ushtrimit të profesionit.
Kandidati për provim duhet të paraqitet në AKP 40 min para nisjes zyrtare të testimit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: “Letërnjoftim (Kartë Identiteti ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal), faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të Agjencisë së Provimeve të derdhur në një bankë të nivelit të dytë ose në postë, sipas herës së pjesëmarrjes në provim.
Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë edhe certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim”.
Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit apo marrjes me vete të celularëve, teksa duhet të shmangin edhe komunikimet gjatë provimit, pasi në të kundërt rrezikojnë përjashtimin dhe humbjen e licencës në këtë sezon.
