Nje tjetër sezon testimi për licencat e reja në shëndetësi do të zhvillohet përgjatë muajit janar. Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka konfirmuar tashmë se provimet e shtetit për licencat e reja profesionale në shëndetësi do të zhvillohen duke nisur nga java e dytë e muajit janar të vitit 2021.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në sezonin nëntëmbëdhjetë në mjekësi, bëjmë me dije se provimet do të zhvillohen duke filluar nga java e dytë e muajit janar 2021. Kalendari dhe listat emërore me oraret përkatëse për çdo kandidat, do të publikohen në ditët në vijim në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore www.qsha.gov.al,” sqaron QSHA.
Në këtë sezon do të garohet për lejet e reja të ushtrimit të profesionit të mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, fizioterapistit, mami, logopedistit, si dhe teknik imazherie dhe teknik laboratori. Për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia e Covid-19, ekspertët e QSHA-së bëjnë me dije se testi i informatizuar do të zhvillohet kundrejt rregullave të përcaktuara tashmë nga dikasteri i Shëndetësisë, rregulla që kanë të bëjnë me kujdesin për higjienën, ruajtjen e distancës, si dhe pajisjen dhe materialet e duhura maskat dhe dorezat.
Për të shmangur grumbullimet, provimet e shtetit do të zhvillohen sipas një kalendari me data dhe orare të përcaktuara jo vetëm sipas specia;itetit, por edhe për secilin kandidat që plotëson kushtet për të hyrë në këtë provim. Referuar këtij kushti duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të shihni me vëmendje datën dhe orarin se kur duhet të paraqiteni për të dhënë provimin, pasi në të kundërt duhet të prisni disa muaj deri sa të hyni sërish në tetsin e licencës, e deri në këtë kohë nuk mund të aplikoni për vendet e lira të punës, si në strukturat publike mjekësore, ashtu edhe në ato private. Një tjetër këshillë tek e cila ekspertët e QSHA-së vënë theksin është edhe dosja e dokumenteve që duhet të keni me vete në ditën e testimit. Në mungesë të njërit prej dokumenteve, nuk do të lejoheni që të hyni në ambientet e tetsimit. Kandidatët që testohen për herë të parë gjatë këtij sezoni do të shlyejnë një tarifë prej 10 mijë lekësh.
Kështu në ditën e testimit duhet të paraqiteni pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar për zhvillimin e provimit, teksa duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal) dhe kopje të tyre, si dhe faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë bazuar në herën e pjesëmarrjes, si dhe mjetet mbrojtëse ndaj Covid-19”. Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.
Në ndihmë të kandidatëve që do testohen në këtë sezon, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit kanë detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Vetëm pasi të marrin testin e licencës, këta profesionistë të shëndetit do mund të aplikojnë për të fituar një kontratë pune, si në strukturat publike, ashtu dhe në ato private.
“Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA.
