Licencimet për infermierët e rinj, ja kur do zhvillohet gara

Ornela

Para se të hyjnë në garë për licencat e reja, infermierët e rinj duhet të kalojnë edhe një tjetër test që ka të bëjë me vlerësimin e njohurive të fituara gjatë ndjekjes së praktikës profesionale.

Janë me qindra kandidatët në pritje të nisjes së regjistrimit për të dhënë provimin e praktikës profesionale, vlerësimi pozitiv i të cilës shërben si kusht për të hyrë më pas në testimin final të marrjes së licencës për ushtrimin e profesionit në këtë profil.

Drejtuesit e Urdhrit të Infermierit bëjnë me dije se përgjatë muajit që vjen të gjithë të diplomuarit në profilin e infermieristikës, fizioterapisë, teknikës së laboratorit, imazherisë, duhet të japin provimin e aftësimit praktik. Këtij testimi do t’i nënshtrohen edhe kandidatët që rezultuan mbetës në sezonin e zhvilluar pak muaj më parë.

Regjistrimi për testin e praktikës

“Në datën 18-20 shtator do të bëhen regjistrimet për të gjithë ata që duhet të japin provimin e vlerësimit të praktikës profesionale që do të zhvillohet në muajin tetor.

Për të krijuar mundësinë e pjesëmarrjes në provim, të gjithë kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë zyrave të urdhrit ku kanë bërë regjistrimin për ndjekjen e praktikës dokumentet e kërkuara sipas afateve të përmendura”, bëjnë me dije autoritetet drejtuese të Urdhrit të Infermierit. Konkretisht në dosjen e regjistrimit për testin e praktikës duhet të përfshini: “Kërkesën për regjistrim në provim, ku do të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim praktike, fotokopje të diplomës dhe listës së notave, fotokopje e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit, si dhe librezën e praktikës”.

Referuar datave të testimit, autoritetet e Urdhrit të Infermierit theksojnë se provimet e praktikës do të zhvillohen në datat 16-20 tetor sipas listave zyrtare që do të shpallen po nga ky institucion.

Për kandidatët që japin provimin e praktikës për herë të parë gjatë këtij sezoni, saktësohet se nuk kanë nevojë të bëjnë konfirmim pjesëmarrje për provimin final të licencës që do të zhvillohet në muajin nëntor, kjo pasi për të gjithë fituesit e testit të praktikës, emri herën e parë regjistrohet automatikisht për Provim Shteti.

Aplikimet për testin final të licencës

Gjithashtu burimet zyrtare të këtij Urdhri konfirmojnë se në datat 21, 22 dhe 25 shtator do të çelen edhe procedurat e konfirmimit të pjesëmarrjes për të gjithë ata kandidatë që kanë mbetur ne provimin e licencës gjatë sezonit të shkuar, të cilët do të garojnë sërish në nëntor për të siguruar licencën nëpërmjet marrjes së rezultateve pozitive në provimin e informatizuar të shtetit. Këta kandidatë duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës ku duhet të përfshijnë:

“Një kërkesë ku duhet të përcaktoni saktë për të satën herë hyni në provim shteti. Në rast se konstatohet që keni deklaruar gabim, penalizoheni duke u skualifikuar nga e drejta për të dhënë provimin këtë sezon. Pjesë e kësaj dosjeje duhet të jenë edhe fotokopja e diplomës dhe listës së notave, si dhe fotokopja e kartës së identitetit dhe kartës së praktikantit”.

Sipas procedurës së dhënies së provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara, kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës.

Këta kandidatë duhet të presin sezonin e radhës për të hyrë sërish në këtë provim, e vetëm nëse do mund të kalojnë do të pajisen me licencën për të vijuar më tej me procedurat e punësimit. Nëse kandidati nuk paraqitet në provim në orarin dhe ditën e përcaktuar, si dhe kur tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Ditën e provimit, çdo kandidat që është pjesë e listës së zbardhur nga AKP, duhet të ketë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe mandat pagesën nëpërmjet të cilës dëshmon tarifën e derdhur për llogari të dhënies së provimit të shtetit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *