Licencimi, sezon provimesh në korrik për mësuesit e rinj

redaktor

Profesionistët e rinj të mjekësisë duhet të presin dhjetorin për të hyrë në provimin e licencimit, rezultatet e të cilit konfirmojnë të drejtën për të ushtruar profesionin. Autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë zbardhur kalendarin zyrtar, me sezonet kur do të zhvillohen provimet e licencimit për kandidatët që përfundojnë studimet në një nga profesionet e rregulluara.

E ndërsa mjekëve të rinj që kanë shlyer detyrimet me praktikën profesionale u duhet të presin muajin dhjetor për të dhënë testin final të licencës, e kundërta ndodh me mësuesit. Për këtë kategori është planifikuar që sezoni i testimeve të zhvillohet përgjatë muajit korrik.

Konkretisht sipas afateve të përcaktuara, të diplomuarit në profile të ndryshime të mësuesisë gjatë viteve të fundit që nuk kanë dhënë provimin e shtetit, mund të regjistrohen për të marrë pjesë në sezonin e korrikut.

Gjatë ditëve në vijim do të shpallet edhe lista zyrtare me datat dhe oraret e testimit për çdo kandidat që plotëson kushtet e kërkuara.

Provimet do të zhvillohen përgjatë tre javëve të para të muajit korrik, në ditë të veçanta për secilin profil lëndor. Sezoni i muajit korrik u vjen në ndihmë arsimtarëve të rinj që në rastet e kalimit me sukses të provimit të aplikojnë për të siguruar një kontratë pune në arsim.

Lëvizje të cilat bëhen ë nisje të vitit të ri shkollor 2015-2016. Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.

Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.

Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

E njëjta skemë ndiqet edhe për testimet në profilet e ndryshme mjekësore. Ekspertët e AKP-së bëjnë me dije se janë të shumtë kandidatët që do hyjnë në provim për herë të dytë dhe të tretë, pasi nuk kanë grumbulluar dot pikët minimale për të qenë kalues.

E drejta e ankimimit

Kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë nëse ka kontestime për rezultatin e marrë në mbyllje të provimit. Procedura e përcaktuar në rregullore specifikon se në rastet e pakënaqësive me rezultatin e shpallur, kandidati duhet të paraqesë ankesën me shkrim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve. Në rastet kur AKP-ja sugjeron rivlerësimin e rezultatit, kërkohet vendimi i Komisionit të Provimit të Shtetit. Ndërkohë që pas përfundimit me sukses të provimit të shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës, për të cilin duhet të regjistrohet edhe në urdrin profesional.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *